Mjedis

Lejlekët po rikthehen, i pari mbërriti në Shkodër

Mesa duket lejlekët po të kthehen nga shtegtimi. Në Shkodër është shfaqur lejleku i parë nga një shtegëtim i gjatë afrikan, ndërsa pritet që në Fier, Gjirokastër e Sarandë të mbërrijnë shumë të tjerë. Lajmi është bërë i ditur nga Shoqëria Ornitologjike Shqiptare në një status në “Facebook”.

Ekspertët e mjedisit kanë shkruar se foletë e lejlekëve në vendin tonë janë të rralla, mund të kemi vetëm 5-6 fole aktive vitet e fundit. Sipas ekspertëve kjo është një shifër e ulët në krahasim me të shkuarën, kur lejlekët në Shqipëri i shihnim në qendra urbane.

Dihet që zogjtë shtegtojnë për një sërë arsyesh, ku ndër to dhe më kryesorja është humbja e habitatit dhe ekspertët kanë shpjeguar se shumë lejlekë nuk i mbijetojnë dimërimit dhe shtegtimit dhe për pasojë nuk kthehen më në foletë e tyre në Shqipëri.

“Lejlekët, sikurse shumë shpendë të tjerë shtegtarë, përballen gjatë rrugëtimit shtegtues me plot faktorë kërcënues ku dallohet brakonazhi apo vrasja e qëllimshme, përplasja me infrastrukturën energjetike (turbinat e erës, linjat elektrike), elektroshoku etj. Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë faktorët kërcënues gjatë shtegtimit, detyrimi ynë minimal është tu sigurojmë Lejlekëve kushte të mira folezimi,” shkruhet në statusin e Shoqatës.

Lejleku i parë që u shfaq këtë pranverë në 25 Mars në Shkodër. 

Ndër të tjera, Shoqata ka shkruar se edhe pse në kushte të vështira pune për shkak të gjendjes që ka krijuar COVID-19 në vendin tonë, Shoqata Ortinologjike vazhdon nismën që të krijojë kushtet e duhura për të rritur sa më shumë numrin e Lejlekëve folezues.
Gjatë vitit të kaluar, ish-zv/ministri i mjedisit Taulant Bino, në një intervistë për Gazetën “Si” tregoi se Shoqata Ortinologjike ndërmerr gjithnjë masa për të krijuar kushte të mira folizimi për lejlekët.

Ndërsa, Erald Xeka një tjetër ekspert pjesë e Shoqatës, i cili ishte pjesëmarrës në ndërtimin e platformës së parë artificiale në Fier për folezimin e lejlekut, tregoi se përpara 20 viteve lejleku ka qenë i kudo ndodhur në vendin tonë, duke pasur shumë fole, por për një periudhë shumë të gjatë u zhduk për shkak të ndryshimit të habitatit.

“Tashmë prej katër vjetësh është parë sërish dhe shtyllat elektrike mesa duket janë vend qëndrimi i tyre i preferuar. Në këtë mënyrë në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit ndërtuam një platformë artificiale që njëkohësisht të mbrojë lejlekët, por edhe të mos ndikojë në rrjetin elektrik,” tregoi Xeka asokohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë