Editorial

Le t’i kthejmë shkollat në edukatorë të higjienës, edhe përtej Covid-19

Nëse ke qenë nxënës  i fillim viteve ’90 apo edhe më herët, gjatë regjimit komunist, e hëna nuk ishte vetëm ajo dita e tmerrshme  kur nuk të kishte dalë ende përtacia e fundjavës dhe tek rreshti i klasës tënde, para se zilja e orës tetë të mëngjesit të të tringëllinte  forta deri në  qelizë të trurit, të të kapte ankthi i paraqitjes së detyrave të shtëpisë apo probabiliteti i ngritjes në mësim...

E hëna ishte dita, ku përparësja e zezë dhe grykorja e bardhë të shkëlqenin të lara e të hekurosura, ku mësuesja kalonte pa anashkaluar qoftë edhe një bankë, për të kontrolluar thonjtë e prerë bukur e thellë, aty ku keratina e tyre bëhej njësh me mishin dhe n’anë duhet të ishte edhe shamia e duarve.

Mësuesja kujdestare nuk përtonte të kontrollonte edhe veshët e ndonjëherë edhe flokët për parazitë. (Për të mos thënë se me anë të atyre kartonëve të vegjël që e ndanin fjalën në rrokje e pas rrokjezimit do të duhej ta bashkoje, mund të zbuloje qysh herët disleksinë, por kjo është temë tjetër).  

Sot, uniformat – jo në të gjitha, por në shumicën  e shkollave publike – janë zëvendësuar me veshjet e modës së fundit dhe shamitë në xhep, ua kanë lënë vendin celularëve apo tabletëve “inteligjentë”. Jo se higjiena është zëvendësuar me teknologjinë, por para goditjes nga pandemia globale e shkaktuar nga koronavirusi,  do të tingëllonte qesharake gjithë ajo përpjekje botërore për të nxitur larjen sa më të shpeshtë të duarve dhe madje të realizoheshin mijëra e mijëra video edhe mënyra apo kohëzgjatja e larjes së duarve.

Fëmijët që shpesh harrohen mes prekjes së librave, celularëve, lodrave apo fytyrës e mbase ndonjë zhgërryerje në dhè, u bënë të vetëdijshëm mbi rëndësinë që kishte një gjest i thjeshtë si larja e duarve në parandalimin e një virusi me pasoja deri fatale për jetët, e që kishte nisur me shpejtësi marramendëse t’i kthente në statistika numrin e atyre që humbnin betejën me të.

Një pesëvjeçar- që përpara pandemisë mund edhe të gënjente se i kishte larë duart pasi kishte luajtur apo i quante të pastra vetëm se i kishte shkuar një curril ujë nga rubineti – nisi t’i fërkojë mirë me sapun, duke numëruar deri në njëzet, nga këshillat e edukatores, bashkuar me mesazhet sensibilizuese në televizion, që theksonin rëndësinë e 20 sekondëshit. Nëse më parë ishte e pakonceptueshme një fëmije në moshë kopshti t'i vije një maskë në gojët e vogla që lëshojnë qindra pyetje kureshtare në minutë, sot i sheh me to në markete apo urbanë.

Pas një periudhe të gjatë frike, pasigurie por edhe topitje mes mësimeve online – ofertë pedagogjike e implementuar aty për aty, që la shumë prindër e fëmijë të pakënaqur -, nxënësit do t’u kthehen shkollave, që tashmë siç e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, por edhe vetë Kryeministri janë të përgatitur me protokolle për masat anti-covid, që nga numri më i vogël i nxënësve në shkolla që do të detyrohen të mësojnë me turne, tek maskat dhe lëndët dezinfektuese.

Por më shumë se të vërë në jetë në mënyrë autoriteteve rregullat e distancimit social dhe ato të higjienës, shkollat duhet të kthehen në edukues të vërtetë për të shpërndarë informacion – marrë nga rrugë zyrtare të institucioneve përkatëse si OBSh apo IShP – për t’ua divulguar sipas kapacitetit përthithës të moshës së nxënësve se çfarë është koronavirusi, nga ka ardhur, si përhapet, sa  fatal është nëse nuk respektohen masat  parandaluese.

Po ashtu shkolla mund të shndërrohet në një edukator të vërtetë, duke u kthyer tek masat bazike të higjienës, sesi larja e duarve me ujë e sapun vret mikrobet dhe viruset, sesi spërklat e teshtimës mund të fluturojnë në ajër për të infektuar të tjerët, sesi sekrecionet e hundëve dhe të gojës duhen hedhur në banjë apo në një shami prej letre.

Përsërtitja thonë se është mëma e dijes dhe nëse në shkolla ndiqet një rutinë e përhershme, e ngjashme me apelin në fillim të orës së mësimit, nxënësit do të jenë më të informuar dhe nuk do të ngarendin të shpenguar me të dalë nga klasat, në grumbullime me shokë e shoqe në hapësirat para godinave të pallateve, duke luajtur pa respektuar asnjë distancim fizik apo masë higjiene.

Nëse shkolla kthehet në edukator, respektimi i rregullave që mund të sillte parandalim të njëmendtë të infektimit të virusit – por edhe viruseve të tjera që do të nisin të qarkullojnë me stinën e ftohtë siç është gripi i zakonshëm.

Kjo mund të arrihet  me shembuj konkretë. Një eksperiment i thjeshtë i një shkolle fillore në Shtetet e Bashkuara, dhjetorin e vitit të kaluar demonstronte konkretisht sesa e rëndësishme ishte larja e duarve.

Mësuesja Dayna Robertson  tregoi në rrjetet sociale se nevojiteshin vetëm disa rriska buke.Bashkë me një specialist të sjelljes, mësuesja ndërmori një aktivitet klasik në klasë me nxënësit e saj:  ata i vunë fëmijët me nivele të ndryshme të pastërtisë së duarve, të preknin një fetë buke të bardhë, nga e njëjta bukë e blerë po atë ditë. Më pas i mbyllën fetat në qese plastike të veçanta për të parë se ç’do të ndodhte një muaj më pas.

Fetat e bukës të prekura me duar që më parë kishin luajtur në tabletë dhe ato të palara ishin të mbuluara me shumë myk, që vinte nga kontaminuesit mikrobikë dhe po ashtu feta e bukës e prekur me duar të higjienizuara me dezinfektant, ishte shembull se higjienizuesi nuk është zëvendësues i larjes së mirë të duarve.

Fetat e bukës që nuk paraqisnin kultura myku ishin ajo e paprekura dhe ajo e prekura me duar të lara në ujë të ngrohtë dhe sapun. Më shumë se t’u flasësh teorikisht, fëmijët kanë nevojë të shohin konkretisht – pse jo edhe të marrin pjesë në eksperimente – që e vërtetojnë atë që mësuesit u thonë.

Përtej mësimdhënies dhe mësimnxënies në matematikë, gjuhë, letërsi, shkenca fizike e kimike, në këto kohë sfiduese shkollat duhet të kthehen edukatorë të rregullave më bazike të higjienës dhe sjelljes ndaj papastërtive dhe t’i bëjnë fëmijët syçelë për të dalluar dëmet kolosale që sjellin mikroorganizmat që nuk shihen me sy, bakteret apo viruset.

Fëmijët e sotëm, si qytetarë globalë, janë agjentët e fuqishëm të ndryshimi për breza të ardhshëm kujdestarësh, shkencëtarësh e mjekësh. Kjo krizë mund të paraqesë mundësinë për t’i ndihmuar ta të mësojnë dhe të rritin qëndrueshmërinë ndërsa do të ndërtojnë një komunitet më të sigurt dhe të përkujdesshëm. Dhe kjo nis nga gjërat  e thjeshta, në dukje të vogla por me rëndësi edhe jetëshpëtuese.../S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë