Politike

Lëshimi i Ramës për opozitën e re: Listat e hapura janë opsion, por duhet pakt trepalësh

Kryeministri Edi Rama pranoi takimin e kërkuar nga dy deputetët në Kuvend, Myslim Murrizi dhe Edmond Stojku, por nuk shkoi për   marrëveshje me ta, sa kohë që, siç u shpreh  vetë ai, ka një pakt të dakordësuar me Partinë Demokratike.

Megjithatë, në fund të takimit një orësh me Murrizin, Stojkun dhe Rudina Hajdarin, kryeministri Edi Rama la të hapur idenë se mund të leshojë “pe” vetëm për listat e hapura edhe pse për këtë çështje, sipas tij, do të duhej një marrëveshje tre palëshe duke nënkuptuar edhe PD-në. ”Asnjëra nuk do fitojë gjithçka që dëshiron”, tha ai.

“…Kemi një konflikt në themel që lidhet me marrëveshjen që kemi bërë me opozitën jashtëparlamentare dhe për mua ajo është një bazë mbi të cilën sigurisht që mund të zhvillojmë më tutje procesin dhe mund të shtojmë, por nuk mund të heqim. Ne jemi të gatshëm të konsiderojmë një formulë të hapjes së listave, të diskutojmë për ta formalizuar përgjatë procesit të diskutimeve dhe për të arritur në një konsensus tre palësh. Në një konsensus trepalësh askush nuk do marrë gjithçka që dëshiron, të treja palët do të duhet të pranojnë diçka që nuk dëshirojnë, por e rëndësishme është që të gjithë të kenë zë në proces…”, nënvizoi Rama. Kryeministri tha se nuk do të ketë trafik votash për të arritur kourimin për kalimin e ligjit të ri zgjedhor.

“PS nuk do të angazhohet në procese kapje të një vote këtu, e një atje për të bërë një ligj kaq të rëndësishëm dhe unë nuk kam ndonjë respekt më të madh për ata që janë jashtë se për këta që janë brenda, por askush nuk ka as monopol e privilegje.

Sot është e vërtetë që një shumicë dërrmuese e qytetarëve duan të kenë më shumë zë në proces, kjo është më se e qartë dhe ne e kemi sfidë të jemi pasqyrë ku reflektohen dëshirat e njerëzve dhe në një proces ku ne jemi të vendosur të ecim kështu siç jemi, ka shumë rëndësi zgjerimi i aleancës me njerëzit, kjo bëhet duke i përfshirë më shumë në vendimmarrje, por marrëveshja është një pengesë e madhe për anën tjetër, për deputetë aktual të opozitës dhe ata duhet të pajtohen me idenë që duhet ta kapërcejnë”, tha Rama.

Të gjitha palët, sipas tij, duhet të bëjnë lëshime.

Listat e hapura mbeten një hipotezë kompromosi (që nuk është vijë e kuqe as për PD) e që sa duket është kuptuar edhe nga Rudina Hajdari e cila në fund të takimit (ndryshe nga Murrizi, që këmbënguli në tre pika) është fokusuar vetëm tek listat.

Deputetja Rudina Hajdari, që është njëkohësisht edhe bashkëkryetare në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore tha se opozita parlamentare është e vendosur në këtë kërkesë dhe se nuk tërhiqet nga ky qëndrim as përballë presionit të opozitës jashtëparlamentare dhe as nga presioni i ndërkombëtarëve që ndërmjetësuan marrëveshjen e 5 qershorit në Këshillin Politik.

 “Nëse kemi presion nga opozita jashtëparlamentare, apo të huajt ne do të vazhdojmë të mos tërhiqemi. Listat e hapura janë të dobishme në gare. Të mos vazhdojmë të mbetemi peng i tre politikanëve. Nëse Edi Rama do të zgjedhë që të shkojë me opozitën jashtëparlamentare, ai po u kthen kurrizin shqiptarëve.

Nëse do të ndjekë rrugën institucionale për ta hapur listat atëherë i ka bërë nder Shqipërisë. Ne i shtruam kërkesat tona, kuptohet që ka një presion të jashtëzakonshëm”, deklaroi Hajdari në përfundim të takimit që zgjati rreth 80 minuta me Kryeministrin Rama.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë