Futboll

Lëvizjet e fundit/ Zyrtarizohet Bejl, Liverpuli blen një sulmues

Mungonte vetëm zyrtarizimi, që tashmë ka ardhur: Gereth Bejl është një lojtar i Totenhemit. Uellsiani kaloi vizitat mjekësore në Londër dhe “gjelat” e kanë prezantuar me një video speciale. Përveç Bejlit, Totenhemi i Zhoze Mourinjos ka marrë nga Real Madrid edhe spanjollin Serxho Reguilon, i cili luan si mbrojtës i krahut të majtë .

https://twitter.com/SpursOfficial/status/1307363856151392257?s=20
Prezantimi i Bejl nga Totenhemi. Gazeta Si, 19 shtator 2020

Një tjetër lëvizje në Premier Ligë është kalimi i 23-vjeçarit turk të Romës, Çengiz Under, te Leiçesteri. Mesfushori-sulmues kalon në formë huazimi për 3 milionë euro, me të drejtën e blerjes për 23 milionë euro nga klubi anglez.

Jurgen Klop nuk është mjaftuar me Tiago Alkantarën, i ardhur nga Bajer Mynih një ditë më parë. Trajneri gjerman ka marrë edhe sulmuesin portugez Diogo Jota, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Volverhemptonit. Jota ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe kampionët në fuqi të Anglisë nuk kanë hezituar ta marrin lojtarin që luan si sulmues qendre, por edhe në krahun e majtë.

Lëvizje të tjera ka edhe në kampionatet e tjera, ku kryesisht flitet për huazime. Luis Suarez ka refuzuar transferimin tek Inter Majemi i Dejvid Bekham dhe e ardhmja e tij mbetet mister, ndërsa Juventusi pret të zyrtarizojë Xhekon, edhe pse boshnjaku në fakt është grumbulluar nga Roma për ndeshjen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë