Futboll

Lamtumirë Kaiser! Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare legjenda gjermane, Franc Bekenbauer

Gazeta Si – Shuhet edhe Franc Bekenbauer, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit gjerman dhe atij botëror. Familja ka konfirmuar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të tij në moshën 78-vjeçare.

Zi në futbolli botëror për humbjen e një tjetër legjende. Një nga figurat më të shquara të këtij sporti, Franc Bekenbauer, është shuar në moshën 78-vjeçare, pas problemeve me shëndetin vitet e fundit.

Mesfushori brilant i pakrahasueshëm, i njohur nga të gjithë si Kaiseri (Perandori), ka shkruar historinë e futbollit me Bajernin e Mynihut dhe Gjermaninë. Kampion bote në fushë si lojtar dhe pastaj si trajner. Ka fituar dy herë ‘Topin e Atë’. Bekenbauer ndërroi jetë të dielën në mbrëmje.

I lindur në Giesing, më 11 shtator 1945, Bekenbauer është konsideruar lojtari më i mirë gjerman i çdo epoke. I pari në histori që fitoi Botërorin si lojtar dhe trajner më pas (Itali 1990).

Në 12 vjet me Gjermaninë e atëhershme, Bekenbauer u shpall kampion bote në vitin 1974, nënkampion bote në 1966-ën, kampion Europe në 1972-shin dhe nënkampion Europe në 1976-ën. Me Bajernin ka fituar 3 Kupa Kampionësh radhazi, 1 Kupë Interkontinentale, 1 Kupë Kupash, 5 tituj kampion në Gjermani dhe 4 Kupa të Gjermanisë.

Kaiseri ka qenë një nga futbollistët e rrallë që shenjonte një epokë dhe të bëhej pikë referimi për kolegët e tij. Loja e tij elegante dhe konkrete, e rafinuar dhe esenciale, mbetet një model akoma i paimitueshëm.

Pas lajmit tragjik ka reaguar e gjithë bota e futbollit, personazhe të njohur, institucione të rëndësishme, federata dhe klube të famshme. Që të gjithë kanë postuar mesazhe ngushëllimi për vdekjen e Bekenbaur.

Disa nga reagimet
“Nga Bekenbauer kam një kujtim të veçantë. Luanim me Gjermaninë në Romë dhe barazuam. Ai u ankua pas ndeshjes për barin e shkurtër, që nuk e lejonte të gjuante siç donte ai. Më mbeti në mendje, ishte një perfeksionist”, - ka thënë Fabio Kapelo, ish-lojtar dhe ish-trajner italian.

Lotar Mateus, një nga emrat e shquar të futbollit gjerman, u shpreh: “Për të gjithë ishte një njeri i madh, por unë kam humbur një mik të dashur. Është dhimbje e thellë, edhe pse e dija që Franc nuk ishte mirë. Vdekja e tij është një humbje për futbollin dhe Gjermaninë. Ishte një nga më të mëdhenjtë si lojtar dhe trajner, por edhe jashtë fushe. Një personalitet i jashtëzakonshëm, vlerësohej në gjithë botën jo vetëm në futboll”.

Rudi Fëler thotë: “Lajmi për vdekjen e tij më trishton pa fund. E konsideroj një nga privilegjet më të mëdha të jetës sime që kam njohur dhe jetuar me Franc Bekenbauer".

"Bota e Bajernit nuk është më ajo e para, papritur është errësuar, është më e heshtur, më e varfër. Skuadra gjermane më fituese vajton Franc Bekenbauer, të vetmin ‘Perandor’, pa të cilin Bajerni nuk do të ishte kurrë klubi që është sot. Prehu në paqe”, - shkrun Bajerni në postimin e tij ngushëllues.

"Isha krenar që isha mik i tij. E kisha parë të luante kundër Krojf dhe Pelé në Botërorin e 1970-ës. Pastaj e njoha nga pozicionet që kisha në institucione. Kemi bërë shumë rrugë bashkë. E dija që ishte shumë sëmurë, ma kishte thënë Rumenige. Tani na la. Ishte Mr.Football në Gjermani. Ka bërë historinë e futbollit gjerman”, - ka deklaruar Mishel Platini.

"Franc Bekenbauer, një nga bijtë më të mëdhenj të futbollit europian. 'Kaiseri' ishte një lojtar i jashtëzakonshëm, një trajner suksesi, një ekspert fisnik. Ka influencuar futbollin gjerman si askush tjetër”, - shkruhet në një postim të UEFA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë