Politike

Legalizimet dështuan! Rama çon me urgjencë ligjet për ‘Kadastrën’

Në kulmin e protestave të banorëve që preken nga prishjet te zona e Unazës së Re, pranë “Astirit”, qeveria ka dërguar me urgjencë për miratim projektligjet për procesin e legalizimeve dhe të krijimit të Agjencisë së Kadastrës së re.
Dy projektligjet “Për Kadastrën” dhe “Përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” janë depozituar pikërisht më 22 nëntor në Parlament, edhe pse më parë nuk ishte njoftuar se në mbledhjet e Qeverisë ishin miratuar.
Madje as në faqen zyrtare të Kryeministrisë nuk janë publikuar, duke lënë enigmë kohën se kur janë miratuar të dy këto projektligje. Ndërkohë që të dyja draftet ishin hedhur për konsultime publike nga Ministria e Drejtësisë më datën 31 tetor, përpara tre javësh. Por lajmi u mësua  vetëm pasi Parlamenti i ka publikuar në faqen zyrtare.

Legalizimet proces i dështuar

Në relacionin e këtij projektligji që synon procesin e reformës në pronësi, dalin në pah dobësitë e institucioneve të tilla si ALUIZNI dhe Hipoteka, ndaj dhe është kërkuar shkrirja. Pavarësisht e kryeministri Edi Rama mburret me çështjen e legalizimeve, në tabelën shoqëruese shifrat flasin për një numër të lartë objektesh të palegalizuara. Në total nga 227 mijë objekte janë legalizuar deri më tani 150 mijë objekte.

Ndër të tjera, puna e institucioneve aktuale është karakterizuar nga bashkëpunimi i dobët, ose herëpashere edhe inekzistent. Kjo ka bërë të pamundur çdo tentativë për rregullimin në thelb të çështjeve të pronësisë, sepse strukturat e lartpërmendura, në vend që t’i trajtonin detyrat e tyre si pjesë të një mekanizmi të vetëm (i cili nuk do të funksionojë asnjëherë siç duhet pa kohezion), janë izoluar në kompetencat respektive. Ajo që e bën akoma më të prekshëm dështimin e deritanishëm është fakti se shteti shqiptar shpesh e ka të vështirë të paraqesë edhe statistika/raporte të sakta mbi ecurinë dhe punën e kryer deri më sot në secilin proces. Për disa aspekte të këtyre veprimtarive përdoren të dhëna të përafërta apo të hamendësuara.

“Në përmbledhje të sa më sipër, mund të themi se nuk do të arrihet asnjëherë rezultat në trajtimin e pronës së paluajtshme, nëse do të vijohet me kryerjen e secilit proces në mënyrë të ndarë nga njëri-tjetri. Veprimtaria e këtyre proceseve duhet koordinuar dhe zbatuar në mënyrë të njëkohshme/sistematike në territor. Projektligji në fjalë konkretizon idenë e mësipërme, duke parashikuar zbatimin e të gjitha proceseve nga një agjenci e vetme (që do të përthithë kompetencat e atyre ekzistuese). Përtej aspektit strukturor, projektligji përbën një tentativë për të reformuar në aspektin material kuadrin ligjor që rregullon secilin proces. Në këtë kuptim, në projektligj janë parashikuar normat, kriteret dhe procedurat që gjykohen të nevojshme për të tejkaluar problemet e evidentuara deri më sot në secilin proces transitor”, thuhet në relacion.
Ndërsa qeveria parashikon ta mbyllë këtë proces brenda një afati 10-vjeçar.

Faksimile e projektligjit

“Efekti që pritet të sjellë projektligji është konsolidimi i marrëdhënieve të pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme dhe arritja e sigurisë juridike në këto marrëdhënie, në një afat 10-vjeçar (që mendohet se do të jetë koha e nevojshme për të përfunduar procedurat e parashikuara në projektligj)”, thuhet në relacionin e p/ligjit. 

Në nenin 15 të draftit përcaktohen kriteret dhe kushtet kur përjashtohen nga procesi i ndërtesave informale për legalizim. “ASHK-ja kryen procedurat e kualifikimit për legalizim të ndërtimeve pa leje duke u bazuar në kriteret e moscenimit të: veprave kryesore të infrastrukturës publike; akseve rrugore kombëtare; territorit apo funksionalitetit të ndërtesave publike; integritetit të monumenteve të kulturës; territoreve të destinuara për investime strategjike, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”; vijës bregdetare, në kuptim të interesit publik në zhvillimin e turizmit. Ndërtimet pa leje, që cenojnë kriteret e mësipërme, përjashtohen nga legalizimi”, thuhet në nenin 15.

1 mijë mbivendosje në titujt e pronësisë për faj të shtetit

Në relacionin shpjegues, Qeveria bën të ditur se nisur nga raportimet e Hipotekave në gjithë vendin, janë rreth 1000 pasuritë për të cilat zyrat vendore të regjistrimit kanë evidentuar mbivendosje reale (të titujve), deri më sot. Numri total i tyre pritet të jetë më i lartë, pasi shifra në fjalë i përket vetëm evidentimeve të deritanishme, ndërkohë që mbetet një pjesë e territorit të vendit ku nuk është kryer ende regjistrimi fillestar i pasurive.

“Në këto kushte, duke marrë parasysh faktin se fenomeni nuk është sporadik, justifikohet trajtimi i tij me një rregullim ligjor të posaçëm, si dhe ndërmarrja e rolit aktiv të Agjencisë, e cila do të veprojë në funksion të realizimit të interesit publik, që konsiston në rregullimin e marrëdhënieve juridike të pronësisë dhe konsolidimin e regjistrit publik të pasurive të paluajtshme. Kujtojmë, gjithashtu, se problemi i mbivendosjeve është shkaktuar nga organet shtetërore (veprimet e paligjshme të tyre apo moskoordinimi mes këtyre organeve), të cilët, në zanafillë, kanë qenë krijuesit e të gjithë titujve të pronësisë private të dhënë pas vitit 1991. Në këtë kuptim, është logjike që vetë shteti shqiptar, nëpërmjet një institucioni të autorizuar me ligj (ASHK), të investohet për të ndrequr gabimet e shkaktuara prej tij”, thuhet në relacion.   

Për trajtimin e këtyre të fundit propozohet që të aplikohet një zgjidhje me ligj, duke ndjekur në mënyrë sistematike disa rregulla të parashikuara në pikën 2, të nenit 37, të projektligjit, të cilat parashikojnë, si më poshtë: a) Kur pasuria e paluajtshme tokë, objekt i mbivendosjes, është zënë nga ndërtim, mbizotëron titulli i pronësisë që i përket pronarit të ndërtimit; b) Kur rregulli sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, nuk gjen zbatim, apo është i pamjaftueshëm për të zgjidhur mbivendosjen, mbizotëron titulli i pronësisë që vjen si rezultat i veprimit juridiko-civil të kalimit të së drejtës së pronësisë nga mbajtësi i parë i titullit të pronësisë private, tek ai aktual; c) Kur nuk gjejnë zbatim rregullat sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, apo kur ato janë të pamjaftueshme për të zgjidhur mbivendosjen, zbatohet parimi “i pari në kohë, i pari në të drejta” dhe mbizotëron titulli që ka origjinën më të hershme. 

Në kuptim të këtij neni, origjina e titullit përcaktohet nga momenti i krijimit të tij, jo nga ai i regjistrimit në regjistrin publik. Agjencia (ASHK) do të marrë rol aktiv në trajtimin ligjor të këtyre situatave, duke kryer vlerësimin e situatës në raport me kriteret e mësipërme dhe duke i kërkuar gjykatës që të vendosë mbi çështjen në përputhje me to.

Kadastra e Re, shpëton Agjencia e Pronave

Në variantin e parë të hedhur për konsultim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në draftin për krijimin e Agjencisë së Kadastrës shkriheshin 4 institucione Agjencia e Trajtimit të Pronës, ALUIZNI, Hipoteka dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP). Ndërsa me draftin final të qeverisë është hequr dorë nga shkrirja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Tre institucionet e tjera do të jenë në një të vetëm, pjesë e Kadastrës së re.
Sipas relacionit të p/ligjit Agjencia Shtetërore e Kadastrës, si institucioni ligjzbatues për të gjitha procedurat e parashikuara në projektligj, do të kërkojë përfshirjen në një institucion vetëm të kompetencave të institucioneve që veprojnë në fushën e pronësisë, konkretisht, Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP), Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/ Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP).


P/ligji për Kadastrën

Agjencia do tëfunksionojë si një institucion me vetëfinancim. Kjo sepse të trejainstitucionet që do të mblidhen nën një çati të vetme, deri tani kanë dalë mehumbje; rreth 600 milionë lekë çdo vit. Agjencia e Kadastrës që do të jetë nëvarësi të Kryeministrit, do të funksionojë mbi bazën e një bordi dhe do të hyjënë fuqi më 31 janar 2019.

 

Më Shumë