Art dhe Kulture

Lamtumirë Leze…

Shuhet në moshën 85-vjeçare ikona e aktrimit kosovar, Leze Qena.

Mësohet se ajo ka vdekur në Mjekimin Intensiv në QKUK. Lajmin e ka konfirmuar shefi i Intensivës në QKUK, Shaqir Uka. Ai ka treguar se aktorja është shtruar në spital 20 ditë më parë.

“Është pranuar në mjekimin Intensiv më 6 mars. Për shkak të një problemi që e ka pasur në regjionin e barkut, ne ia kemi bërë një intervenim kirurgjik. Pacientja ka ndërruar jetë sot në orën 09:50”, ka thënë Uka.

Aktorja ishte pjesë e shumë filmave, serialeve në vend dhe përtej saj. Së fundi ishte pjesë e serialit “Çka ka shpija”.  

Ikja e saj ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën e në veçanti rrethin artistik me të cilët Lezja ndau shumë momente nga jeta e saj, qofshin ato profesionale apo edhe personale.

Për vdekjen e saj ka reaguar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është shprehur i pikëlluar për këtë humbje.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e artistes së njohur Leze Qena, në këto ditë të pandemisë. Leze Qena na ka bërë të qeshemi, të qajmë, të duam teatrin e televizionin, të duam artin e jetën, me dekada të tëra. Lezja do t’i mungojë skenës, televizionit, tërë Kosovës. Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të saj”, shkruan Thaçi. Po ashtu, me të filluar seanca, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani i ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje në nder të aktores Leze Qena.

Ndërkohë, në bazë të një fotografie që ka qarkulluar në rrjetet sociale, qytetarët sonte në orën 20:00 do ndezin qirinj për nder të veprës dhe krijimtarisë së saj.

 “Unë do të ndez një qiri në ballkonin e banesës sime.Bashkohu edhe ti! Sonte në ora 20:00”, thuhet në njoftim.

Aktorja Leze Qena

Leze Qena është lindur në Prizren, më 1 mars të vitit 1935.

Në Prizren kreu edhe shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa më pas vazhdoi shkollimin e lartë në Prishtinë.

Aktorja më pas filloi edhe karrierën si aktore, ku takoi edhe bashkëshortin e saj, aktorin Xhevat Qena, me të cilin kaloi shumë vite bashkë.

Ata kishin një histori shumë të bukur dashurie dhe kanë treguar se dashuria triumfon mbi gjithçka.

Lezja ishte aktore shumë e dashur dhe me vlerë për Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ka aktruar në shumë shfaqje, deri në vitet e fundit të jetës së saj. Madje ministri i atëhershëm i Kulturës në Kosovë, kishte thënë se “angazhimi i saj në skenën e teatrit është një thesar i çmuar për historikun e teatrit kosovar”.

Ajo njihet për shumë role në shfaqje, filma e seri të shumta televizive shqiptare, si “Po e zëm, po e zën”, “I ikuri (Fidani)”, “Qesh e ngjesh”, e “Të gjithë me ne ndër të tjera”, në të cilat është shfaqur që nga vitet 1070.

Ndërsa që nga vitet 2000, Lezja ka qenë pjesë e ekranit televiziv në shumë serialet komedi të dashura për publikun shqiptar, duke filluar me “Mahmutovitët e Rexhepovitët”, më pas për rolin e ‘Gjyshes’ në serialin “Familja Moderne”, “Kombinati” dhe së fundi në komedinë “Çka ka shpija”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë