Politike

Kuvendi i PD-së, Imami: S’marr pjesë, i pamoralshëm dhe përçarës

Partia Demokratike zhvillon sot Kuvendin Kombëtar për të zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Ky proces i hap rrugë ristrukturimit të kupolës së Partisë Demokratike. Por një mbledhje e tillë konsiderohet e pamoralshme nga ish-deputeti i PD-së, Arben Imami. Ai deklaroi se nuk do të marrë pjesë në mbledhje, pasi sipas tij, kryedemokrati Lulzim Basha e mbledh këtë Kuvend në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe të miratuar po prej vetë atij. Në deklaratën e shpërndarë për median, Imami gjithashtu e sheh si të papërshtatshme këtë zhvillim në kushtet kur vendi është përfshirë nga protestat e studentëve.


“Shqipëria është në një moment delikat dhe deçiziv për të ardhmen e saj. Mijëra studentë dhe pedagogë prej 10 ditësh kanë mbushur sheshet e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare për shkak të krizës së plotë politike, ekonomike dhe sociale. Establishmenti korruptiv politiko- financiar që po drejton dy partitë e mëdha në vend, ka detyruar rininë e vendit të dalë në sheshe e të kërkojë me forcën dhe kurajon e së drejtës shpërbërjen e kësaj status quo-je. Si pedagog i lëvizjes studentore dhe bashkë themelues i Partisë Demokratike u bëj thirrje studentëve dhe pedagogëve të vazhdojnë pa ndalim rrugën e virtytit, dijes dhe dashurisë për vendin. Historia jonë na tregon se të drejtat fitohen. Pikërisht në këto ditë z. Basha zgjedh të mbledhë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, në kundërshtim të hapur me statutin e propozuar dhe miratuar po prej tij. Kuvendi po mblidhet pa vendim të Këshillit Kombëtar, Kryesisë dhe në kundërshtim flagrant me frymën demokratike të një partie perëndimore që ka rrëzuar komunizmin”, deklaroi Imami.

Më tej ish-ministri i Mbrojtjes shkuan se Kuvendi i sotëm do të përçajë PD-në. “Ky Kuvend vulos frymën e përçarjes së Partisë nga baza në qendër. Një opozitë që drejtohet në mënyrë autoritare nuk jep shpresë për një Shqipëri demokratike dhe ky është mesazhi më i gabuar që Lulzim Basha po u dërgon studentëve në protestë dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Ndaj i bindur plotësisht në principet mbi të cilën e nisëm këtë luftë për liri dhe demokraci, ju bëj me dije se pjesëmarrja ime në atë Kuvend do të ishte e pamoralshme”, thekson Imami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë