Dosje

Laboratori i kokainës në Fier. Hetuesit në kërkim të doganierëve, policëve e bosëve të drogës/ Kush është kolumbiani-kimist? Çervanaku: Më mori në qafë ‘tiransi’

Gazeta Si - Grupi kriminal i laboratorit të kokainës në Fier ka qenë i zgjeruar mes Kolumbisë dhe Shqipërisë me shumë personazhe të tjera jo vetëm në zonën e Fierit.

Në dosjen e SPAK të siguruar nga Gazetasi.al, del se përveç ekspertit kolumbian që është shpallur në kërkim, del edhe një farë “tiransi”.

LEXO EDHE:
- Nga Xibraka në Fier… të përbashkëtat e laboratorëve të drogës
- Video/ Laboratori i drogës në Fier, sekuestrohen 430 kg kokainë me vlerë 40 mln euro. Porositësi i mallit një shqiptar

Ai rezulton në përgjime nga Denilson Çervanaku, i cili ankohet se e “ka marrë në qafë”, duke i pasur edhe 80 mijë euro borxh.

Shëpia, laborator kokaine në Frakull të Fierit

Itinerari i kolumbianit

Të gjithë janë vënë në kërkim të Saimir Rosales Rodriges, një 49-vjeçar, i cili përgjatë një muaji jetoi midis Tiranës dhe për shkak se nuk po gjendej një përkthyes, grupi nuk avancoi në ekstraktimin e kokainës nga plehu organik. 

Me një pasaportë të lëshuar në Antioquia, në vitin 2015, Rodrigues shfaqet në sistemin e policisë gjatë verës në kryeqytetin grek. Ai fluturon nga Athina drejt Malit të Zi në 13 korrik 2022, ku dhe qëndron në Podgoricë. 

Shfaqja e tij ndodh në të njëjtën kohë, kur ngarkesa me pleh organik po i afrohej Ballkanit dhe portit Bar në Tivar në Malin e Zi.

Për të flitet gjerë e gjatë, herë me shqetësim e herë duke kërcënuar në telefon, por as SPAK dhe as policia nuk e ka ende të qartë se si hyri ai në Shqipëri. 

Ndonëse tregohet se kolumbiani është ekspert, autoritetet binden për të në datë 12 nëntor, ku dhe filmohet duke hyrë në banesën e familjes Çervanaku dhe më pas, teksa shoqërohej nga Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Juljan Malaj, largohet prej andej me mostrat e marra në thasët me pleh.

Prej kësaj date, policia nuk është në gjendje të dijë se si kolumbiani doli nga skena dhe se si ai është larguar nga kryeqyteti shqiptar në drejtim të paditur. 

Thasët me pleh organik në banesën e Viktor Çervanakut

Hetime dhe për policinë e doganat

Jo vetëm trafikantë, por edhe doganierë dhe oficerë policie gjenden nën verifikim nga SPAK, pasi disa prej tyre dalin në përgjime, teksa komunikojnë me 10 të implikuarit, që pasi iu ngeci ngarkesa me pleh organik në Malin e Zi, kryejnë lëvizjet e tyre. 

Njëri ndër ta, në dosjen që disponon Gazetasi.al, shfaqet në një përgjim të datës 9 gusht 2022. Atij i shkruan njëri nga organizatorët e trafikimit të 430 kilogramëve kokainë, i dyshuari Nikolin Gjolena dhe në numrin e punës, pra numër policie me 41 i dërgon numrin e tij, duke i shkruar vetëm kaq: “Nikolin Gjolena”.

Një ditë më pas, ky efektiv policie, komunikon me ish-kryetarin e Komunës së Frakullës, Viktor Çervanakun dhe në fokus të bisedës së tyre janë shqetësimet e Çervanakut për t’i mbyllur ca probleme që ai kishte me agjencitë e ligjit.

Viktor Çervanaku

Viktor Çervanaku i shkruan oficerit të policisë në numrin e policisë 41: “O shok, fol me atë që të ia bëjmë nderin deri në fund dhe më shkruaj”. 

Oficeri i policisë i përgjigjet gjashtë orë me vonë: “Ok”.

Në orët e të njëjtës mbrëmje, Çervanaku kërkon një përgjigjje brenda ditës dhe oficeri e pyet: “O shok si të kam me shëndet, mirë?”, dhe një orë më pas i kthen një përgjigjje të dytë, ku i premton se do fliste të nesërmen.

“Në rregull, po shiko punën, mbase vij vetë e pimë kafe. Natën”, është përgjigjja e Viktor Çervanakut. 

Në vijim, në përgjime del edhe një person tjetër i paidentifikuar ende me emrin e shkurtuar "Fredi", me qëllim plotësimin e dokumentacionit, që duhej për të analizuar mallin e importuar ne Shqipëri, mes tyre sasinë e produktit pleh organik, analizat për ngarkesën dhe porositë. Çervanaku tregon se kishte sjellë pleh fertilizant dhe se ishte shumë i mirë.

Ndërkohë, në Tiranë kolumbianët që ishin sjellë si ekspertët që do kryenin ekstraktimin, jetonin në një shtëpi luksoze të marrë me qira nga djali i ish-kryetarit të komunës.

Me shkurtimin "Soni", ai shfaqet i shqetësuar për shkatërrimin e orendive të banesës që e kishte marrë për të strehuar kolumbianët, të cilët shkaktuan një dëm në banesë prej 10 mijë eurosh. Në përpjekje për të komunikuar me kolumbianin dhe përkthyesin që nuk shfaqet kurrkund, Denilson Çervanaku (Soni) i rrëfehet të dashurës së tij, Enxhi Ferhatit (edhe ajo e arrestuar). 

Denilson Çervanaku

Përgjimet, mes qenve dhe vajzave nga...Lushnja

Ata tregohen të kujdesshëm për të mos përmendur emra edhe kur vajza shqetësohet dhe nënvizon se ishin vetëm me Klajdin.

Për kolumbianin, sportisti thotë: “T’i fusje një plumb kokës, t'ja q.. racën se më acaroi, më luajti mend p.. i robve. Nuk fliste, mezi fliste. Nuk fliste shqip”.

Në të vërtetë, trafikantët ishin në pritje të provës për ndarjen e plehut nga kokaina, një provë që e kishin kryer sakaq edhe autoritetet malazeze, që kishin nxjerrë gati 18 kilogramë kokainë dhe që llogaritën se në thasët me pleh organik gjendej 430 kg kokainë. 

Kimisti nuk po dukej askund dhe trafikantët përpos armëve gjetën edhe një qen, prej të cilit edhe të zotët e shtëpisë kishin frikë prej tij. “Është pitbull i bukur, pitbull Lushnje”.

Të dyshuarit, teksa flasin për fitimet e mëdha, nuk lënë jashtë as përgjegjësitë. Personat për të cilët flasin ekspozohen përmes bisedave të tjera, ku ngrenë shqetësimin me pyetjen: “A do ta marrësh përsipër, pse ta mbaj unë vëlla, i bie llafi dhe s’më thanë...?”

Bisedat e mëpasshme zhvillohen rreth qenve dhe femrave, nënvizon SPAK, që tregon në dosjen hetimore se si frazat e mëpasshme janë rreth Pogradecit, Himarës dhe ngjarje të ndodhura me disa vajza nga Lushnja.

Policia shqiptare gjatë aksionit për sekuestrimin e plehut organik, ku ndodhej edhe kokaina

Kush është "tiransi"?

Për grupin e hetimit, që ka bashkëpunëtorë të tjerë, nuk ka asnjë dyshim sa kohë trafikantët tregojnë se u prishën me “atë tek porti”. 

Niku thotë: “Bx-ja më çoi foto, më çoi foto gazetën aty. Të atij vendit atje ku është, se ishin tre nga grupi që njihte ky, e s’ia mban fare vëlla tani për momentin. Se kanë lidhje me shtetin, kanë vra policë aty, i kanë q .. robt. Nuk i del më garant ai i shtetit aty o burrë. Se ka shumë kontrolle, ti e fut për… s’kanë garanci në shtet për momentin, më çoi foto pardje ai çuni..  o vëlla s’të kam harruar më tha mua. Por shiko si është këtu...”.

Në biseda del edhe një person tjetër i identifikuar si “tironsi”. Ai duket të jetë garancia për kolumbianin që vazhdon t’i mbajë peng trafikantët. 

“Kolumbiani u zhduk o vëlla, po unë e gjej kolumbianin po të dua, e gjej se e njohin këta robt që punoj unë, edhe tani ia mori 80 këtij e u zhduk. Mua s’më thotë gjë. I kam thënë o vëlla, jo jo s'ke gjë pune me mua. As ta kam marrë ty numrin e as s’ma ke dhënë ti. Dhe po t’i ecte puna mbarë do bëja një milionë euro unë, e s’do merrja. Tani t’i paskam unë 80 mijë euro që më ka marrë në qafë tiransi, më ka 80 mijë euro borxh".

Në 25 nëntor 2022, Prokuroria e Posaçme publikoi rezultatet e aksionit që zbuloi laboratorin me 430 kilogramë kokainë në Fier.

Në pranga kanë rënë 10 persona, ndërsa hetimi ka nisur në maj të këtij viti pas zbulimit të ngarkesës në Mal të Zi.

Autoritetet amerikane, malazeze e shqiptare kanë mbajtur në vëzhgim porositësit dhe transportuesit e ngarkesës me pleh kimik, ku ishte fshehur kokaina. Sipas SPAK, një nga financuesit e trafikut mësohet se është shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë