Ngjarje

KE: Shqipëria ka pasur më shumë vdekje nga Covid se çdo shtet tjetër europian

Komisioni Europian ka publikuar një raport ku tregohet se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve më të lartë në Europë, nga Covid-19.

Në raportin e KE-së bashkë me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) përcaktohet se vdekjet shtesë në Shqipëri gjatë vitit 2020 ishin 27% më të larta se vdekjet mesatare vjetore në periudhën 2016-2019. Kjo përqindje ishte më shumë se dyfishi i vdekjeve shtesë në BE dhe më e larta ndër Rajonin e Ballkanit.

Vdekjet në vendet e BE-së gjatë 2020-s, ishin 12.8% më të larta se mesatarja vjetore e periudhës 2016-2019.

Vendin e dytë pas Shqipërisë e zë Polonia me 21% më të lartë, ndjekur nga Estonia me 20% më të lartë.

Në Ballkan, pas Shqipërisë, Bosnja dhe Maqedonia kishin normat më të larta të vdekshmërisë shtesë me 17 dhe 12% secila.

KE sqaron se raportimi kombëtar i vdekjeve nga Covid-19 nuk bëhet me standarde të njëjta dhe se nuk janë pasqyruar të plota. Matjet nga Komisioni Europian bashkë me Eurostat tregojnë pasojat e vërteta të pandemisë dhe se llogaritja e vdekjeve shtesë është treguesi më i besueshëm.

Shqipëria është mbi nivelet e vendeve që përjetuan një pandemi më të ashpër se vendi jonë, siç është Italia, Spanja apo Greqia.

Disa ditë më parë edhe nga një matje e kryer nga The Economist, vdekjet shtesë nga Covid-19 në vendin tonë ishin 300% më të larta nga se ishin raportuar nga institucionet vendase. Deri më datë 1 shtator 2021 Shqipëria ka raportuar 2.501 të vdekur nga Covid-19, por The Economist raporton rreth 11 mijë të vdekur.

Gjithashtu artikulli konfirmon se në të gjithë botën ka pasur 15 milionë vdekje shtesë nga Covid dhe jo vetëm 4.2 milionë.

Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT në total, në vitin 2020-n, humbën jetën 27.605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm, ose rreth 5.700 persona më shumë.

Pjesa dërmuese e vdekjeve shtesë në vitin 2020 u justifikuan me diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe shkaqe të panjohura, sipas publikimit të INSTAT mbi shkaqet e vdekjeve më 2020.

Sipas të dhënave 47% e vdekjeve shtesë ishin si rrjedhojë e Grup sëmundja “Aparati i qarkullimit të gjakut (+2.06), ndërsa 20% e vdekjeve shtesë ishte për shkaqe të panjohura ose 1.141 persona më shumë se, mesatarja e viteve 2016-2019.

Ndërsa 32% e vdekjeve shtesë ishin sëmundjet e “Aparati i frymëmarrjes” që përfshin Covid-19 ose 1.878 persona më shumë se mesatarja 2016-2019. Gjithsej shtesa e vdekjeve nga kjo grup sëmundje ishte 1.879.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë