Lajme

Letra e Agron Dukës për Edi Ramën: Reflekto robo! Mos u bëj kurban!

Agron Duka i është drejtuar me një letër “miqësore” Edi Ramës, ku i kërkon që të reflektojë dhe të mos shndërrohet në “kurban” të fundit të tranzicionit shqiptar. Aleati i Bashës e ka postuar letrën në rrjetet sociale.

Kreu i PAA-së e nis letrën duke thënë se po shkelte një rregull të vetin, duke iu drejtuar politikanit Edi Rama si një mik i tij.

“Ndryshe nga ty, nuk kam qenë kurrë i aftë të ndaj politikën nga miqësia, por, ashtu si ty, nuk kam bërë ndonjëherë politikë me dimensionin privat të miqve apo kundërshtarëve. Sot po e thyej këtë rregull dhe po të shkruaj si mik, si një person me të cilin më ka lidhur jo vetëm puna por edhe momente jete”, shkruan ai.

Më tej, Duka thotë se nuk është në gjendje që të kuptojë nëse vendimet e Kryeministrit janë pasojë e këshillave të këqija të ndihmësve të tij, apo pushteti e ka verbuar.

“Nuk di nëse po të keqkëshillojnë apo nëse pushteti të ka hequr aftësinë për të parë qartë atë që po ndodh; por më lejo të të them se je bërë i mirë i botës, të paktën i atyre që të rrethojnë sepse nga ty varen privilegjet dhe suksesi që gëzojnë, dhe i keqi i vetes”, shkruan ai.

Sipas Agron Dukës, situata po përkeqësohet me shpejtësi dhe përplasja duket e pashmangshme. Në të tilla tensione, ai i kujton Nanon, Metën dhe Berishën.

“Situata në vend po përkeqësohet nga ora në orë, dhe tashmë përplasja duket e pashmangshme. Paraardhësit e tu, pa asnjë përjashtim, janë ndodhur përballë mundësisë së humbjes së pushtetit. Megjithatë, Nano, Meta, Berisha, në mënyrat e tyre, kanë ditur të bëjnë një hap pas. Për këtë arsye, qytetarët janë treguar bujar me ta, edhe kur kanë gabuar, madje u kanë dhënë besimin për t’i qeverisur sërishmi”, vijon letra.

Fundi, kreu i PAA thotë se është i qartë.

“Herët apo vonë do të duhet t’i dorëzosh, veçse mënyra se si e bën këtë dorëzim do të jetë domethënëse për interesin e vendit. Nëse vazhdon kështu, kam frik se do të jesh ti vetë kurbani që lips fundi i tranzicionit. Bëj që kurban të bëhet pushteti yt, jo ti, jo vendi ynë. Reflekto robo, je ende në kohë për të bërë gjënë e duhur”, thotë Agron Duka.

Letra mbyllet me shënimin “Goni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë