Politike

Kuvendi hap garën, PS synon 2 vendet e PD në KQZ

Zgjedhja e katër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet të kthehen në një “mollë sherri” mes Partisë Socialiste dhe Demokratike.

KQZ e mbetur me 3 anëtarë aktualisht është jashtë funksionimit të plotë, duke bërë që ky organ kolegjial të mos marrë vendime.  Nisur nga kjo situatë kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi bëri të ditur në seancën e së enjtes se kryekomisioneri Klement Zguri ka depozituar dy letra për të nisur procesin e plotësimit të vakancave të krijuar me mbarimin e mandatit të 4 anëtarëve të KQZ-së.

“Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është depozituar për herë të dytë kërkesa për plotësimin e vendeve vakante në këtë institucion, pasi më 11 tetor u ka mbaruar mandati 4 anëtarëve të këtij institucioni. Aktualisht KQZ është vetëm me 3 anëtarë, pra pa kuorumin e nevojshëm për vlefshmërinë e mbledhjeve dhe veprimtarinë normale të tij. Prandaj, sikurse e kam dërguar edhe zyrtarisht, u bëj thirrje publike kryetarëve të grupeve parlamentare të bëjnë propozimet pa vonesë me qëllim fillimin e procedurave parlamentare për plotësimin e vendeve vakante’, sqaroi kryetari i Kuvendit, Ruçi.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, foto LSA

Katër anëtarëve të KQZ-së, Hysen Osmani, Vera Shtjefni të propozuar nga PD, si dhe Bledar Skënderi i propozuar nga PS-ja dhe Gëzim Veleshnja i propozuar nga LSI, u ka mbaruar mandati.

Socialistëve dhe demokratëve përveç reformës zgjedhore, i duhet të gjejnë një konsensus mes tyre edhe për sa i përket anëtarëve të KQZ-së. Ndërsa demokratët nuk kanë dhënë asnjë sinjal për vakancat e krijuara, Partia Socialiste nga ana e saj ka bërë të ditur se dy vendet e anëtarëve të opozitës, Osmanaj dhe Shtjefni i takojnë asaj, si përfaqësues të mazhorancës.

Qëndrimi erdhi nga ana e bashkëkryetarit socialist Bledi Çuçi, i cili deklaroi se “PS do të eci sipas frymës dhe germës së Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus që do të thotë  që ne do të çojmë emrat për të zgjedhur dy përfaqësues të mazhorancës, të cilëve u ka mbaruar mandati ne KQZ. Kjo është shumë e qartë, është shkruar shumë qartë në Kodin Zgjedhor”.

Bledi Çuçi, bashkëkryetari i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore

Qëndrimi i socialistit Çuçi bazohet në nenin 14 të Kodit Zgjedhor, ku në pikën 1 përcaktohet se “Kuvendi i Shqipërisë zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas kësaj procedure: a) 2 anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë”.

Osmanaj dhe Shtjefni janë zgjedhur nga PD si pjesë e përfaqësuesve të mazhorancës në atë kohë.

Nëse do të zbatohej një gjë e tillë, i bie që e majta të ketë shumicën në këtë komision, të ketë raport me vota 5 me 2. Kjo pasi nëse do të kërkojë që edhe mandatin e Gëzim Veleshnjës së LSI-së ta marrë e majta,  atëherë do të kemi prishje të raportit 4 me 3. Nëse zbatohet Kodi Zgjedhor, mandati i Veleshnjes i takon partisë së dytë brenda mazhorancës, e që në këtë rast lidhet me mandatin e deputetit të Tom Doshi, i zgjedhur si përfaqësues i Partisë Socialdemokrate në qarkun e Shkodrës.

Ngërçi me mandatet

Nga përfundimi i mandateve, Gëzim Veleshnja i LSI-së largohet nga detyra që mban. Në këtë këndvështrim LSI-ja duhet të lobojë për çështjen e anëtarit të KQZ-së, pasi tashmë anëtari i saj  u zgjodh me votat e PS-së, si përfaqësues i mazhorancës.

Por situata duket e komplikuar në KQZ për shkak të mënyrës së zëvendësimit të anëtarëve. Në vitin 2012, 7 anëtarët e KQZ-së u zgjodhën me një mandat të plotë. Ndërkohë që pas dorëheqjeve të Denar Bibës dhe Albana Shtyllës dhe Jani Jani të PBDNJ, në KQZ u bë zëvendësimi, duke bërë që Bledar Skënderi të marrë mandatin e Denar Bibës, Gëzim Veleshnja të Jani Janit të PBDNJ-së dhe Edlira Jorgaqi të Albana Shtyllës.

Këto zëvendësime u bënë në vitin 2013. Pra dy anëtarëve Veleshnja dhe Bledar Skënderi që u zgjodhën vijuan mandatin e Bibës dhe të Janit.

Ndërkohë që situata bëhet disi më e ngatërruar kur pakti i 17 majit 2017 mes dy liderëve kryesorë të politikës Edi Rama të PS-së dhe Lulzim Basha të PD solli edhe një rokadë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kryetari i këtij institucioni për herë të parë i takonte opozitës.

Kështu Denar Biba dha dorëheqjen nga posti i kryekomisionerit, duke i kthyer në një anëtar i thjeshtë në këtë institucion, duke u marrë postin e nënkryetarit të KQZ-së. Ndërsa Klement Zguri i zgjedhur nga PD, por më parë i propozuar nga PR e Mediut, nga anëtar i thjeshtë u zgjodh kryetar i KQZ dhe kjo falë paktit Rama-Basha. Ky pakti bëri që PD-ja të bindet dhe të futet në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Ndërsa pritet për t’u përcaktuar edhe mandati i Denar Bibës nëse i takon opozitës apo maxhorancës. Sipas logjikës, ai ka marrë mandatin e lënë nga Klement Zguri i lënë për Denar Bibën.

I mbetet vullnetit të mazhorancës tani nëse do të zbatojë sërish paktin e 17 majit mes Ramës dhe Bashës që kryetari i KQZ-së t’i takojë opozitës parlamentare.

Ndërkohë sa i përket mandatit të Gëzim Veleshjes, burime nga PS-ja bëjnë të ditur se do kërkojnë që mandati t’i takojë asaj, pasi tashmë LSI-ja është në opozitë dhe jo në qeverisje me socialistët.

Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet në dorë të PD-së, nëse do të pranojë që propozojë një anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndonjë përfaqësues të LSI-së ose jo.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë