3 gola 3 penallti dhe një karton i kuq largojnë Kukësin nga ëndrra me emër “Champions League”. Skuadra kuksiane është mundur me rezultatin e thellë 3-0 në transfertën e Karabak. Pas barazimit pa gola 0-0 në ndeshjen e parë, verilindorët nuk kanë rezistuar në Azerbajxhan duke u shpërfytyruar. Përtej eliminimit, ajo që dhëmb më shumë është mënyra se si erdhi kjo disfatë, pasi Kukësi shkaktoi tre penallti dhe mbrojtësi Albi Alla u ndëshkua me karton të kuq.
Pjesa e parë do të ishte disi e ekuilibruar dhe ngjasonte me përballjen e parë në “Loro Boriçi”. Por gjithsesi azerët janë më të vendosur dhe kaluan në avantazh që në minutën e 22. Do të ishte Kuintana që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. 45 minutat e para do të mbylleshin në shifrat 1-0, ndërsa në pjesën e dytë Karabak dominon totalisht ndeshjen duke shënuar edhe dy herë të tjera. Në fillim Kunitana sërish dyfishon me penallti, më pas vulosi rezultatin në minutën e 89, Dalazh.
Një paraqitje për të harruar për skuadrën e Armando Cungut që e humbi me duart e saj këtë ndeshje të dytë në transfertë me tre penalltitë e shkaktuara. Në mbyllje të ndeshjes në prononcimin e zakonshëm për mediat, Cungu u shpreh se Karabak është në një tjetër nivel krahasuar me skuadrën e tij. Ai pranoi se eksperienca e Karabak në arenën ndërkombëtare ka bërë diferencën në këtë ndeshje.
Sakaq edhe pse u eliminua Kukësi, një tjetër shqiptar do ta vijojë aventurën e tij në Ligën e Kampionëve, Ansi Agolli që është kapiteni i skuadrës azere. Ndërkohë për Kukësin, tashmë aventura europiane vijon në turin e tretë të Europa League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.