Politike

Leja për arrestimin e Ahmetajt, Rama: Nuk pajtohem me ata që fryjnë xhepat përmes pushtetit

Gazeta Si - Pak orë pasi Kuvendi autorizoi SPAK-un, duke i hapur rrugë arrestimit të deputetit Arben Ahmetaj, kryeministri Edi Rama thyen heshtjen për ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë:

Në një mesazh publik drejtuar qytetarëve, Rama bëri të qartë se as ai personalisht dhe as Partia Socialiste nuk do të mbajnë mbi shpinë asnjë thyerje besimi karshi qytetarëve.

Kreu i qeverisë kujtoi edhe njëherë se Reforma në Drejtësi ka qenë vullnet i shumicës së tij për ta miratuar, pavarësisht çdo kostoje, siç thotë ai edhe nëse do t’i kushtonte qeverinë.

Deklarata e plotë publike e Edi Ramës

“Sot votuam një kërkesë të SPAK për të autorizuar arrestimin një deputeti që ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveri. Ish zyrtari më i lartë në histori që ka përfunduar në rrjetën e SPAK ishte një tjetër test për ne si udhëheqës të reformës në drejtësi.

Kush më ka dëgjuar qysh në krye të herës duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë, por duam një përmbysje të sistemit të drejtësisë.

Kur kam folur për sistem të vjetër nuk kam pasur parasysh kalbësirën kutërbuese të drejtësisë ku pandëshkueshmëria ishte kthyer në një normë për shqiptarët dhe Shqipërinë, por ka pasur parasysh edhe vetë kulturën mjerane të një drejtësie të egër para qytetarëve të zakonshëm.

Jam përpjekur pa pushim për ta miratuar Refomën në Drejtësi edhe me koston e prishjes së qeverisë të koalicionit të asaj kohe e pse jo edhe të humbjes së pushtetit po të ishte nevoja.

Nuk jam përpjekur thjesht për korrupsionin e nivelit të lartë që dje në qeveri grabitën sa mundën dhe sot në opozitë baltosin sa mundin pa u hyrë ende asnjë gjëmbë në këmbë.

Mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët, për ta udhëhqur këtë përpjekje historike unë nuk pajtohem dot me askënd që abuzon këtë besim duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, votuesve tanë në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin duke punuar për shtetin.

Për hir të këtij misioni unë jam gati të mbaj baltën e pambarimtë që kundërshtarët çdo ditë më hedhin, por nuk kam qenë dhe nuk do jem kurrë gati të mbaj në shpinë bashkë me PS askënd që e kujton shtëpinë e madhe të PS gabimisht si kurrizin e një kali.

Drejtësia të ecë drejt pa marrë anë, pa i matur çështjet me peshoren e politikës, e kam ditur mirë çfarë vjen. Të përpiqesh që kështu të ndodhë dhe më tej t’i shoh është ndodhin kështu nuk ka si të jetë e njëjta gjë sepse ndryshe nga çdo reformë tjetër, kjo e drejtësisë prek jetët e tyre dhe cënon dhe lirinë e njerëzve. Ndër këta njerëz ndodh të jenë persona që të kesh punuar fare afër, kjo histori bëhet më e vështirë ta jetosh, ta krijosh me votë dhe ta garantosh me bindje në vazhdimësinë e saj.

Ndryshe nga të tëra historitë, kjo histori është e vështirë ta tregosh si sukses sepse bëhet fjalë për njërëz të gjykuar. Arben Ahmetaj nuk është as një bashkëpunëtor i largët, një nga bashkëpunëtorët që kam komunikuar më shumë dhe diskutuar më shumë vendimmmarrjet tona.

Nuk më takon mua të them nëse është i pafajshëm apo jo. Por ndryshe nga një rast tjetër, rasti i sotëm, kërkesa e Prokurorisë duhej miratuar. Këtë herë na u vu para dosja e një pune voluminoze.

Ajo dosje ka dyshime të mjaftueshme për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK për Kuvendin. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë nëse është një rast fajësie apo pafajësie.

Më duket e udhës t’i vendos dhe disa pika mbi i për këtë rrugë që vazhdon. Kjo është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë përpjekjet dhe të përveçme e personale janë përpjekjet e fuqisë që i është dhënë çdo individi për të marrë vendime.

Fatet e bashkëudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj. Zgjedhja ime nuk ndryshon në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast: Atë që e kam thënë disa herë më parë, se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë kur bën 2 punë, edhe për shtetin dhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot, as me mua dhe as me ne. Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët.

Të tjerëve, atyre që njihen botërisht si armiq të Reformës në Drejtësi apo matrapazë publikë të luftës për drejtësi, të cilët janë në një garë për baltosjen tonë apo për vetëngushëllim teksa era po i mbyt nga frika e drejtësisë, ju them si i mëshiroj përulësinë e qënies së tyre dhe i mirëpres me durimin më të madh gjylet e baltës së tyre.

Fatkeqësisht, ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi janë turpi dhe mallkimi i vjetër më shumë se 1 shekullor i Shqipërisë, por fatmirësisht nuk habisin po as nuk bindin më askënd, mëkatarë të mëdhenj apo shpirtra të mbyllur. Gjithnjë e më të humbur nën peshën e boshllëkut të tyre.

Kjo nuk është as dita për t’i thënë dobësitë dhe të metat e punës së organeve të reja të drejtësisë, as për t’i shprehur shqetësimet mbi problematikat e mprehta të veprimtarisë së tyre të re. Kjo është dita për t’u kujtuar të gjithëve edhe njëherë, se gjithë çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të pushtetshmit po humbasin pushtetin mbi drejtësinë – përtej të tëra rezervave që të gjithë mund të kenë, për arsye të ndryshme, këndvështrime të ndryshme, SPAK-u, Gjykata Speciale – e ka zanafillën pikërisht tek kjo shumicë që qeveris vendin, tek vullneti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, tek këmëngulja e grupeve të saj parlamentare dje dhe sot, tek vendimmarrja jonë, më e guximshmja në historinë politike shqiptare të këtyre tre dekadave, për t’i hyrë detit në këmbë, në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët. Të qartë se o i hyjmë ne, o kurrë nuk bëhet. Të bindur se vetëm ne mund t’i hyjmë dhe ta bëjmë.

Të vetëdijshëm se ky det nuk kalohet pa u lagur vetë dhe madje pa rrezikuar edhe mbytjen nga dallgët e larta, nga lodhja, nga humbja e durimit apo nga të papriturat e rrugës.

Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pashmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg.

Po ama të sigurtë, si drita e diellit që shohim, se kjo përpjekje është më e madhja që mund të bëjmë për Shqipërinë europiane të fëmijëve tanë, të cilët nuk do të jetojnë më në një vend me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të dobët për të fortët, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara. Faleminderit!".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë