Politike

Rama me deputetët: S’ka zgjedhje të reja për bashkitë. Listat e koalicionet varen nga zhvillimet

gazetasi

Para se kryeministri Edi Rama të takonte Myslim Murrizin (jo për peshën politike që ka ky i fundit), por për pataten e nxehtë që ka marrë përsipër; atë të ndalimit të koalicioneve parazgjedhore (vija e kuqe për PD) kreu i ekzekutivit i ka shpërndarë do sinjale në takimin e zhvilluar me deputetët e PS-së, sipas qarqeve.

Takimet kanë zgjatur disa orë, dhe mesazhi që ai ka përcjellë nuk ishte më shumë për deputetët e tij, sesa për vetë klasën politike në vend, duke e lënë të hapur lojën ‘hidh e prit’ me PD-në.

Ai pati një qëndrim ambig sa i përket listave të hapura duke theksuar se ai personalisht nuk është dakord me to, porse shtoi se gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen.

Edhe për koalicionet parazgjedhore (aty ku i djeg më shumë PD-së), Rama është shprehur evaziv. Sipas tij, në varësi të ngjarjeve politike mund të mos kemi koalicione parazgjedhore.

Kryeministri Edi Rama ka qënë i qartë vetëm në një pikë kur ka folur për teorinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkitë, një proces që në fakt Kushtetuta nuk e njeh. Jo pa qëllim, Rama është ndalur në këtë temë, nisur nga një tendencë që po shfaqet në strukturat e PD-së, ku Basha ka hapur garën e kandidatëve jo vetëm për deputetë, por edhe për kryetarë bashkie. Xhelal Mziu dy ditë më parë dha dorëheqjen nga drejtimi i degës së Kamzës, me argumentin se do të garonte për kryetar bashkie.

Por, Rama është shprehur se mandati i kryebashkiakëve të 30 qershorit do të jetë i plotë dhe se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, përveç atyre të përgjithshme, për të cilat, kryeministri ka kërkuar angazhimin dhe mobilizimin e gjithë deputetëve, pasi, sipas tij, zgjedhjet e pranverës në fund të fundit do të jenë një betejë e secilit prej tyre.

“Nuk ka zgjedhje të parakohshme për bashkitë, kryebashkiakët do të vijojnë mandatin e tyre. Unë nuk jam për lista të hapura, por çfarë nuk ndodh deri në fund, kështu që kjo fushatë është betejë e juaja. Në varësi të dinamikës politike, mund të mos kemi koalicione parazgjedhore“, është mesazhi i Edi Ramës i përsëritur për secilin grupim deputetësh sipas qarqeve.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë