Futboll

Lacio ekipi më efikas në Europë, Strakosha me statistika të frikshme

Lojë tërheqëse dhe rezultate. Lacio e trajnerit Inzagi, drejtorit sportiv Igli Tare dhe portierit kuqezi, Tomas Strakosha, është një skuadër e bukur, elegante dhe zbavitëse. Por mbi të gjitha është solide, në ekuilibër të plotë. Këto karakteristika e kanë ndihmuar këtë skuadër të bëjë hapin e madh në kualitet. Prej vitesh bardhekaltrit kanë qenë një makineri golash, por gjithashtu pësonin shumë.

Sezonin 2017-18 Lacio e mbylli me sulmin më të mirë (89 gola, një rekord për këtë ekip), por nuk u kualifikua për në Ligën e Kampionëve për shkak të golave të shumtë të pësuar (49 gola, mbrojtja e 10-të e Serisë A). Nga sezoni 2015-16 deri në 2018-19-ën, Lacio ka pësuar 198 gola, 49.4 gola mesatarisht për çdo kampionat. Tani gjithçka ka ndryshuar, në Itali dhe në Europë.

Lacio në stërvitje. Gzeta Si, 27 maj 2020

Vitet e fundit, kur Lacio ka qenë në kërkim të variantit të duhur taktik, duke qenë një ekip më i shkurtër në fushë, shënonte pak gola: nga 89 gola te realizuar sezonin 2017-18, kaloi në 56 gola në sezonin 2018-19. Kuptohej që diçka duhej sistemuar. Këtë sezon numrat janë mbresëlënës: 60 gola të shënuar (sulmi i dytë më i mirë pas Atalantës), dhe 23 gola të pësuar (mbrojtja më e mirë). 12 javë para fundit të kampionatit, Lacio ka pësuar më pak gola se gjysma e atyre të pësuar në 4 kampionatet e mëparshme. Numra të një ekipi të madh në Itali dhe jo më kot skuadra e Strakoshës është në vend të dytë, 1 pikë më pas se Juventusit.

Lacio është shumë lart edhe në nivelin europian. Sipas “Profootballdb.com”, një portal spanjoll i specializuar i statistikave, Lacio, mes kampionateve më të fortë në Europë, është skuadra më efikase në zonën e rreptësisë. Më mirë se Liverpuli që dominon Premier Ligën, me 25 pikë avantazh ndaj Mançester Sitit. Të dhënat dalin pas llogaritjeve të përqindjes së raportit të gjuajtjeve drejt portës dhe golave të shënuar, si dhe të gjuajtjeve të kundërshtarit dhe golave të pësuar. Lacio ka gjuajtur në total 162 herë në portën kundërshtare dhe ka shënuar 60 gola.

Tomas Strakosha, portieri shqiptar i Lacios. Gazeta Si, 27 maj 2020

Në krahun tjetër, janë 82 pritjet e Strakoshës në 104 gjuajtje ë kundërshtarit. Askush në Europë nuk ka një përqindje të tillë të ndërhyrjeve vendimtare si portieri shqiptar i datëlindjes 1995. Të dhënat dalin pasi shumëzohen 37.04% i efikasitetit përballë portës të Imobile me shokë dhe 78.85% e pritjeve të Strakoshës, që bëjnë 115.89 pikë në total. Liverpuli i Klop është në vend të dytë, me 112.5 pikë (37.5% përqindja e shënimit dhe 75% e mbrojtjes). Në vend të tretë është Real Sociedad, vendi i katërt në Spanjë, me 112.15 pikë. Interesant është fakti se 10-shen më të mirë, në vend të 8-të është Kaljari, me 110.45 pikë dhe Parma në vend të 10-të, me 110.14 pikë. Janë numra që e bëjnë Lacion të besojë fort te titulli kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë