Futboll

Leroi Sane është i Bajernit, bavarezët kursejnë 66 milionë euro

Bota ka ndryshuar shumë muajt e fundit. Edhe futbolli ka ndryshuar shumë brenda 11 muajsh, siç tregojnë zhvillimet e fundit të merkatos. Shembulli konkret është kalimi i Leroi Sane nga Mançester Siti te Bajern Mynih, pasi palët tashmë e kanë arritur akordin.

Sipas “The Guardian” në Angli dhe “Bild” në Gjermani, bavarezët do të paguajnë 49 milionë euro për kartonin e sulmuesit. Shifra mund të shkojë deri në 60 milionë euro bashkë me bonuset. Një çmim shumë më i ulët se ai i 11 muajve më parë, kur dy klubet flsinin për një akord prej 100 milionë eurosh plus bonuset. Aktualisht edhe vetë lojtari i ka ulur pak kërkesat e tij në krahasim me një vit më parë. Kjo ka ndodhur për shkak të dëmtimit që Sane pësoi më 4 gusht, në atë që duhej të ishte ndeshja e fundit me Sitin (kundër Liverpulit), por edhe për faj të Koronavirusit.

Leroi Sane, sulmuesi gjerman. Gazeta Si, 1 korrik 2020

Me kartonit dhe pagës së lojtarit, një vit më parë flitej për një operacion që e kalonte shifrën e 200 milionë eurove bashkë me bonuset. Bajerni, përveç se do të paguante 100 milionë për kartonin e sulmuesit, i ofronte atij një kontratë 5-vjeçare me 20 milionë në vit. Në total bëheshin fiks 200 milionë, ndërsa tani Mançester Siti duhet të kënaqet me 49 milionë euro dhe bonuset, pra me gjysmën. Leroi Sane ndërkohë do të përfitojë 17 milionë euro në vit për 5 sezone. Një pagë gjithsesi e kënaqshme për lojtarin. Bavarezët kanë kursyer kështu 66 milionë euro, 33% të shumës së një viti më parë. Një operacion që mund të ketë ndikim edhe në gjithë tratativat e tjera të mëdha të merkato.

Zyrtarizimi i Sane te Bajerni është çështje orësh. Agjenti i tij, Damir Smoljan, është në Mynih për detajet e fundit. Sulmuesi pritet të jetë në Gjermani brenda së premtes për vizitat mjekësore. "Ju siguroj se Sane është rikuperuar 100% nga dëmtimi”, - ka thënë Smoljan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë