Drejtësia

Laboratori i drogës në Fier, zgjaten me 3 muaj hetimet ndaj grupit kriminal. Pritet letër porosia nga Kolumbia

Gazeta Si - Për shkak të pritjes së letër porosive nga Kolumbia, SPAK ka vendosur të zgjasë edhe me 3 muaj hetimet për laboratorin e drogës në Fier.

Në fshatin Frakull të Fierit, u kapën rreth 430 kg kokainë e përzier me pleh kimik. Për këtë çështje, SPAK firmosi 15 urdhër-arreste, ndërkohë janë arrestuar 10 persona.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur si prova përgjime dhe pamje filmike, të cilat akuzojnë të akuzuarit.

Rreth 430 kg u kap gjatë një operacioni të SPAK, në fillim të këtij viti, ku lënda narkotike ishte tretur në thasë me pleh kimik, ngarkesë që në total shkonte 24 tonë.

Më pas, “ngarkesa” me pleh kimik u nis nga Kolumbia në drejtim të Portit të Pireut në Greqi dhe më pas me destinacion tranzit në Portin e Barit në Mal të Zi.

Kokaina do të ndahej nga plehu kimik në një laborator në Fier. Në pranga ranë  ish-kryetari i Komunës Frakull Viktor Çervanaku, në shtëpinë e të cilit u gjetën thasët me pleh dhe kokainë.

Po ashtu, të arrestuar janë dhe djali i tij Denilson Çervanaku dhe e fejuara e tij, Enxhi Ferhati. Përveç tyre, në qeli janë edhe Bledar Matoshi, Redin Meshi, Klajdi Vrioni, dhe Julian Malaj.

Në kërkim është edhe një shtetas kolumbian, i cili kishte mbërritur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik.

Në të njëjtën ditë të operacionit, kimisti kolumbian Zamir Rodrigez, ka arritur të arratiset nga fshati, teksa një patrullë rrugore ka tentuar ta ndalojë në Lushnjë. Ai nuk i është bindur, duke marrë drejtimin për Durrës dhe pas disa minutash është sinjalizuar në Vorë për herë të fundit.

Në këtë zonë, ai është futur nëpër rrugë rurale dhe të pyllëzuara duke shpëtuar përfundimisht nga sytë e shërbimeve që e kishin nën monitorim, dhe dyshohet që në mënyrë të paligjshme të ketë dalë jashtë territorit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë