Lajme

Lamtumira e major Tanushit, humbi jetën gjatë misionit në Letoni

Pas homazheve në nder të majorit Klodian Tanushi që u zhvilluan në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, vijoi ceremonia shtetërore, ku kanë mbajtur drejtuesit e ushtrisë dhe qeverisë.
Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku tha se punën dhe profesionalizmin e major Tanushit, do ta kujtojë çdo ushtar dhe koleg i tij. Me zërin që i dridhej, gjeneral Kollçaku tha se ushtria ka humbur një komandant të palodhur.
Teksa mbajti fjalën dhe me lot në sy para familjes, Kollçaku shtoi se Major Klodian Tanushi i shtoi nderin Shqipërisë me punën e tij, e cila tashmë do të nderohet nga çdo qytetar i këtij vendi.

“Për ditë të tërë ju dhe ne u lutëm dhe me dridhje në zemër, shpresuam për Klodjanin, shpresuam për mrekullinë, kurrë nuk donim ta pranonim. Tani duhet të përcjellim majorin. Komandant, çdo ushtar do të përulet, do të qajë dhe do të mbajë zi. Ne kemi humbur një vëlla nën armë. Kudo që e thirri, kudo që e kërkonte nevoja dhe kanë aq shumë për të thënë kolegët, për Klodin njeri, për Klodi komandat dhe ushtarak. I heshtur, i bindur i kreu me devotshmëri detyrat për ti dhënë nder Shqipërisë”, u shpreh gjeneral Kollçaku.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka shpërthyer në lot, teksa i ka dhënë mesazhin e lamtumirës major Klodian Tanushit.
Gjatë fjalës së saj para familjarëve, ministrja është shprehur se major Tanushi iu ka lënë një boshllëk të madh gjithë familjarëve, por edhe kolegëve. Ndër të tjera, Xhaçka ka zbuluar dhe amanetin e fundit të Tanushit, që është se “mbi interesat vetjake, duhen vënë interesat e shoqërisë”.

“Nderimi ynë për Klodianin është pa kufi. Në këtë dhimbje jemi pranë familjes, me premtimin se ata do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë. Ai nuk ia doli duke na lënë një boshllëk. Jeta dhe vepra e tij flasin vetë. Zgjodhi të shërbente në një mision të vështirë. Njerëz si Klodi na bëjnë krenarë, pasi mbi interesat vetjake vuri interesat e shoqërisë”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij tha se major Tanushi i bashkohet familjes së Kombit, në Varrezat e Dëshmorëve. Ai shprehu dhimbjen e thellë dhe tha se major Tanushi u vetëflijua, duke lënë jetën e tij që jetë të tjera mos të humbin.

“Klodiani ishte në një mision paqeruajtës dhe jetëshpëtues. La jetën e tij për të mos lejuar jetë të tjera të humbin. Në një libër të shenjtë një vetëflijim i tillë quhet vetëflijim për miqtë e panjohur. Ky është thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe jetëshpëtuese. Jeta e Klodianit dhe Zarifes flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë. Ata na tregojnë se paqja ka gjithmonë një çmim, bashkimi ka gjithmonë një vlerë, ata na tregojnë se dielli i shqiptarëve lind gjithmonë nga Perëndimi”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Gjatë homazheve në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë morën pjesë familjarë, një numër i madh ushtarakësh si edhe politikanë.
Po ashtu, me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, edhe në Kuvend është mbajtur një minutë heshtje në nder të major Klodian Tanushit.
Pas ceremonisë, trupi lëvizi sipas ceremonialit ushtarak përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u prehur pranë dëshmorëve të FA, pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.
Komisioni Qëndror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpalli major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”.

Edhe presidenti Ilir Meta ka kryer homazhe në nder të major, Klodjan Tanushit, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, presidenti Meta vlerëson kontributin 20-vjeçar të Tanushit në Forcat e Armatosura shqiptare dhe i shpreh ngushëllimet familjes për këtë humbje të madhe.

“Rënia në krye të detyrës e Dëshmorit të Atdheut, Major Klodian Tanushi la pas një dhimbje të madhe.
Me mirënjohje e respekt u përula sot me nderim të thellë para Tij, për sakrificën sublime dhe kontributin e çmuar që la pas, për patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë, që dëshmoi mbi 20 vite në Forcat e Armatosura, si dhe gjatë drejtimit të Kontingjentit ushtarak shqiptar në misionin e NATO-s në Letoni.
Në këtë ditë të vështirë, ndaj dhimbjen e ngushëllimet më të sinqerta me nënën, babain, bashkëshorten, tre fëmijët e shtrenjtë dhe ushtarakët shqiptarë, për këtë humbje të pazëvendësueshme. Lamtumirë Major Klodian Tanushi! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar”, shkruan presidenti Meta në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë