Me pankarta në duar të shkruara me gabime drejtshkrimore, ka nisur protesta e thirrur nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, kundër presionit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Në emer të popllit shçiptar kundër Asosacionit me shumic serbe”, shkruhet në njërën nga pankartat.

Dashamir Uruçi, njëri nga përfaqësuesit e protestuesve, tha se shqiptarët janë kundër Asociacionit.
“Askush në Kosovë nuk e harron ndihmën e Evropës gjatë luftës për liri dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur. Evropa duhet ta di se shqiptarët masivisht janë kundër Asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta dërgojë shtetin në të njëjtën gjendje si Bosnjën, Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh ai.
Ai paralajmëroi se do të ketë protesta masive gjithandej.


“Protestat do të jenë masive gjithandej, paqësore dhe në mbështetje të qeverisë Kurti që po punon me të gjitha forcat për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Shqiptarët do të luftojnë për ta ndalur Asociacionin e institucionet evropiane duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre”, u shpreh qytetari.
Të hënën fondacioni “Friedrich Ebert” (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP).
Sipas këtij dokumenti, Asociacioni parashikohet të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.