Politike

117 vota për arrestimin e Ahmetajt / PS-PD dakord, por ndahen në argumente (përplasja e raporteve dhe kërkesa e socialistëve për SPAK)   

Kuvendi u mblodh në një seancë të posaçme parlamentare, ku u miratua kërkesa e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Nga 119 deputetë të pranishëm vetëm 3 prej tyre abstenuan. 117 deputetë votuan pro.

Me miratimin e kërkesës së SPAK, Arben Ahmetajt i hiqet përfundimisht imuniteti si deputet dhe i hapet rrugë arrestimit të tij.

Aktualisht Ahmetaj ndodhet në arrati dhe brenda 24 orësh ai ka dhënë dy reagime ku në thelb nuk tregon se ku ndodhet, nuk pranon se është në arrati (edhe pse rezulton jashtë vendit) dhe se do të nxjerrë të “vërtetat” e tij ditët në vijim por sigurisht që jo në Kuvend apo gjykatë, të paktën deri tani.

Pesë deputetët e opozitës në Këshillin për Imunitetin, i rekomanduan seancës plenare të Kuvendit të votojë, për miratimin e dhënies së autorizimit, të kërkuar Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)

Kryetari i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi tha se të gjithë janë përgjegjës për inceneratorët nga mazhoranca, përveç ish-Ministrit të Financave Shkëlqim Cani që referuar po dosjes së SPAK nuk ka pranuar të firmosë për këtë proces.

Bardhi falënderoi SPAK për provat që ka parashtruar. Sipas tij, hetimi i kryer nga prokurorët e SPAK  është një hetim i thelluar duke kërkuar mbështetjen ndaj saj

Bardhi e drejtoi gishtin tek kryeministri Edi Rama që sipas tij është njeriu kryesor pa të cilin nuk mund të lëvizin fijet e këtij procesi. Sipas tij, është Edi Rama që duhet ta dorëzojë Ahmetajn para drejtësisë  

Raporti ndryshe i PS

Edhe pse janë në një mendje për dhënien e autorizimit të SPAK për arrestimin e Ahmetajt, argumenti që japin deputetët e PS janë krejt të ndryshme nga deputetët e PD.

Deputetët e PS kanë qënë  krejt të ftohtë në hartimin e raportit, duke renditur më shumë nene të rregullores së Kuvendit, se çfarë parashikon në këto raste, dhe futur në raport gjithë argumentimin e palës mbrojtëse të Arben Ahmetajt në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

 “Deputetët e shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin çmuan të veçojnë raportin e tyre nga ai i pakicës parlamentare për arsye se: 1) qëndrimet e opozitës përmbajnë konsiderata politike, nuk kujdesen të respektojnë parimet e shtetit të së drejtës, ndryshe nga sa parashikohet në Kushtetutë dhe Rregulloren e Kuvendit për rolin e Kuvendit dhe organeve të tij në procedura të tilla parlamentare kur kërkohet dhënia e autorizimit për masat e sigurimit personal të deputetit dhe kontrolleve ndaj tij dhe pasurisë së tij; 2) çmojmë të trajtojmë në këtë raport dhe rëndësinë e parimeve të shtetit të së drejtës që duhen respektuar në procese të tilla, në funksion të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, thuhet në raportin e PS

Ndryshe nga sa rendisin argumentimin e palës mbrojtesë në Këshill, asnjë fjalë e PS për SPAK dhe çfarë u tha (me argumentin se është sekret hetimor), përveçse një kërkesë drejtuar kësaj të fundit.    

“Organi i akuzës duhet të kujdeset që kur parashtrohen fakte apo rrethana për shtetas që nuk janë pjesë e hetimit, por përmenden për të sqaruar një situatë të caktuar, të përdoren iniciale, pasi ky proces tregoi që emra shtetasish, të cilët nuk kanë lidhje me akuzat lakohen apo komentohen shpesh pa të drejtë, sic ndodhi aktualisht kur deputetë të opozitës keqpërdorën dhe përmendën emra shtetasish në mbledhje të hapura, në komisione apo dhe në media dhe të drejtat e atyre shtetasve cenohen e mbeten të pambrojtura, opinioni publik dizinformohet, interesat e drejtësisë dëmtohen”, thuhet ne raportin e PS.

Ndryshe nga PD, PS nuk niset nga provat e SPAK por evidenton se Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin vlerëson se masa për arrestimin është nisur nga fryma dhe standardi më i lartë që parashikojnë dispozitat përkatëse të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit

“Vlerësimin në rast se janë ose jo kushtet dhe kriteret për vendosjen e një mase sigurimi personal apo kryerjen e veprimeve të tjera proceduriale, e bën sistemi gjyqësor nëpërmjet organit të tij, gjykatës, bazuar në parashikimet e posacme të Kodit të Procedurës Penale, neni 244 e vijues. Është vetëm gjykata, organi i vetëm, që mund të marrë në shqyrtim, të cmojë dhe në fund të disponojë në lidhje me kërkesat e organit të prokurorisë gjatë hetimeve paraprake, në rast se ato i gjen eventualisht të mbështetura në prova dhe në ligj.

Është gjykata ajo që garanton respektimin e të drejtave të njeriut në gjithë hallkat e procesit penal, procesin e rregullt ligjor, garancitë proceduriale, kushtet dhe kriteret që parashikohen në ligjin procedurial, etj si dhe zbatimin e parimit të proporcionalitetit të masës së sigurimit me kërkesat dhe faktet që i paraqiten për gjykim.

Organi i akuzës ka detyrimin të respektojë e zbatojë garancitë procedurale dhe të drejtat e njeriut në proceset hetimore, pasi cdo cenim i këtyre garancive, jo vetëm që mund të konstatohet si shkelje nga gjykata, por rrezikon të dëmtojë dhe vetë rezultatet e punës së organit të akuzës në shërbim të interesit publik, duke ndikuar dhe në kredibilitetin e vetë institucionit dhe uljen e besimit të publikut te drejtësia”, thuhet në raportin e PS .

Sipas PS, Kuvendi, nuk bën vleresimin e provave, por vlerësimin e kushteve dhe rrethanave për të krijuar bindjen se ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara se deputeti ka kryer një vepër penale

PS i hap rrugë SPAK me argumentin se, “bazuar mbi parashtrimet e Prokurorisë së Posaçme në Këshill ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova se deputeti i ka kryer ato vepra penale dhe për nevoja të hetimit të mëtejshëm kërkohet dhënia e autorizimit për masat që listohen në kërkesën e Prokurorisë së Posacme drejtuar Kuvendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë