Lajme

Lejonin kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohen 2 shkodranë

Në sajë të operacionit policor “Transportuesit”, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 2 shtetas dhe ka proceduar 2 të tjerë për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit:
P. Rr., 35 vjeç, banues në lagjen “Tre Herojtë” Shkodër, për veprat penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
T. K., 32 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg” Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, në bashkëpunim.
Siç njofton policia, arrestimi i tyre është bërë pasi në afërsi të PKK Hani Hotit, shtetasi P. Rr. është kapur duke drejtuar pa leje mjetin e tij, me të cilin po transportonte 4 shtetas maroken drejt Malit të Zi, me destinacion vendet e BE-së. Gjithashtu te tregu i këpucëve në qendër të qytetit Shkodër, janë gjetur 8 shtetas të huaj pakistanezë, të cilët pranuan se kishin rënë dakord me këtë shtetas që kundrejt vlerës 200 euro, t’i transportonte në Malin e Zi, në bashkëpunim me shtetasin T. K., i cili punon tek tregu. Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i fshihnin shtetasit e huaj në tregun ku punonte shtetasi T. K. dhe më pas i transportonin me mjete të ndryshme drejt Malit të Zi, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit G. L. 49 vjeç, banues në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, pronari i tregut, për veprën penale, “Punësim i paligjshëm” dhe A. D. 52 vjeç, banues në fshatin Dobraç Shkodër, i punësuar si rojë i tregut, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë