Mendim

Kush po na gënjen për shifrat e Covid-19 – Dhe një arsye pse nuk hapen kufijtë për shqiptarët

Në  padurimin  për hapjen e kufijve të mbyllur nga nisja e pandemisë së Covid-19, qeveria shqiptare po vë në sprovë një çështje mjaft të rëndësishme: jo vetëm shëndetin e shqiptarëve, por dhe besimin tek procesi i integrimit.

Për rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, mes shumë proceseve dhe reformave, Shqipëria do të duhet të ndërmarrë  edhe reformimin e administratës publike , duke siguruar transparencë të plotë dhe besueshmërinë e institucioneve.

Ky është një kusht i rëndësishëm i përfshirë edhe “Kriteret e Kopenhagës”.

Me pandeminë, pavarësia dhe besueshmëria e  institucioneve, sidomos atyre shëndetësore, u bë më e rëndësishme se kurrë.

Madje në rekomandimet e saj për hapjen e kufijve me vendet e treta, BE vuri si kusht transparencën e të dhënave në lidhje me vdekjet, rastet dhe testimet e Covid-19.

Megjithatë, një raport i fundit të “Health Data” tregon se shifrat e jetëve të humbura nga Covid-19 në Shqipëri janë shumë më të larta se sa ato të publikuara nga Ministria  e Shëndetësisë . Në raport shkruhen 528.9 vdekje për 100.000 banorë, ndërkohë që sipas raportit,  MSH-ja ka raportuar 88.5 vdekje për 100.000 banorë ose 440.4 vdekje më shumë për 100.000 banorë. Pra  afërisht 6 herë më shumë sesa tregon qeveria shqiptare.

Të dhënat nga raporti i "Health Data"

Me lehtësimin e  masave dhe rritjen e numrit të të vaksinuarave shqiptarët kanë kohë që shpresojnë për  një rihapje të  kufijve të Europës. Hera herës lajmet prej unionit ishin shpresëdhënëse dhe  hera herës dëshpëruese.  Në këtë kakofoni informacioni në lidhje me ecurinë e procesit të hapjes së kufijve, u kuptua një gjë: nuk kishin rëndësi shifrat, por vërtetësia e tyre. Me shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, Europa duhet të na linte të lirë në lëvizje. Por me shifrat e tyre ende jo.

Duke sinjalizuar edhe skepticizmin për shifrat e raportuara nga vendet e treta, Komisioni Europian thotë në rekomandimin e tij të fundit se më shumë sesa rastet e raportuara nga vendet e treta, do të marrë parasysh normën e pozitivitetit në raport me testimet e kryera. Në vendin e saj BE thekson se një nga kriteret do të jetë besueshmëria e bilanceve ditore të ofruara nga qeveritë. Por a do të jetë më Shqipëria një vend i besueshëm në raportimin e rasteve të Covid-19 pas këtij raporti?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë