Lajme

Ngjarjet kryesore shkurt nga bota

Përmbytjet, gjendje e jashtëzakonshme në Venecia

Italia pritet të shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Venecia, pasi qyteti italian u përfshi nga nivele të larta ujit prej më shumë se 1.87 metrash. Uji përmbyti edhe bazilikën historike të qytetit, bazilikën e Shën Pjetrit, dhe shkaktoi ndërprerjen e energjisë elektrike në banesa. Më shumë se 80% e qytetit ndodhet nën ujë. Kryeministri italian, Giuseppe Conte, e përshkroi përmbytjen si një goditje në zemrën e vendit. Ai tha se qeveria do të përshpejtojë ndërtimin e strukturave mbrojtëse për qytetin. Këto masa vijnë pas paralajmërimeve se batica do vazhdojë të mbetet e lartë në ditët në vijim, megjithëse niveli nuk pritet të tejkalojë lartësinë 130 cm.

Peter Beyer, raportues për Kosovën

Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e ka emëruar gjermanin, Peter Beyer, si raportues për Kosovën. Beyer është deputet i parlamentit gjerman, dhe i takon partisë demokristiane të kancelares, Angela Merkel. I interesuar për këtë pozitë ka qenë ka qenë edhe delegati rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksei Kondratev. Mirëpo, paralajmërimet për mundësinë e emërimit të tij, kishin ngjallur reagime të shumta në Kosovë, për shkak të paragjykimeve të tij ekstreme ndaj Kosovës. Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli paralajmëroi se Kosova do të refuzojë të bashkëpunojë me të dërguarin rus. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në kontinentin e Europës.

Rripi i Gazës, arrihet armëpushimi

Pas dy ditësh luftime midis Izraelit dhe militantëve në Rripin e Gazës, të dyja palët kanë arritur një armëpushim të enjten. Dhuna nisi pasi Izraeli vrau komandantin e grupit miliant Xhihadi Islamik Palestinez. Ministria e Shëndetësisë në Gaza, territor që kontrollohet nga militantët e Hamasit tha se 32 njerëz janë vrarë nga sulmet e Izraelit, ndërsa mbi 60 të tjerë janë plagosur. Një zëdhënës i Xhihadit Islamik Palestinez konfirmoi për BBC-në se armëpushimi ka hyrë në fuqi në orën 5:30 të mëngjesit. Ndërkohë një zyrtar i lartë egjiptian tha se marrëveshja e armëpushimit ka ardhur "si rezultat i përpjekjeve të Egjiptit".

Zgjedhjet e reja presidenciale në Kroaci, në 22 dhjetor

Kroacia do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale muajin e ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri kroat Andrej Plenkovic, i cili ka theksuar se zgjedhjet do të mbahen më 22 dhjetor. Presidentja aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq, kandidate e Unionit Demokratik të Kroacisë do të garojë kundër kandidatit të Social-Demokratëve dhe ish-kryeministrit, Zoran Millanovic. Dy kandidatë të pavarur gjithashtu gëzojnë mbështetje të madhe nga publiku. Posti i presidentit në Kroaci është kryesisht ceremonial. Presidenti nuk mund t'iu vë veto ligjeve, por ka rol në politikën e jashtme dhe mbrojtjen.
Sipas sondazheve të fundit, Garbar-Kitaroviq është favorite për t'i fituar zgjedhjet me rreth 29 për qind të votave, ndërsa Millanovic do të jetë i dyti me 24 për qind.
Në garë do të jenë edhe Miroslav Skoro, këngëtar, dhe ish-gjykatësi Mislav Kolakushic.
Nëse asnjëri nuk e fiton shumicën në rrethin e parë të zgjedhjeve, raundi i dytë do të zhvillohet më 5 janar të vitit 2020.

BE, debati për kampin e emigrantëve në Bosnje

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Bosnjës sot për mbylljen e menjëhershme të kampit të emigrantëve në Vuçjak dhe ta zhvendosë në mjedise tjera. Kushtet në këtë kamp janë aq të këqia, sa ato nxitën një debat mbi situatën e migrantëve në Bosnje dhe Hercegovinë në Parlamentin Evropian. Ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen, në emër të presidencës së BE-së, shprehu shqetësimin se kapacitetet ekzistuese të pritjes së emigrantëve në Bosnje Hercegovinë ishin "të pamjaftueshme".
"Fatkeqësisht, pavarëisht gatishmërisë së BE-së për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare, qeveria nuk ka siguruar kampte të reja. Pavarësisht faktit se BE-ja vazhdon të monitorojë situatën në terren dhe përpiqet të ofrojë ndihmë, është thelbësore që autoritetet lokale dhe kombëtare të Bosnjës, të kryejnë pjesën e tyre të punës dhe të kontrollojnë situatën", tha Tuppurainen.
Komisioneri europian për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopulous tha po ashtu se kushtet në kampin e Vuçjakut janë të papranueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë