Politike

Largimi i Kotzias fut në sherr politikën shqiptare

Largimi i ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias nga qeveria pati një jehonë jo vogël edhe në Shqipëri. Kryediplomati grek ishte një nga kryenegociatorët e qeverisë fqinje për përcaktimin e kufijve detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Një proces i nisur prej më se një viti dhe që ka mbetur pezull, dhe ku Greqia ‘fajëson’ presidentin shqiptar Meta për mos siglimin e marrëveshjes mes të dy palëve.

Por kjo jehonë e ardhur nga Athina u prit në mënyra të ndryshme në politikën shqiptare.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati reagoi në lidhje me dorëheqjen e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, duke e falënderuar homologun e tij për bashkëpunimin dhe për kontributin që ka dhënë për çështjet që lidhen me Shqipërinë.

“Ka pak gëzime në këtë profesion, por ato më të çmuara rrjedhin nga bashkëpunimi i vërtetë dhe një frymë kolegjialiteti. Faleminderit @NikosKotzias për përpjekjet tuaja në hapjen e përbashkët të një faqe të re të bashkëpunimit, besimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore midis vendeve tona” – shkruan Bushati në Twitterin zyrtar.

Reagimi i kryediplomatit shqiptar pati jehonë edhe në mediat greke. Por postimi i Bushatit në llogarinë zyrtare u kontestua nga ana e PDIU-së së Shpëtim Idrizit, partisë që mbron çështjen çame, duke e cilësuar një gjest të tillë si të panevojshëm, pasi Greqia po synon të mos e pranojë çështjen “Çamëria”.

“Ministri ynë i Jashtëm paska shprehur falënderimin për Ministrin e dorëhequr të shtetit grek, Kotzias. Nuk di se për çfarë e falënderon homologun e uzos dhe të Zorbës ministri ynë? E falënderon për varret e ushtarëve grek që sot ngrihen në territorin tonë megjithëse erdhën si pushtues, ndërsa të rënët tonë që u therën në prag të shtëpisë, ende sot janë shpirtra pa varr? E falënderon për marrëveshjen e turpshme të toponimeve që heq qytetet e vendlindjes së pleqve tanë nga pasaportat e shtetit shqiptar, duke vazhduar kësisoj politikën e diskriminimit ndaj nesh? E falënderon për marrëveshjen e ujërave për të cilën Kotzias mburrej se do merrte ujërat tanë, duke zgjeruar të vetat nga 6-12 milje?”, reagon PDIU.

Gjithashtu kjo parti i kujton kryediplomatit Bushati se mes dy vendeve ekziston ende një ligj i luftës. “E falënderon se mos hoqi ligjin e luftës, e sot ministri ynë bën sikur harron se po falënderon ministrin e një shteti me të cilin është zyrtarisht në luftë? E falënderon se bërtiste që çështja Çame nuk ekziston e që shqiptarët e Çamërisë ishin bashkëpunëtor me nazizmin?  E falënderon se po punonin bashkë për të hequr termin Çamëri nga tekstet shkollore shqiptare?

Por, Çamëria, duhet ta dini që do jua ngrijë buzëqeshjen në buzë njësoj si Kotziasit. E drejta e nëpërkëmbur e shpirtrave që humbën jetën dhe të atyre që lanë pas një jetë të tërë e shtëpitë e tyre, është haku njerëzor që do ngrijë çdo akt tradhtie ndaj saj e do na mbajë gjithë jetën tonë përballë armiqve e në krah të miqve. Ne nuk harrojmë!!!”, mbyllet deklarata e PDIU-së.

Vetë Idrizi duke folur gjatë një promovimi të librit “Çamëria, krahina më jugore e trojeve etnike shqiptare”, aludoi për esadistët shqiptarë, që nënkupton se me Paktin e Ri Shqipëri-Greqi do të ketë tradhti ndaj shqiptarëve.

Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU

“Ne shqiptarët e Çamërisë nuk mund t’i pranojmë esadistët e rinj që dalin dhe flasin për historinë dhe për të kaluarën tonë, sepse nuk bëhet kompromis me çështjen çame. Nuk mund të bëhet kompromis me çështjen kombëtare. Historia e këtij vendi ka parë shumë esadistë, të cilët asnjëherë nuk e kanë arritur të zhbëjnë çështjen kombëtare, apo çështjen e shqiptarëve të Çamërisë. Ne shqiptarët e Çamërisë nuk na mundi dot Napolon Zerva, ne nuk na i shkuli dot rrënjët dhe nuk na ndau nga dashuria për atdheun tonë, as regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe ta harrojnë se mund ta bëjnë sot pinjollët e tyre”, – tha kryetari i PDIU-së.

Idrizi më pas shprehu rezervat e tij në lidhje mos reagimin e Tiranës zyrtare sa i përket deklaratave të presidentit grek, i cili ka akuzuar shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë të nazizmit.

“Është e pafalshme dhe kemi kaq kohë që presim që Presidentit të Greqisë t’i përgjigjet Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, ti përgjigjet ministri i Jashtëm, sepse është e pafalshme për qeverinë shqiptare, është e pamoralshme për politikën zyrtare shqiptare, që Presidenti i Greqisë shkon pikërisht në Paramithi, aty ku më 27 qershor të vitit 1944, filloi masakra mbi shqiptarët e Çamërisë dhe u masakruan 680 gra, burra, pleq e fëmijë dhe hedh akuza të cilat nuk qëndrojnë. Si është e mundur që asnjë zyrtar i qeverisë shqiptare nuk ka një përgjigje për ti dhënë Presidentit grek? Presidentit të Greqisë i jep sot përgjigje Sali Bollati, i lindur në Çamëri, por i dëbuar që aty. Sali Bollati është një nga korifenjtë e historisë Çame, që me punën e tij motivon çdo shqiptar të Çamërisë, duke filluar që nga fëmijët që lindin sot. Vepra e Sali Bollatit është një përgjigje e drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që mendojnë se mund të bëjnë kompromis me çështjen kombëtare të shqiptarëve”, – theksoi Shpëtim Idrizi.

Me ikjen e Kotizias, Pakti Detar dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Greqisë ka një tjetër kryenegociator nga Athina zyrtare. Ai është kryeministri Aleksis Tsipras, i cili do të mbajë njëherësh edhe postin e kryediplomatit, derisa të përfundojë çështjet e nxehta të lëna pezull, emri i shtetit të ri të Maqedonisë, si dhe ajo e Paktit Detar. Mbase në këto marrëveshje, Tispras pret që kryenegociator në tryezën e bisedimeve të jetë kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë