Futboll

Laporta ndez debatin: Super Liga është gjallë, s’ka falje ndaj UEFA-s

Super Liga është ende gjallë. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, qartëson situatën në lidhje me “luftën" mes UEFA-s dhe klubeve rebele, ku bëjnë pjesë edhe Real Madridi dhe Juventusi. Laporta ka folur në asamblenë e ortakëve të klubit katalanas për këtë çështje dhe ky qëndrim me siguri nuk do t’i pëlqejë aspak UEFA-s.

“Projekti i Super Ligës është ende në këmbë. Është një gjykatë që e ka bërë të qartë se UEFA nuk mund të marrë masa ndaj Super Ligës. Ajo ka kërcënuar dhe ka bërë presion, vetëm dy klube e kanë braktisur projektin me dëshirën e tyre. UEFA ka vazhduar të bëjë presion dhe kështu kanë ikur edhe klubet e tjera angleze. Pas kërcënimit me përjashtimin nga Liga e Kampionëve, kanë ikur edhe Atletiko Madrid, Interi dhe Milani. Vetëm për këtë arsye. Nuk kërkojmë kurrë ndjesë se duam të bëhemi zotë të fatit tonë", - ka thënë Laporta.

Joan Laporta, duke folur në asamble. Gazeta Si, 21 qershor 2021

Më tej, kreu i Barcelonës është shprehur: “UEFA ka hapur një procedim disiplinor kundër nesh dhe koha po na jep të drejtë. Tani na kanë pranuar në Champions. I Kemi dhënë jetë Super Ligës, sepse duam të mirën e futbollit, që është në një situatë të komplikuar. Të rinjtë duan ndeshje më tërheqëse, ka ndryshuar mënyra e tyre e të parit të futbollit. UEFA bën vetëm demagogji, nuk kemi dashur kurrë të vëmë në diskutim kampionatet kombëtare”.

Sa i ndihmon ky kompeticion klubet e vogla? Laporta përgjigjet: "Duam që Super Liga të jetë kompeticioni më tërheqës në botë. Ka një mekanizëm solidariteti shumë më të rëndësishëm se ai i UEFA-s, 400 milionë të destinuara për skuadrat e tjera, në raport me 180 të UEFA-s. Formati është shumë më interesant. Ndoshta duhej ta kishim komunikuar këtë projekt më parë”.

Për klubet që kanë braktisur projektin, presidenti i Barcelonës u shpreh: "Jemi në kontakt me ta. Ceferin e ka kthyer në një çështje personale. Nuk po bëjmë asgjë të re në Europë, Euroliga e basketbollit dhe Championsi i volejbollit janë shumë tërheqës si turbe. Të rinjtë duan një futboll ndryshe".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë