Njerez

Largimi i infermierëve nga Shqipëria, në 2 muaj 165 të ikur

Nga Gazeta Si - 'Sapo kam mbyllur diplomën dhe kam marrë ofertë pune në zonën e Trentos në Itali. Jam e lumtur sepse kjo ka qenë ëndrra ime’.

Jasmina është një nga infermieret e shumta të porsa diplomuara që zgjedhin të punojnë jashtë dhe jo në Shqipëri.

Për Gazetasi.al, 30-vjeçarja thotë se prej 3 vitesh kishte ndaluar marrjen e diplomës, për shkak se iu desh të punonte në sektorin e call-center, për të mbledhur paratë e nevojshme që i duhen për fillimin e ri.

"Nuk kam dashur asnjëherë të punësohem në sektorin publik apo privat në Shqipëri. Ndryshe nga jashtë, infermieri shqiptar është i keqpaguar e mbi të gjitha rritja profesionale ndalon në çastin kur kthehesh në shërbyesin e mjekut në rastin më të keq, ose thjesht mbajtës i kartelave dhe plotësues i recetave elektronike", thotë e reja.

Me informacionin që ka marrë në universitetin privat ku studion, kontrata e re i përcakton punën si infermiere në spital, gjë që në Shqipëri do ta kishte të vështirë ta zgjidhte që në vitet e para të punës.

Mbi 5400 të larguar në 8 vjet, bumi në 2022

Shqipëria vijon të regjistrojë largim të bluzave të bardha, mjekë e infermierë që zgjedhin Gjermaninë apo Italinë si vendin ku duan të punësohen. Këto largime nuk u ndalën as në 3 vitet e pandemisë, ku u shënua dhe numri më i madh i punësimeve të infermierëve jashtë.

Në 8 vitet e fundit, nga të dhënat e Urdhrit të Infermierit, janë mbi 5400 infermierë që kanë plotësuar dokumentacionin për punësim në Gjermani apo Itali.

Sipas shifrave zyrtare që disponon Gazetasi.al, nga viti 2016 deri në vitin 2023, numri i infermierëve të larguar ka ardhur në rritje, duke kulmuar në vitin 2022.

Kështu, ndërsa në vitin 2016 nga Urdhri i Infermierit u plotësuan 67 dosje për kontrata pune jashtë, kjo shifër u rrit respektivisht, 131 infermierë në 2017, 211 të larguar në 2018, 417 në 2019, duke u rritur në 3 vitet e pandemisë 2020-2022 përkatësisht: 614-1073-1865. Siç vihet re, shifra më e lartë i përket vitit 2022 me 1865 infermierë të larguar.

Trendi në rritje duket dhe nga shifrat e 2-mujorit të parë të 2024, ku në muajt janar-shkurt Urdhri i Infermierit raporton për 165 infermierë të ikur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë