Art dhe Kulture

“Lëkura e Qenit” i Fatos Kongolit do të bëhet film

Ditëlindja e 77-të e shkrimtarit Fatos Kongoli u shënua me aktivitetin “Nën lëkurën e qenit”, një ceremoni e  vogël në kohë pandemie pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të vlerësuar kontributin e shkrimtarit.  

Në këtë aktivitet ku u bënë bashkë autorë, studiues të veprës së tij, botues, përkthyes, kineastë, shkrimtari Fatos Kongoli u vlerësua me një certifikatë mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Shkrimtari Fatos Kongoli shprehu mirënjohjen e tij për njerëzit, që i kanë qëndruar pranë dhe tha se nuk e priste këtë vlerësim dhe ceremoni në këtë kohë pandemie. “Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton, pasi ngjitesh deri sipër. Troket tek Shën Pjetri të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve”, u shpreh ndër të tjera Kongoli.

Ndërkohë, shkrimtari Besnik Mustafaj i pranishëm në aktivitet u shpreh se “Kongoli me letërsinë e tij para e pas 1990-ës, por sidomos pas 1990-ës, ka treguar vlerat e tij si shkrimtar sepse prova e vërtetë për letërsinë, është  përdorimi i lirisë”.

Në 77-vjetorin e autorit, regjisori Spartak Pecani bëri me dije dhe një tjetër bashkëpunim për një vepër filmike, pas suksesit të filmit “Bolero në vilën e pleqve”. Ai tha se do të ekranizohet romani “Lëkura e qenit”, që është një ndër veprat më të mira të tij.

“Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarin. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin “Lëkura e qenit”, që ka fituar të drejtën për zhvillim dhe së shpejti do të hidhet në prodhim. Jam i lumtur, që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime”, u shpreh ndër të tjera kineasti Spartak Pecani.

Krijimtaria e Fatos Kongolit

Fatos Kongoli lindi në Elbasan në 12 janar të 1944. Studimet e larta për matematikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i viteve ‘60. Deri në vitin 1990 ka botuar vëllimet me tregime "Shqetësime të ngjashme" (1972), "Tregime" (1978), "Të fejuarit" (1982), si dhe romanet "Ne të tre" (1985), "Karuseli" (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para Kongoli përzgjedh "jetët e vogla" njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Në 1992 boton romanin “I humburi” , "Kufoma" (1994), “Dragoi i fildishtë”(1999), “Ëndrra e Damokleut" (2001), "Lëkura e qenit" (2003, fitues i çmimit "Pena e artë"), "Te porta e Shën Pjetrit" (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009). “Iluzione në sirtar”(2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Vepra e tij më e re është “Stinë Pandemie” që u botua në tetor të 2020-s, ku rrëfen pandeminë e shoqërisë shqiptare.

Vepra të tij janë botuar në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane. Ka fituar tre herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjonit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës, dhe “Mjeshtër i madh”(2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Në vitin 2017 është nderuar me titullin Doktor “Honoris Causa” nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë