Politike

Kuvendi shqyrton marrëveshjet për tërmetin, pandeminë dhe Komisionin “Marty”

Parlamenti mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ku në rend të ditës janë dy marrëveshje për kreditimin e pasojave të tërmetit dhe për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga Covid, si dhe miratimi i përbërjes së Komisionit Hetimor për raportin e Dick Marty-t.

Në lidhje me dëmet e tërmetit, Parlamenti pritet që të kalojë një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa për Covid-19 është marrëveshja me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sipas të cilës kjo e fundit do të financojë me 15 mln euro blerjen e materialeve mbrojtëse dhe testeve.

Sa i takon Komisionit Hetimor për raportin e Dick Marty-t mbi pretendimet për krime luftë të UÇK-së në territorin e Shqipërisë, socialistët propozojnë që ai të drejtohet nga Ulsi Manja dhe anëtarë të jenë Klotilda Bushka, Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Ermonela Felaj. Nga opozita parlamentare anëtarë pritet që të zgjidhen Myslim Murrizi, Enver Rroshi, Elena Xhina dhe Edmond Stojku.

Gjithashtu, në rend të ditës është edhe shqyrtimi i dekretit të Presidentit Ilir Meta mbi ndryshimet në ligjin për Policinë. Meta e ktheu këtë ligj duke e cilësuar si antikushtetues. Mazhoranca ka sinjalizuar në Komisione se do ta rrëzojë këtë dekret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë