Ka ndodhur

Lame: Sfida e radhës të certifikohen tokat bujqësore, thjeshtëzojmë procedurat

Kreu i Kadastrës, Artan Lame, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se ka filluar zbatimi i ligjit për certifikimin e tokës bujqësore, pasi shumë familje fshatare përdorin tokën pa aktin e pronësisë AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi).

Kreu i Kadastrës shtoi se në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre.

Lame tha se pas përmbylljes së procesit të legalizimeve, sfida e radhës në fshat është sfida e certifikimit të tokës bujqësore.

“Kjo sfidë përbëhet:

- nga përfundimi i procesit të pajisjes me AMTP (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) të atyre familjeve dhe kategorive për të cilat ende nuk është bërë;

- dhe nga ajo që është më kryesorja, regjistrimi dhe certifikimi i gjithë pronës në fshat.

Ndër të tjera, ligji 20/2020 shfuqizonte edhe ligjin e famshëm të vitit 2008, “Për verifikimin e titujve të pronësisë””, tha ndër të tjera Lame.

Ndërkohë, Lame tha se në dhjetor 2020, u miratuan në Qeveri edhe dy nga aktet nënligjore më të rëndësishme të ligjit 20/2020, VKM 1147 dhe 1182 të dhjetorit 2020, që plotësojnë procedurat e plotësimit të AMTP-ve, të regjistrimit të tyre, dhe të saktësimin të kufijve dhe sipërfaqeve të tyre.

Përmes këtyre Vendimeve, thjeshtohen shumica e procedurave torturuese që parashikonte kaosi ligjor e nënligjor që ekzistonte deri përpara miratimit të Ligjit 20/2020.

Disa nga risitë e të dy akteve (VKM 1147 DHE 1182):

  • Për AMTP e regjistruara përpara hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020, nuk shqyrtohet më legjitimiteti i titullmbajtësit. Pra pronarët do ta disponojnë lirisht pronën.
  • Në kategorinë e AMTP-ve të regjistrueshme, janë shtuar edhe AMTP që janë lëshuar për personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre.
  • Nuk shqyrtohet më sipërfaqja e përfituar me AMTP në raport me sipërfaqen takuese sipas normës për frymë.

- Llojet e tokës së përfituar me AMTP, për të cilat nuk regjistrohet AMTP-ja mbeten vetëm 4:

- a) truall;

- b) vepër e infrastrukturës publike;

- c) rërë bregdetare, plazh;

- d) sipërfaqe ujore.

- Pra është hapur rruga për regjistrimet e llojeve deri dje të përjashtuara si kullota, toka për frymë, etj.

- Shqyrtimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kryhet vetëm nga Kadastra.

Krijohet mundësia e blerjes së sipërfaqes që posedohet mbi atë çfarë përcaktohet në titullin e pronësisë apo dokumentin e përdorimit.

Krijohet mundësia e regjistrimit apo edhe përfitimit të aktit të pronësisë për tokën që disponohet në fakt, pavarësisht se ku mund ta jetë përcaktuar vendndodhja sipas AMTP/dokumentacionit të ndarjes së tokës bujqësore, kur s’ka konflikte.

Në kategorinë e përfituesve, kur janë përdorues faktikë të tokës bujqësore, janë shtuar personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre

Pika 3 e lehtësirave të krijuara më sipër, bën fjalë për të gjitha ato familje ku, sasia e tokës të cilën disponojnë, nuk përputhet me atë që do të duhet të kishin marrë në zbatim të ligjit 7501/1991.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë