Libra

Largimi nga rrënja është dëshpërues në Shqipëri…

Nga Sabina Veizaj - Ajo i këndon rrënjës dhe besimit. Besimin e sheh si rrënjë që duhet ujitur për të pasur vazhdimësinë. Sepse siç thotë Elona, asgjë nuk ndërtohet pa besimin.
Elona Çuliq është një poete e re nga Shkodra. Ajo është autore e dy librave me poezi: “Patitullni”, Bilengual Verlag, Vjenë 2015-të dhe “Rranjës e kangës”, Fiorentia, Shkodër, 2018-të me mbështetje të Fondit për autorët e rinj nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.


Krahas pjesëmarrjes në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare për letërsinë, në vitin 2017-të prezantohet me një performancë duo në poezi dhe dance në Bienalen e Artistëve të Mesdheut, mbajtur në Tiranë.

“Rrënjët e këngës” është një produkt krejt shkodran; nga shtëpia botuese “Fiorentia” në Shkodër, me redaktore Entela Tabaku (poete shkodrane) dhe me ballinë të Jetmir Troshanit.
Gjithashtu për dy vite ka qenë autore e ftuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë për t'u prezantuar në Panairin e librit në Lajpzig në vitin 2017-të dhe në Sallonin e Librit në Torino në vitin 2018.

Gjatë periudhës 2017-2018 Elona ka qenë autore e ftuar në programin letrar Artisti në Rezidencë, mbështetur nga rrjeti Traduki, në Rezidencën Letrare në Prishtinë, pranë Qendrës Multimedia dhe në Rezidencën Letrare në Austri pranë Kultur Kontakt Austria.

Të hënën në mbrëmje, Elona ka promovuar librin e saj “Rranjës e kangës” në Tiranë në mjediset e restorantit “A la santé” në muret e të cilit qëndron varur pikturat e Arben Theodhosit, bashkëudhëtar i ngjyrave dhe tingujve të komunikimit të mbrëmjes së djeshme.

Elona Çuliq gjatë leximit të poezive të saj


Gjatë bisedës me miq duke gjerbur verën, regjisori Arben Malaj do të thoshte se “mbrëmja ishte ndërtuar mbi një kimi të natyrshme mes dy artistëve, “produketet” e të cilëve ishin kompelmentarë të njëri-tjetrit. Teksa ajo që krijon Elona tingëllon gri, kur natyra e saj është shumë solare, piktori Theodhosi përpiqet me ngjyrat e tij të zbusë këtë realitet që është ose bardhë ose zi, duke ngjyer penelat në “qypin me ujë” ku formohet një ylber”.


Elona vetë e sheh pozinë e saj si det me rrënjët në mal.

Ajo është e lidhur shumë me rrënjën dhe tronditet tepër teksa sheh se shqiptarët i janë larguar shumë rrënjës. Tek thotë këtë, ka parasysh fenomenet negative që po trondisin rrënjët; vrasjet e grave, trafiqet, emigrimin në masë sepse vendi po bëhet gjithmonë e më i pajetueshëm.

Elona aktualisht jeton dhe punon në Prishtinë dhe e kupton disi emigracionin, por në trajta më të lehta dhe në një dimension që asaj po i shërben të kuptojë më qartë marrëdhënien me rrënjën dhe mungesën e mallin për të.

Biseda me Elonën ishte poezi dhe filozofi sëbashku, qartësi dhe një tis i lehtë trishtimi, por siç thotë ajo, ne jemi shumë ne në poezi sepse poezia është njerëzit që takojmë dhe gjithë ç’përjetojmë e ndiejmë.

Ajo e sheh veten të rritur nga ana letrare dhe artistike pasi e kthen kokën pas gati 10 vite të shkruara kur iu çel dritarja e parë e botimit të atyre poezive fëmijërore e navive, siç i quan ajo, por që e bënë të komunikonte me botën.

Elona kërkon të eksplorojë me zhanret e letërsisë, jo sepse nuk i mjafton poezia, por sepse është natyrë krijuese dhe kërkon të sfidojë veten.

Elona është një vajzë dhe artiste e guximshme që gërmon fort në vete dhe kudo shkon…
Ne mbrëmë gërmuam tek idetë e njëri-tjetrit dhe tavolina jonë që qëndroi zgjuar deri gati në mesnatë, përjetoi shije të shumë rrënjëve sëbashku… Ato u përzien dhe krijuan “trupëza” të rinj për tu transportuar ndoshta në poezi të radhës…
“Kjo është poezia” - thotë Lona, “eksplorim, reflektim, biseda me të tjerët, me veten, për veten”…

Pse rranjës e kangës?

Shumë interesante sepse, kam një problem shumë të madh me titujt. Jo sepse nuk i jap një titull poezisë për tu identifikuar, por për ta titulluar një gjendje reale të përjetimit kur shkruaj poezinë. Nuk ka asnjë titull të poezive në libër. Mbasi kam mbaruar së shkruari, ose më mirë së përmbledhuri poezitë, ajo që jam përpjekur të bëj, ka qenë identifikimi i fjalëve që kam përdorur më shumë. Kujt i kam kënduar më shumë. Kam identifikuar që është rrënja. Rranja dhe kanga. Kënga e të kënduarit. Ne themi shkrim e këndim. Të kënduarit jo vetëm si këngë, por të rrëfyerit të përjetimit.

Sa e lidhur je me rrënjën?

Me natyrën shumë

Jo thjesht dhe vetëm me natyrën, por në të gjithë kuptimet e saj…

Me rrënjën si natyrë, në natyrë; rrënjën e lules, së pemës jam shumë. Me rrënjën familjare, kam qenë gjithmonë jashtë konturit që mundohet familja për ta diktuar. Ka qenë ndoshta një moment si të gjithë kur je fëmijë që detyrimisht duhet të qëndrosh me familjen, mandej ti e kupton që në rritje je më shumë si në kontur, traditë. Kjo nuk do të thotë që tradita nuk më/na përfaqëson, por kjo do të thotë që duke eksploruar më shumë shumë veten, mundesh të kuptosh që je tradita dhe shumë më shumë se aq.

Rrënja për mua, pa diskutim që janë prndërit, ata e mandej unë. E pastaj gjithçka që është përtej të treve nesh.

Në këtë libër duket sikur i dedikohet dikujt, pasi libri nis me një dedikim me emër të përveçëm. Ka qenë libri tek ty përpara se të fitoje çmimin e Ministrisë së Kulturës, apo fitove çmimin dhe nise ti jepje fabulën librit?

Libri ka qenë. Poezitë kanë shumë kohë që kanë qenë. Janë një përmbledhje shumë e kuruar nga ana e Entelës që është redaktorja. Çmimi u bë sebep që libri doli.

Dedikimi; poezitë kanë qenë, por ka edhe poezi që i dedikohen dedikimit të librit. Pse ia kam dedikuar Mirit, sepse ai ka ardhur në një moment shumë përcaktues për mua, për momentin që unë kam qenë emocionalisht, mendërisht dhe si shpirtërisht. Ka qenë krejtësisht spontane, e natyrshme për tia dedikuar atij. Përtej çudisë që i ka ardhur edhe atij vetë kur e ka parë dhe e ka lexuar, asaj pritshmërisë që edhe unë nuk kam menduar tia dedikoj ndokujt me emër, që identifikohet… Sepse aty ka shumë njerëz brenda librit. Ka pafundësisht njerëz që më shoqërojnë në libër, por interesantja është sepse Miri është fillimi i fjalisë, por edhe pika, ajo që i përmbledh të gjitha.

Si është momenti frymëzues i Elonës? Specifikisht në këtë libër si kanë ardhur poezitë?
Vendos të krijosh apo vjen vetë moment? E them këtë sepse Elona është shumë solare/ e gjallë si natyrë, kurse poezitë janë me një tis gri.

E kam dëgjuar shpesh këtë koment; Elon ti je shumë solare, të të njohësh vetëm përmes poezive, na vjen në përfytyrim si një person gri, le të themi. Poezinë, nuk vendos unë ta krijoj. Nuk dua të flas përmes asaj klishesë; që na zbret nga lart. Por dihet që është diçka përtej asaj që ne vendosim për ta shkruar. Është breenda nesh, por mendoj që është një kombinim elementesh. Pra e ke, reflekton për atë që ti ke brenda vetes, asht, por vendimi tem unë është të ulem e ta shkruaj. Ose momenti që të ulem e të gjej fjalën, mendimin se sit a shkruaj atë. Por patjetër, nëse nuk ka një punë, një kultivim të vetë mendimit, të ndjesive, të ndjenjës brenda meje, nuk ka as poezi. Pavarësisht se ajo është aty, nëse ti nuk punon me atë që ke, ajo ka për të shterur. Është shumë intersenate, sepse idea që kam poezi brenda vetes, më bën ta kërkoj dhe ta shkruaj. Jo për ta nxjerrë me qëllim për ta shkruar detyrimisht sepse duhet se s’bën të shkruash diçka. Por ta kërkoj ta shkruaj koncentratin e gjendjes.

Është në një kuptim si “gjimnastikë” që ti e ushtron? Ka edhe periudha boshe, kur nuk mundesh të shkruash?

Po. Janë më shumë ndoshta se periudha e të shkruarit. Sepse periudhën boshe unë për vete e quaj si një periudhë akumulimi. Unë jam me sy, me ndjenjë, me shpirt, me veshë duke marrë. Me mendje jam duke mbledhur. E më në fund vjen një moment ku disa faktorë e përcaktojnë të shkruarit e poezisë.

Çfarë të prek; çfarë të shqetëson në mënyrë të natyrshme?

Besimi, jo si besim në lidhje vetëm me fenë. Por besimi si bosht ku rrtoullohet qenia jonë. Besimi si rrënjë, që na duhet ta ujisim dhe ne të lulëzojmë. Besimi më pëlqen, është një nga temat për të cilën e di që kam akoma për të punuar më shumë me veten, për ta kuptuar më shumë e për të shkruar.

Nëse “Rranjës e kangës” do t’ishte libër i dikujt tjetër dhe Elona do ta lexonte, çfarë do të kuptonte?

Do të kuptoja që ai person që i ka shkruar ato poezi është një person që realisht është duke folur me veten. Një person që po flet me veten, pomendon me veten, po mendon për veten dhe është mirë. Ndonjëherë në jetën dinamike, në prditshmëri ne harrojmë të flasim me veten dhe harrojmë të ulemi e të mendojmë për veten. Pavarësisht se jam një person shumë i shoqërueshëm dhe kam shoqëri, përherë më ka pëlqyer gjithmonë të qëndroj vetëm.
Duke më pëlqyer të qëndroj vetëm, ose më ka përcaktuar jeta të qëndroj vetëm, unë kam ditur ta përdor vetminë. Pyes: mirë jam vetëm, por çfarë po bëj me këtë vetmi? Po mendoj për Elonën. Po mendoj me Elonën.

Çfarë risie ka sjellë ky libër në raport me librin e parë? Çfarë të re ke sjellë nga ana artistike dhe nga ana kuptimore?

Është shumë interesante. Me librin e parë e lidh fakti që janë të dy produkte të një konkursi. I pari në Austri, i dyti në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri.
Në aspektin e produktit, ka një vazhdimësi; diçka që po lulëzon, zogj që ulen në pemë, ka njerëz që u marrin luleve erë. Është gjithë ky komunikim i natyrës, i rrënjës, i njeriut me veteveten.

Nuk dua tia bëj qejfin vetes, por realisht jam rritur shumë nga libri i parë i 2015-ës. Përzgjedhja e poezive në atë kohë ka qenë e atyre të 2013-ës-2014-ës. Kam qenë si ata fëmijët në hapat e parë. Ndoshta në një komunikim më naiv me veten. Trek libri i dytë mendoj që produkti, edhe dora, edhe finesa e redaktores i ka dhënë të duhurën; fjalën në vendin e vetë, tingullin në vendin e vetë, presja aty ku duhet. Mendimi është i rafinuar. Them që jam rritur.

Elona një një eksperiencë disa vjeçare krijimi, por edhe angazhimi në festivale letrare, rezidenca (Prishtinë, Vjenë), konkurse, çmime. Si e sheh Elonën nga fillimi deri në këto moment të publikimit të librit të dytë?

Pyetje shumë e mirë, por më duhet të rikthehem në kohë. Unë nuk e mbaj mend vargun e parë kur e kam shkruar, por mbaj mend që në shkollën e mesme 2008-2009 ka ardhur një botim tek Alefi. Ishte një antologji letrare dhe unë jam botuar në numrin e fudnit të Alefit. Nuk është më si botim. Aty kanë qenë 3-4 poezi të miat, krejt fëmijërore, modeste që e kam kuptuar më vonë dritaren që më kanë hapur. Sepse më kanë hapur shumë dritare komunikimi me njerëz. Nga një moment që ti vendos natyrshëm të publikosh, pa e ditur se çfarë do të sjellë ky botim.

Në Elonën pas shumë viteve unë kam jetuar shumë Elona. Në çdo botim, në çdo pjesëmarrje festivalesh ka shumë Elona. Nuk jam njeri që ndryshoj, ajo jam, por them se kam shumë Elona sepse takoj shumë njerëz dhe mundohem të komunikoj e të marr nga ata. Për të qenë ata, në momentin që jam me ta.

Kjo më ka bërë që të përjetoj shumë, të mbledh shumë. Më ka bërë të kem një poezi që ndonjëherë më përket dhe nuk i përkas.

Dhe prandaj marr reagimin: ti je shumë solare, por pse shkruan trishtë? Sepse unë nuk jam gjithmonë ajo që jam, por jam ajo që takoj, që ndiej. Jam solare vërtet gjithë kohën, por kur ulem të reflektoj dhe mendoj fenomenet që ndodhin përreth meje; vritet gruaja, ikin, ikim, po ikin njerëzit e dashur të mi dhe vjen ai moment që reflekton je përtej asaj që qesh dhe them; paskam trishtim, jo për ta ngjyrosur qiellin me gri, por një trishtim për të thënë; tani çfarë duhet të bëj?!

Përmende emigrimin. Edhe ti je një nga ata njerëz që ke emigruar, pavarësisht se jo shumë larg (në Prishtinë). Cili është raporti yt me emigrimin; mental, emocional, duke marrë parasysh lidhjen tënde të ngushtë me Shkodrën?

Poezia qenka aty ku nuk e prêt. I zgjedh jeta kushtet dhe rrethanat që krijohen. Unë kam qenë shumë e lidhur me Shkodrën, jam. Por gjithashtu kam dashur gjithmonë të mos jem në Shkodër. Ti e do shumë, por do edhe të mos jesh për të kuptuar mallin. Të kuptosh veten larg atij raportit. Kur unë përmend Shkodrën, automatikisht më vjen përpara syve familja. Nuk është më Shkodra që më ndërmend njerëzit që janë atje. Janë njerëzit që ma ndërmendin Shkodrën. Nuk dua të bëj nostalgjiken, atë “romantiken” që thonë Shkodra, nuk mund të jetoj pa Shkodrën, kalaja, liqeni…

Ne mundemi të jetojmë pa qytetet. Sepse qyteti është një koncept gjeografik që ne mundemi ta sajojmë, ta gjejmë, ta krijojmë. Kudo mundesh ta gjesh e ta krijosh një hapësirë që ta kujton, identifikon e të bëhet një Shkodër e dytë.
Kurse familjen nuk e gjen dot përpos atje ku është, as nuk mundesh ta marrësh me vete në shpinë.

Gjëja më e bukur është që ti vendos të shkosh larg rrënjës familjare për të kuptuar marrëdhënien me të. Siç e the dhe ti unë nuk kam shkuar shumë larg, nuk jam ende tamam emigrante, ndoshta më vonë, po. Ndoshta kur distance të jetë edhe më e madhe, do ta kuptoj a janë vetëm njerëzit që ma ndërmendin Shkodrën, apo edhe Shkodra do të jetë kryefjalë e mandej njerëzit plotësues.

Si fenomen, emigracioni, të dhemb? Edhe si temë poetike…

Si temë poetike nuk po e flasim aq sa duhet. Sidomos në periudhën e fundit në Shkodër takoj miq që po përgatiten të ikë, duan të ikin ose miq që kanë ikur dhe vizitojnë Shkodrën.
Jemi në këtë vorbullën “me ik”. Sepse po na ha qyteti. Shkodra është duke i ngrënë njerëzit e vet. Është tronditur rrënja, ka një shpërfytyrim momentalisht të rrënjës.
Kronikat janë shumë të trishta, të zeza, duke iu referuar Shkodrës. Them që kjo nxit arsyen pse njerëzit poi kin. Mendoj që kemi akoma më punë. Duhet ta përpunojmë akoma më shumë këtë temë.

Rranjës e kangës është libri i 2018-ës me të cilin njerëzit vazhdojnë të komunikojnë. Për sa kohë mendon që do të absorbohet ky libër që të prodhosh e publikosh librin e radhës?

Poezitë e radhës do të jenë ato që kam shkruar në rezidencat ku kam marrë pjesë në Vjenë dhe Prishtinë. Do të sjell dy qytete krejtësisht të ndryshme. Do të sjell rrëfime krejtësisht të ndryshme. Nga Prishtina do të sjellë rrëfenja që vijnë nga kujtesat e ngjarjeve të dhimbshme të luftës, krijesa të brishta, të një tragjedie njerëzore. Kurse të Vjenës, një moment ët paqes dhe të njereiut tjetër, të sofistikuar, europian perëndimor. Do të vendos përballë dy realitete dhe dy përjetime të ndryshme të miat.

Nuk do të jenë në kohë të përafërta. Nuk më pëlqen termi urban. Nuk di çfarë do të thotë poezi urbane. Por do të jenë poezi më sociale, do të jetë trajtimi më social i një teme të caktuar. Nuk do të luaj shumë me simbolikën, por gjuha do të jetë e drejtpërdrejtë.
Vetë metafora do të jetë drejtpërdrejtësia.

Çfarë mendon për një poet që poezinë nuk e kanë të përditshmen e tyre. Nuk jetojnë me të dhe për të, por u duhet të punojnë për të mbijetuar?…

Jemi poet me kohë të pjeshshme do me thënë?! Unë mendoj që puna që bëjmë është me kohë të pjesshme. Sepse poezia është në natyrë, është brenda nesh. Është përjetim. Ne jemi gjithë kohën duke përjetuar, menduar, ndjerë, reflektuar. Pra, edhe kur jemi të pavetëdijshëm. Prandaj nuk e quaj poet me kohë të pjesshme.

Është ky poeti modern, apo është ky poeti?

Ky është poeti.

Si e shikon veten pas 10 viteve në raport me poezinë?

Nuk e di nëse do të shkruaj më poezi…

Të është mërzitur, apo …?

Mendoj që ndoshta do të shkoj drejt prozës, skicave të shkurtra…
Nuk them që nuk dua të shkruaj më poezi, por do të eksplororj edhe zhanre të tjera. Mendoj që pas kaq kohësh do të ndryshojë edhe qyteti ku do të jetoj. Dimensionalisht një qytet edhe më i madh. Kam për të takuar shumë. E di që ka ardhur momenti që të guxoj edhe me zhanre të tjera.

Poezinë e lidh me trashendentalen. Nuk ekziston derisa ne e materializojmë në fjalë, në libër. Është një rrugëtim me ne. Nuk i dihet sa është… Nuk është e përjetshme, është në kohë të ndryshme.

Çfarë/kush të frymëzon?

Nuk kam pasur modele, por shumë të preferuar. Ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme po, por kam dashur të identifikohem , të jem autentike.

Nuk i shpëton dot ngjashmërisë, kur dikush të lexon dhe të thotë më kujtove këtë, atë.
Nuk kam modele, por poetë shumë të dashur. Kam poetë që nuk janë më dhe që janë. Që nuk janë më, më shoqëron gjithmonë Frederik Rreshpja. Që janë më shoqëron Eriona Çoku, Belfjore Qose.

I lexon kolegët e rinj?

I lexoj patjetër, miqtë. Nëse ne nuk lexojmë njëri-tjetrin, mendoj që ne nuk e kuptojmë njëri-tjetrin. Duam nuk duam, jemi në mjedise të përbashkëta. Nëse vendosim të lexojmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin, që ndajmë të njëjtat hapësira dhe interesa, me domsodo duhet njohje.

Je në një mjedis relativisht të ri për ty; në Prishtinë. Merr pjesë shpesh në mbrëmjet e tyre?

Nuk marr pjesë aq sa do të doja pasi aktivitetet aty janë të shumta. Kosovarët janë më të drejtpërdrejtë. Janë rebelues. Sepse ata vijnë nga një kontekst lufte, të mbijetuarit. Aty detyrimisht u është dashur ta thonë mendimin. Për të thënë jo, për tu mbrojtur. I thonë gjërat shkoqur. Nuk kanë barriera gjuhësore, as të të shprehurit të mendimit. Ne jemi mësuar ti themi në mënyrë më të rafinuar, diplomatike. Të jemi politikisht korrekt, kjo na bën të elaborojmë një gjuhë më fine. Kurse ata më pëlqejnë me dretpërdrejtësinë e tyre dhe nuk ka nevojë për interpretim ajo që shprehin.

Pse shkruan në gegnisht?

Është gjuha e nënës.

Nuk ke frikë se nuk të kuptojnë të gjithë?

Jo.

Nuk do të arrish tek të gjithë që e duan poezinë dhe duan të të lexojnë, por e kanë të vështirë të kuptojnë gegnisht?

Unë besoj që ata që duan të kutpojnë, kuptojnë. Ne kemi poet të dashur, gjuhën e të cilëve nuk e kuptojmë. Poet spanjollë, për shembull. Përpiqemi ta kuptojmë përmes italishtes, e nëse përballemi me fjalë që nuk i kuptojmë i vendosim në Google ose gjejmë ndonjë mik që mund të na i përkthejë. Bëjmë përpjekje, për një gjuhë që nuk është e jona. Imagjino me një dialekt të gjuhës tënde që është edhe në tekst shkollor.

Mund të mos kuptojnë fjalë, apo neologjizma, por nuk mund të thonë që nuk kuptoj gjuhën. Lëvizja e njerëzve e ka bërë më të thjeshtë.

Çfarë kanë pëlqyer njerëzit tek “Rranjës e kangës” dhe çfarë nuk u ka mjaftuar?

Ajo që më pëlqen se njerëzit më kontaktojnë për gjërat që nuk kuptojnë. Kjo sjellë bisedë mandej, njohje më të thellë me lexuesin.

Pse ke vendosur që tia besosh librin një shtëpie botuese në Shkodër?

Sepse ka qenë rastësore. Kam aplikuar në ditën e fundit të konkursit dhe është moemnti të falenderoj Xhahit Bushatin, shkrimtar që bën një punë të palodhshme. E kam takuar atë ditë rastësisht dhe më ka pyetur nëse do të merrja pjesë në konkursin e Ministrisë së Kulturës. I thashë jo sepse duhej një kontratë me një shtëpi botuese dhe unë nuk kam kohë të shkoj në Tiranë. E më thotë që ke shtëpinë botuese në Shkodër. I them; e di, por nuk e njoh. S’e njeh ti, por e njoh unë, më thotë. Dhe shkuam sëbashku. Ishte rastësore, por ishte shumë e mirë. Nuk duhet të kesh përherë pikë referuese shtëpitë e mëdha. Mësova që duhet ti qasesh atyre që ke në shtëpi dhe unë e pata në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë