Futboll

Lazio, Inzaghi kunj Tares: Më kanë premtuar përforcime për një sezon të madh

Në ditën e fundit të grumbullimit, Simone Inzaghi ka bërë vlerësimin e situatës në kampin e Lazios. “Kemi punuar ca me distancat, djemtë janë treguar të aftë – ka shpjeguar tekniku -. Ditët e para ishim të plotë, pastaj humbëm shtatë lojtarë, të grumbulluar me ekipet kombëtare. Jam i kënaqur me atë që më kanë dhënë”. “Duhet të mësojmë nga viti i kaluar – shtoi ai -. E dimë që do të jetë një sezon i vështirë. Më janë premtuar disa blerje në mënyrë që të jetë një sezon fantastik”.

“Fares, Muriqi e pastaj? Po flasim me drejtuesit – ka thënë Inzaghi duke folur për emrat që Lazio është e interesuar -. Dy emrat e parë janë profile që na interesojnë, pastaj është merkato. Ne duke parë gjithë të tjerët që kanë nisur të lëvizin në një drejtim, do të jemi gati të bëjmë pjesën tonë”.

“Strakosha e Reina janë dy portierë të mëdhenj – ka shtuar tekniku duke folur për hierarkitë mes shtyllave -. Strakosha po ecën mirë e kërkon të përmirësohet gjithnjë. Ka fatin të stërvitet nga Grigioni e Zappalà. Reina ishte kërkesë e imja bashkë me klubin – vazhdoi Inzaghi -. Ashtu si kam kërkuar përforcime në pozicione të tjera, kërkova edhe në portë, sepse duhet të jemi gati në çdo repart”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë