Politike

Berisha: Rama duhej të dorëhiqej, qëndrimi i tij për Ahmetajn hipokrit dhe i paturpshëm

Sali Berisha komentoi të shtunën mesazhin e kryeministrit Edi Rama pasi Kuvendi i hapi dritën jeshile SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt, i cili aktualisht është jashtë Shqipërisë.

“Mesazhi i djeshëm i Edi Ramës nga rreshti i parë në të fundit, ishte mesazhi i Hipokrizisë dhe Paturpësisë. Në vend se t’iu kërkonte ndjesë qytetarëve për arratisjen e zëvendësit dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Arben Ahmetaj, dhe të dënonte me forcën më të madhe aktin e tij të turpshëm, Edi Rama zbatoj kodin e heshtjes së mafies dhe nuk shqipëroj një fjalë të vetme jo për ndjesë, por as për aktin e pashembullt në histori të arratisjes së zëvendësit të tij zëvendëskryeministrit të vendi dhe nuk dënoi me një fjalë të vetme, arratinë e tij nga vendi për ti shpëtuar sallës së gjyqit. Ai në vend të këtyre zgjodhi me paturpësinë dhe hipokrizinë më të madhe të ju mburrej shqiptarëve me drejtësinë e re, me drejtësinë në kontrollin e tij me zëvendëskryeministër të pandehur në arrati”, shkruan Berisha.

“Ai foli para publikut sikur Arben Ahmetaj të mos ishte arratisur, por ishte në krah të tij dhe nga parlamenti do të shkonte para drejtësisë, paçka se arratisja e tij është arratisja e shekullit dhe ai është i pari ministër në historinë e shtetit shqiptar që arratiset kur thirret të japë llogari para drejtësisë.

Hipokrizi dhe paturpësi ishte fjala e djeshme e Edi Ramës sepse rrahu gjoksin se, ai nuk pengon drejtësinë e re paçka se ai vet sabotoi atë duke njoftuar zëvendësin dhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë që të ja mbathi kohë përpara se vendimi i prokurorisë të dërgohej në parlament”, shkruan Berisha.

Më tej, ai i drejtoi disa pyetje kryeministrit Rama.

“Edi Rama nëse je kaq krenarë për drejtësinë e re, si shpjegohet që shqiptarët janë mbajtur më gjatë në burg për faturën e dritave, se sa ministrat e tu të dënuar për trafiqe dhe droge?

 Edi Rama nëse je kaq krenarë për drejtësinë e re, si shpjegohet që nuk i është sekuestruar pasuria asnjë prej bashkëpunëtorëve të tu që janë në burg?

 Edi Rama nëse je kaq krenarë për drejtësinë e re, përse nuk ka ngritur ajo asnjë akuzë, për kokën e kësaj organizate kriminale; për ty Edi Rama?

Së fundi të pyesim Edi Ramën kush e pengon përveç teje drejtësinë e re të rikuperoj mbi 200 milion euro të vjedhura në këto vite nga sipërmarrja jote e djegësave dhe të bllokoj grabitjen çdo muaj të miliona euro nga kjo sipërmarrje e shpallur nga vet drejtësia si vepër krimi”.

Sipas tij, Rama duhej të dorëhiqej.

“Dorëheqja nuk do të ishte më një akt burrërie, por një akt arsyeje. Në vend të dorëheqjes çfarë bëri Edi Rama? U tha shqiptarëve se është krenarë për arritjet. Kjo është paturpësi. Dhe përpara një kryeministri të paturp dhe që vjedh, i takon popullit të ruaj arsyen. Dhe të bëj atë që çdo popull i arsyeshëm do të bënte përballë kësaj drame. Çdo komb i qytetëruar në këto rrethana derdhet në rrugë dhe i jep duart një regjimi të tillë.

Ka ardhur koha, që shqiptarët jo vetëm të thonë së janë qytetarë të Europës. Por të veprojnë si qytetarë të Europës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë