Futboll

Lacio-Torino nuk luhet, Igli Tare: Kampionati duhet të respektohet

Lacio-Torino nuk do të luhet. Skuadra mike, me shumë lojtarë të prekur nga Covid-19, nuk është paraqitur në Romë. Ishte diçka e parashikueshme, tani vjen edhe njoftimi zyrtar. Por vendimi i Ligës për të mos e shtyrë ndeshjen ka bërë që Lacio të përgatitej sikur ndeshja do të luhej. Ekipi dhe stafi janë paraqitur normalisht në stadium një orë e gjysmë para orarit zyrtar. Në stadium ishin pa dyshim edhe arbitrat, stjuardët e sigurisë dhe disa punonjës të tjerë.

Torino nuk është paraqitur në “Olimpico” dhe arbitrat do të ndjekin protokollin e rastit. Sipas rregullores, ndeshja duhet të fitohet në tavolinë 3-0 nga Lacio, ndërsa Torino më pas do të bëjë rekurs, siç ndodhi edhe me Juventus-Napoli. Mbetet të shihet tani çfarë do të ndodhë konkretisht, por kuptohet që precedenti Juventus-Napoli peshon shumë edhe në këtë rast.

Lacio, nga ana e vet, ka ndjekur procedurën korrekte para ndeshjes, duke dorëzuar tek arbitri protokollin me titullarët. Trajneri Inzagi kishte zgjedhur këta lojtarë: Reina, Muzakio, Hoedt, Açerbi, Parolo, Milinkoviç-Saviç, Eskalante, Pereira, Luliç, Kaisedo, Muriqi. Me shumë mundësi, nuk do të ishte i njëjti formacion, nëse ndeshja do të luhej.

Igli Tare. Gazeta Si, 2 mars 2021

Pak minuta para orës kur duhej të fillonte ndeshja, ka folur drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili për “Sky” ka theksuar: "Mund të thosha shumë gjëra, por po i mbaj për vete. Ne kemi respektuar rregulloren, kemi ardhur në stadium. E lëmë gjithçka në dorë të organeve kompetente. A do të preferoja të luhej? Absolutisht po. Na leverdiste të luanim dhe kampionati duhet respektuar.

E njëjta situatë si me Juventus-Napoli? Nuk duam të hyjmë në këto dinamika, thjesht bëjmë detyrën tonë. Arsyet e Torinos? Nuk dua t’ia di, dua vetëm që të respektohet rregullorja e Ligës. E dimë si janë gjërat. Ne jemi këtu dhe kjo është e vetmja gjë me rëndësi. Tani presim, kush duhet të vendosë, do të vendosë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë