Lajme

Laboratori i heroinës në Has, gjendet i vdekur turku i shpallur në kërkim

Është gjendur i vdekur në Prishtinë turku i shumëkërkuar i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has, Nejdet Cesuroglu.
Mësohet se Nejdet Cesuroglu është gjetur i vdekur në një banesë në Prishtinë në datën 2 dhjetor 2018. Po ashtu bëhet me dije se në banesën ku fshihej Cesuroglu, është gjetur edhe një sasi heroine.
49-vjeçari Nejdet Cesuroglu ishte shpallur në kërkim bashkë me shtetasin tjetër turk Iskënder Sale, 35 vjeç. Këta shtetas janë të akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, trafikim narkotikësh dhe grup i strukturuar kriminal. Sipas Prokurorisë, ata janë pritur nga Admir Hoxha (biznesmeni që akuzohet se ngriti laboratorin) në hotelin e tij pranë Rinasit, së bashku me shtetasin kosovar, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kishin sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë.
Sakaq mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka dërguar një letërporosi autoriteteve kosovare që të sqarohen rrethanat e ngjarjes.
Laboratori i heroinës u zbulua në Brenog të Hasit në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, gjatë të cilit u goditën 4 grupe kriminale, me 27 të arrestuar, u shpallën në kërkim edhe 17 persona, 4 prej tyre vetëm për laboratorin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë