Bota

Las Vegas, profesori hap zjarr në kampusin universitar dhe vret tre persona

Gazeta Si - Tre persona kanë mbetur të vdekur nga të shtënat në kampusin e Universitetit të Nevadës në Las Vegas, SHBA.

Policia lokale ka sqaruar se vrasësi, një profesor në universitet, ka vdekur pas shkëmbimit me armë zjarri me agjentët.

Autoritetet folën edhe për disa të plagosur, ndonëse ende nuk dihet numri dhe gjendja e tyre. Njëri prej tyre është një i plagosur rëndë, i shtruar në spital në gjendje kritike, por të qëndrueshme, raportojnë mediat amerikane.

Alarmi në universitet ra rreth orës 11:30 me orën lokale, 20:30 në Europë, në sallën e fakultetit të ekonomisë.

Universiteti postoi një mesazh, duke u kërkuar studentëve të evakuonin zonën, në të njëjtën kohë policia njoftoi në një postim në “X” se ata po i përgjigjeshin një njoftimi për "të shtëna në kampus" dhe se kishte "shumë njerëz të prekur".

Pas rreth gjysmë ore, policia njoftoi se "i dyshuari ishte identifikuar dhe kishte vdekur": ai u vra jashtë ndërtesës nga dy oficerë.

Personi që kreu të shtënat u identifikua më vonë nga hetuesit: ai ishte një profesor që ishte përpjekur të punësohej nga universiteti, por ishte refuzuar. Burri kishte punuar më parë në Universitetin e Karolinës Lindore në Karolinën e Veriut.

Të shtënat ndodhën jo shumë larg vendit të masakrës në Las Vegas, ku në vitin 2017, Stephen Paddock, 64 vjeç, qëlloi rastësisht mbi turmën me 23 armë zjarri të ndryshme, duke përfshirë disa pushkë sulmi, nga dritarja e dhomës së tij në hotelin “Mandalay”, ku vrau 61 persona dhe la 850 të plagosur.

Në vitin që po mbyllet, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të të shtënave masive në një vit që nga 2006-a.

Me tre të fundit, dy që ndodhën gjatë fundjavës, në total numri ka arritur në 38, duke tejkaluar kulmin e mëparshëm prej 36 të regjistruar në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë