Kosova

Sot publikohet një draft-statut për Asociacionin, çfarë dihet deri tani për të?

Organizata gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung, do të publikojë të hënën(30 janar) një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Për krijimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Me gjithë trysninë e faktorit ndërkombëtar, Kosova, deri tani, nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje. Kryeministri Albin Kurti, në disa raste, ka përsëritur se në Kosovë nuk mund të formohen asociacione njëetnike.

Rene Schlee, nga Friedrich-Ebert-Stiftung, ka thënë më 18 janar për Radion Evropa e Lirë se draft-statuti i Asociacionit, i hartuar nga kjo organizatë, “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Publikimi i draft-statutit ndodh vetëm një ditë para se Ambasada amerikane në Prishtinë të organizojë një diskutim me përfaqësues politikë, qeveritarë dhe të shoqërisë civile për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ky diskutim me “partnerët alternativë” është paralajmëruar nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që në dhjetor.

Kurti, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 27 janar, ka thënë se nuk ka marrë ftesë për këtë diskutim, por ministri për Komunitete në Qeverinë e tij, Nenad Rashiq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Çfarë dihet për draft-statutin e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung?

Në media, më herët, ka dalë një version i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung.

Aty është thënë se ky asociacion është “subjekt juridik”, i cili formohet “në përputhje me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë [mes Kosovës dhe Serbisë] dhe Kushtetutën e Kosovës”.

Sipas atij dokumenti, statuti i Asociacionit do të duhej të miratohej nga Qeveria e Kosovës me akt ligjor, në përputhje me Kushtetutën.

Dokumenti parashikonte që Asociacioni t’i kishte simbolet e veta, përfshirë stemën dhe flamurin, që do të dizajnoheshin nga bordi i drejtorëve të Asociacionit dhe që do të ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Asociacioni, po ashtu, do të duhej të kishte një kuvend, një kryetar, një nënkryetar, një këshill, një bord dhe një zyrë për ankesa. Ai do të kishte edhe buxhetin e tij, por që do të ishte subjekt i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.

Po sipas atij dokumenti, Asociacioni do të mund të shpërndahej me vendim të Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave.

Si objektiva të tij janë renditur: forcimi i demokracisë lokale, zhvillimi i ekonomisë lokale, mbikëqyrja në fushën e arsimit, shëndetësisë parësore dhe dytësore, planifikimit rural dhe urban, e të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë