Futboll

Leksion anglez me përmbysje për Italinë, komplikohet kualifikimi në Euro 2024

Gazeta Si – Dopieta e Kejn dhe goli i Rashford përmbysën avantazhin e Italisë me Skamakën. Skuadra e Spaletit luan gjithçka në nëntor kundër Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës. Anglia kualifikohet matematikisht për në Euro 2024.

Leksion anglez për Italinë, që është mundur 3-1 në ‘Wembley’, në kualifikueset e Grupit C. ‘Axurrët’ janë parakaluar nga Ukraina, që ka marrë vendin e 2-të, duke shtuar rrezikun për skuadrën e Spaletit.

Italia e nisi mirë ndeshjen dhe gjeti avantazhin pas 15 minutash me Skamakën. Barazimi erdhi me penallti nga Herri Kejn. Pjesa e dytë u dominua nga anglezët, të cilët kaluan në avantazh me Rashford (57') dhe pastaj trefishuan me Kejn (77').

Me këtë fitore, djemtë e Southgejt kualifikohen për në Gjermani 2024. Italia ka edhe dy ndeshje dhe do të diskutojë kualifikimin me Ukrainën, që ka 3 pikë më shumë, por edhe një ndeshje më shumë.

Fillimisht italianët ndeshen me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj sfida direkt me Ukrainën në fushë neutrale (Leverkusen) më 20 nëntor. Duhen të paktën 4 pikë për të shkuar në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë