Politike

“Legenat drejtorë”, Kryesia e PS i fut në lupë zyrtarët lokalë

Për më shumë se një orë e gjysmë ka zgjatur mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, e mbledhur pas arrestimeve të bujshme të ish-deputetëve të PS-së, Arben Ndoka dhe Arben Çuko (ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve).

Në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka kërkuar hartimin e një raporti të hollësishëm mbi emërimet e kryera në drejtoritë rajonale. Gjithashtu do të nisë edhe një kontakt i ri me bazën socialiste. Ky ballafaqim me strukturat e PS-së dhe me drejtorët rajonalë i është ngarkuar drejtuesve politikë të 12 qarqeve, ku pjesë më e madhe e tyre janë ministra. Mësohet se ata duhet të përpilojnë edhe raportet mbi konkluzionet e takimeve që kanë kryer.

Raporti do të paraqitet më pas nga sekretarja e Burimeve Njerëzore, e cila është zëvendëskryeministrja Senida Mesi në një mbledhje të ardhshme të Kryesisë së PS-së.

Pikërisht drejtuesve politik të qarqeve i është kërkuar që të jenë më tepër prezent në terren, për të kryer analizën e qeverisjes qendrore dhe lokale, e kjo edhe si pjesë e përgatitjes së zgjedhjeve lokale.

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali fajësoi drejtuesit politik të qarqeve, që një pjesë e tyre janë ministra, se nuk kanë qenë aktiv, sidomos në ato bashki që janë fituar nga opozita.

Ndërsa Spiropali zbuloi që në fillim se janë shkarkuar 11 krerë të degëve të PS-së, ku disa prej tyre mbajnë edhe poste drejtorësh në Drejtoritë Rajonale, duke dhënë edhe arsyet e këtyre largimeve.

Erisa Spiropali, duke folur pas mbledhje së Kryesisë së PS-së

“Në mbledhjen e sotme të kryesisë u shkarkuan 11 kryetarë partie të Partisë Socialiste në territor. Janë vënë re vonesa të pajustifikueshme në riorganizimin e partisë. Në fushatën e anëtarësimeve dhe në degët lokale vihet re një shkëputje nga disa territore, drejtuesve politike iu është kërkuar të rrisin prezencën në terren dhe në qarqet që ata mbulojnë politikisht sidomos në Bashkitë që drejtohen nga opozita ku shihet një degradim i madh marrëdhënies së pushtetit lokal me qytetarët. Ne nuk kemi opozitë dhe nuk mund të presim lindjen e opozitës që të vëmë gishtin në plagët e qeverisjes lokale, qoftë edhe qendrore aty ku ka nevojë për ndërhyrje. Është e rëndësishme që paralelisht me qeverisjen e vendit të punohet edhe në familjen tonë të madhe politike në territor”, deklaroi Spiropali.

Gazeta SI ka mësuar se emrat e propozuar për t'u shkarkuar nga krerë lokalë të PS-së. Ata janë Arvit Osja i Shkodrës; Gëzim Salla – Cërrik;  Afrim Mikli i Dibrës;  Agron Ivani i Kurbinit; Edvin Tuci i Përmetit; Nertil Bellaj i Selenicës;  Erold Begolli i Devollit; Rajmonda  Harizaj e Memaliajt; Abedin Katana  i Tropojës; Elton Arbana  i Shijakut dhe Arjan Çepele i Urës Vajgurore.

Largimi i Silajt është për bashkinë e Delvinës, ku kryebashkiak është përfaqësuesi i LSI-së, Rigels Balili, i cili ka lidhje farefisnore me shumë të kërkuarin Klemend Balili. Ndërsa në disa bashki të tjera si në Cërrik dhe Memaliaj kryebashkiakë janë përfaqësues të PD-së.

Por emrat e tjerë nuk u bënë publik, edhe pse përflitet se nuk janë shkarkuar, por do të ketë paralajmërime për largime si drejtues, duke i ftuar që të reflektojnë për punën e tyre.  Më pas reagoi edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, i cili theksoi se këto janë çështje organizimi dhe të brendshme.  “Kryesia e PS mblidhet çdo javë, analizon punën në territor në çdo nivel. Janë çështje të brendshme të organizimit tonë”, tha Balla.

Përgjegjësia te emërimet, e deputetëve

Arrestimet e fundit në grupin e drogës së bandës së Shijakut, ku kanë nxjerrë përgjimet për ish-deputetin e PS-së, Arben Ndoka, si dhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko ka nxjerrë në skenë edhe përfshirjen e disa zyrtarëve të tjerë, familjarë të Ndokës si në prefekturën e Lezhës, apo dhe përgjimet që lidhen me grupet e tjera si Bajret e Shkodrës, kanë detyruar Ramën të mbledhë Kryesinë.

Në lidhje me emërimet e drejtorëve rajonalë, mësohet se Rama i ka deklaruar deputetëve të zonës se do ta kenë ata përgjegjësinë politike nëse ata janë të përfshirë në akuzat për korrupsion apo siç i ka cilësuar ai “këta legena drejtorë që me keqmenaxhimin dhe korrupsionin e tyre i kanë nxirë fytyrën socialistëve”. Këtu nuk përjashtohen as drejtuesit politik të qarqeve që i kanë propozuar zytarët lokalë në këto poste. Ndërsa emërimet e reja në shkallë rrethi mësohet se do t’i nënshtrohet filtrit të zgjedhjes, duke kaluar edhe nëpërmjet sekretariatit të Burimeve Njerëzore në PS.

Sipas burimeve, Lezha dhe Shkodra kanë qenë pjesë e diskutimeve në mbledhjen e Kryesisë e PS-së, qytete këto që janë tronditur nga krimet dhe nga arrestimet e bandave të krimit të organizuar kohëve të fundit.

Shumë shpejt pritet që të mblidhet edhe grupi parlamentar i PS-së, ku Rama do të dëgjojë edhe vërejtjet e deputetëve për drejtorët rajonalë dhe drejtuesit politik të qarqeve.

Drejtuesit politikë të PS-së në 12 qarqe janë Blerina Gjylameti për Tiranën; Ilir Beqja për Kukësin; Ditmir Bushati për Shkodrën; Olta Xhaçka për Dibrën; Lindita Nikolla për Lezhën; Vangjush Dako për Durrësin; Blendi Klosi për Beratin; Damian Gjiknuri për Vlorën dhe Bledi Çuçi për  Gjirokastrën.

Krerët e PS të propozuar për shkarkim

1.         Arvit Osja – Shkodër

2.         Gëzim Salla – Cërrik

3.         Afrim Mikli – Dibër

4.         Agron Ivani – Kurbin

5.         Edvin Tuci – Përmet

6.         Nertil Bellaj – Selenicë

7.         Erold Begolli – Devoll

8.         Rajmonda  Harizaj – Memaliaj

9.         Abedin Katana – Tropojë

10.       Elton Arbana – Shijak

11.       Arjan Çepele – Ura Vajgurore


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë