Politike

Largimi i Xhafajt, paralajmërimi që u dha veç arrestimeve

Fatmir Xhafaj një figurë e lartë politike në Partinë Socialiste dha dorëheqjen në kulmin e karrierë së tij si ministër i Brendshëm, pikërisht në momentin ku me operacionin e ndërmarrë “Forca e ligjit” u arrestuan nga policia anëtarët e bandat më të fuqishme të vendit që ishin përfshirë në trafiqet ndërkombëtare të drogës. Në rrjetën e këtij operacioni sipas policisë deri tani u kapën 300 persona e në mes të tyre dy deputetët ish-socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

Largimi i sotëm i Xhafajt duket si një rrufe në qiell të hapur, pasi që prej muajit maj të këtij viti opozita e kërkonte me ngulm këtë, pas publikimit të audiopërgjimit mes dëshmitarit X dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm. Në të flitej për trafikim të lëndëve narkotike në qytetin e Vlorës. Publikimi i këtij audiopërgjimi trazoi dukshëm politikën shqiptare, e cila nisi një betejë tjetër për largimin e Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm.

PD nga ana e saj kërkonte largimin e menjëhershëm, ndërsa kryeministri Edi Rama ndërmori betejën e re për ta mbrojtur ministrin Xhafaj. Akuzave të opozitës ai iu kundërgjgj se personalisht i kishte kërkuar partnerëve ndërkombëtare që të bënte ekspertizën dhe se rezultoi se audiopërgjimi i dalë nga selia e PD-së  ishte një montim.

Rama asaj kohe do të deklaronte se nëse Xhafaj do të ishte e implikuar do të reagonin ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së, duke shtuar më pas se ministri ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. Por, ambasadori i SHBA-së, Donald Lu reagoi duke i kërkuar kryeministri Edi Rama që të mos flasë në emër të tij. “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj”, do të deklaronte Lu më 12 maj.

Për 5 muaj më radhë opozita kërkonte në mënyrë permanente dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, duke e akuzuar në lidhje me audiopërgjimin me dëshmitarin “X” që rezultoi se ishte Albert Veliu i njohur me pseudonimin “Babalja”. Një tjetër akuzë e opozitës ishte fshehja e dënimit në Itali të Agron Xhafaj, si dhe ndryshimi i ligjit të Amnistisë nga ana e Xhafat si kryekomisioner i Ligjeve në favor të vëllait të tij.

Akuza këto që u rrëzuan nga ministri. “Duket e thjeshtë, por akoma unë nuk kam mundur të kuptoj se cili është problemi i personalitetit tim si njeri dhe si zyrtar në lidhje me çfarë bën, apo akoma më shumë se çfarë ka bërë para 15 vitesh im vëlla. Ndërkohë që nuk kam se si të kuptoj çfarë kërkohet sot tjetër përveç baltosjes sime, nëse në raport me këtë çështje as kam pasur e as kam asnjë lloj pushteti për të ndikuar në çfarëdolloj forme mbi të. Kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdo qoftë për këtë çështje”, do të deklaronte Xhafaj në konferencën e dhënë më 9 maj. Ndërsa Agron Xhafaj do të udhëtonte drejt Italisë për t’iu dorëzuar autoriteteve për kryerjen e dënimit të mbetur.

Ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet, duke thirrur veç dëshmitarët e videos “Babalja”, si dhe personat që kanë lidhje me cështjen si Fredi Alizoti, por edhe deputetin e PD-së, Ervin Salianji, personi që publikoi i pari audiopërgjimin, tashmë person nën hetim nga organi i Akuzës.

Dorëheqja si ministër 5 pas muajsh

Furtuna politike e audiopërgjimit duket se të bjerë,  pasi sot kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Twitter bëri të ditur vendimin për largimin e Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm dhe të zëvendësimit me këshilltarin e tij për Çështjen e Sigurisë, gjeneral Sandër Lleshin.

“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falenderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar.Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, shkruan Rama në Twitter, pa dhënë ndonjë shpjegim për largimin e tij.

https://twitter.com/ediramaal/status/1056069246457995265
Postimi i kryeministrit Edi Rama ne Twitter

Ndërsa në këtë mesazh të shkurtër, Rama shton se policia duhet të rrisë shpejtësinë duke dhënë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

Vetëm pas tre orësh pas publikimit të këtij lajmi do të vinte edhe reagimi i Xhafajt. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai falënderon kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë duke e caktuar si ministër të Brendshëm, duke shtuar se ky vendim ishte akt personal i tij.

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra. Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe. Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë. Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm”, deklaron Xhafaj.

Më pas Xhafaj do të shkonte rreth 12:00 për në ministrinë e Brendshme, për t’u takuar me stafin dhe bashkëpunëtorët e tij. “Hera e parë që vij me kaq shumë vonesë, pas në kafeje të këndshme me familjen, bashkëshorten dhe sigurisht dhe me mbesën. Jam shumë i buzëqeshur siç e shihni. Ky është takimi i dytë që bëj me ju, e ju falënderoj për bashkëpunimin”, tha Xhafaj përpara mikrofonave për median para se të ngjiste shkallët për herën e fundit në ministrinë e Brendshme.

Reagimet e opozitës

Partia Demokratike e cilësoi si në fitore të saj këtë largim, e finalizuar sipas demokratëve pas një beteje 5- mujore. Kreu i PD, Lulzim Basha shprehet se kjo betejë nuk do të ndalet nga ana e opozitës, duke shtuar se Xhafaj ishte i vetmi ministër i Brendshëm që kishte vëllanë si trafikant droge.

“Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të Brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën e opozitës për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të brendshëm në Europë me vëllain trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën e opozitës për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë”, shkruan Basha në Twitter.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1056087768848392192
Reagimi i kryedemokratit Basha per largimin e Xhafajt

Por ish-kryeministri Sali Berisha shprehet se kjo lëvizje e ndërmarrë nga ana e Ramës është një skemë për të zhvendosur vëmendjen nga çështja “Dako”, ku opozita kërkon arrestimin e tij për përgjimet në çështjen Avdyli, ku kryebashkiaku i Durrësit ka folur me anëtarët e bandës të Shijakut.

“Edvini, kreu i meduzës, mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës, shiti Xhafën për të shpëtuar Gjushin dhe lekuren e tij! Të dashur miq, pas një beteje të furishme, opozita shqiptare ia doli t’i japë një goditje të merituar familjes mafioze Xhafaj, Agron/Geroni në burg dhe aty e ka vendin Fatzi Xhafa, njeriu që futi në polici të gjitha metodat e punës të mafies së policisë sekrete hoxhiste për të mbrojtur lëkurën dhe karrigen e tij. Në një aspekt opozita ia doli. Por shtylla kryesore e botës së mafies, krimit të organizuar, korrupsionit, kreu i meduzës në Shqipëri ështe Edvin Kristaq Rama, i cili në një moment kritik për veten e tij sakrifikoi Xhafën për Gjushin dhe vendosi në krye të ministrisë një vasal të tij. Kakistokracia e Shqipërisë është në agoni. Asgjë, asnjë vasal as dhe paterice nuk shpëton Noriegën nga verdikti i afërt i revoltës popullore”, shkruan Berisha në Facebook.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Kryeministri të largohet dhe Prokuroria të hapë hetimin nga i cili ai nuk shpëton dot. Kryeministri, që ka kryer hetime paralele dhe për qëllime politike ka mashtruar botërisht për audiopërgjimin e vëllait të ish ministrit të Brendshem, sikur kishte kryer vetë një ekspertizë duhet të largohet menjëherë nga detyra për të mos penguar dhe hapur rrugë hetimit të plote, të një shpërdorimi pushteti të paprecedente në historinë e pluralizmit. Prokuroria i është fshehur detyrës dhe aq më e rëndë është që e ka shpërdoruar atë duke mbyllur hetimin ndaj kryeministrit të paditur. Ankimimi i bërë nga opozita është një shans i madh për prokurorinë për të treguar se ajo respekton ligjin dhe jo banditët me pushtet, si dhe qe nuk është pale në një manipulim shtetëror të përmasave shumë të mëdha”, reagoi Vasili.

Fati politik i Xhafajt

“Prisni të reja, qëndroni pranë Ardit dhe Gentit (zëdhënësat e Ministrisë), sepse kur ka bashkëpunim ka dhe rezultate”. Kështu do të deklaronte Xhafaj një javë më parë gjatë një konference të dhënë me kreun e Policisë Federale të Gjermanisë, duke i kërkuar gazetarëve të ndjekin me vëmendje zhvillimet nga Policia dhe Ministria e Brendshme, pasi do të kishte zhvillime interesante.

Ministri Xhafaj me kreun e Policise Federal, Romann

Por këto zhvillime interesante duket se nuk kishin lidhje vetëm me goditjen e bandave,  si Bajret, Avdylajt dhe arrestimin e ish-deputetëve socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko.  

Mësohet se paraqitja e dorëheqjes së Xhafaj ka ndodhur disa ditë më parë, mendohet të enjten.

Xhafaj ka biseduar me kryeministrin duke i paraqitur ministrit dorëheqjen. Vetëm pas dy ditësh Rama e ka pranuar largimin e Xhafajt, duke i propozuar presidentit Ilir Meta emrin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

Ndërsa presidenti Meta e firmosi menjëherë dekretin për propozimin e paraqitur nga kryeministri Edi Rama për të caktuar  gjeneral Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm,.

Fatmir Xhafaj e mbajti këtë post për më shumë se vit. Përpara zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama mori vendimin për shkarkimin e Saimir Tahirit, edhe ky i akuzuar për lidhje familjare me bandat e krimit të organizuar, klanin “Habilaj” që akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.

Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri ne momentin e marrjes se detyres nga Xhafaj

Për shkak të paktit politik të 17 majit mes Ramës dhe Bashës, Xhafaj iku nga posti i ministrit të Brendshëm, për t’ia lënë përfaqësuesit të opozitës, Dritan Demiraj. Me fitimin e zgjedhjeve parlamentare Xhafaj do të caktohej sërish në postin e ministrit të Brendshëm, duke qenë personi politikisht më i fortë brenda PS-së.

Por akuzat e forta të opozitës në adresë të Xhafajt, duket se kanë detyruar ministrin që të japë dorëheqjen nga posti që mban, por që këtë akt e shtyu ne kohë deri në momentin e sqarimit të akuzave të ndërmarra ndaj tij dhe vëllait  Agron Xhafaj.

Tani që çështja është në duart prokurorisë, si dhe pas kryerjes së disa operacioneve të suksesshme të finalizuar me arrestimit e të fortëve, ministri Xhafaj ka vendosur të japë dorëheqjen.

Që në muajin gusht përfliteshin ndryshimet në qeveri. Madje kjo u lidh me procesin e llogaridhënies së ministrave me bazën.

I pari që përflitej që të largohej ishte ministri Fatmir Xhafaj, bashkë me disa ministra të tjerë që mbanin poste që në mandatin e parë qeverisjes socialiste. Kjo lidhej edhe me qëndrimet e opozitës ku tashmë kërkonte ndryshime në qeveri, e që prej kohësh kishte radikalizuar aksionin politik, duke bojkotuar Parlamentin dhe vendosur si kusht pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin.

Por, Rama në Asamblenë e mbajtur në fund të gushtit përjashtoi ndryshimet në qeveri, duke i dhënë besimin ministrave aktualë.

Largimi i tij si ministër, Xhafaj mund ta ketë vendosur përfundimisht edhe pas takimit që kryeministri Rama zhvilloi pak ditë më parë në ministrinë e Brendshme me të gjithë drejtuesit dhe shefat policisë, ku kërkoi arrestimin e Klemend Balilit dhe ndëshkim të të fortëve.

Ky largim mund të ndikojë në zbutjen e qëndrimeve të opozitës, që mund të shoqërohet me rikthimin në Parlament.

Fatmir Xhafaj njihet si politikani që ndërmori përsipër reformën në Drejtësi. Gjatë mandatit të parë të qeverisjes si kryetar i komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi ai mori përsipër këtë proces, i cili u konkretizua me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe në fund me votat e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.

Një proces të ngjashëm ai nisi edhe në ministrinë e Brendshme, duke nisur Vettingun në Polici.

Xhafaj prej vitesh njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama. Por largimi i tij si ministër mund të shoqërohet edhe me ndonjë lëvizje tjetër në qeveri.

Xhafaj mund të mbesë si deputet i thjeshtë tashmë, duke mos përjashtuar idenë që me mbylljen e këtij mandati të rishikojë edhe pozicionin e tij në politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë