Qeveria dhe opozita e lexuan si deshën vendimin e një dite më parë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për Komisionet Hetimore.
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj deklaroi se ligji nuk është gjetur antikushtetues, pasi do të duhej të ishte shfuqizuar po dje.
Felaj u shpreh se nuk ka asnjë antikushtetutshmëri nga ana e Kuvendit në procedurën e shqyrtimit dhe miratimit të ndryshimeve të propozuara në ligjin e komisioneve hetimore.
“Një koment për “gjysmagjelët” e politikës që gjejnë fitore dhe aty ku ato nuk ekzistojnë. Së pari, ligji për komisionet hetimore nuk është gjetur antikushtetues, nëse kështu, do duhet të ishte shfuqizuar po sot. Dhe nuk kishte sesi, sa kohë që përshkrimi i objektit dhe i veprimit të komisioneve hetimore, i përmbahet mot à mot vendimeve të vetë kësaj gjykate në vite dhe sa kohë dhe vetë opozita pati propozuar të njëjtën gjë dhe asnjë germë më shumë”, tha Felaj.
Felaj theksoi se “ligji garanton transparencën e punës së komisioneve hetimore, sikurse po shihet edhe me dy komisionet hetimore në veprim”.
“Dyert e mbyllura nuk janë rregulli, por përjashtimi i nevojshëm ligjor dhe kjo është pranuar edhe nga Kushtetuesja, përndryshe i bie indirekt të rrëzojë edhe ligjin gjerman të komisioneve hetimore. Shkurt e qartë, asgjë për t’u shënuar në këtë zheg vere nga një opozitë që e sheh shpëtimin edhe tek fija e kashtës”, tha Felaj.
Por Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh edhe Kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane e ka quajtur këtë vendim si një hap që i jep mundësinë Kuvendit të rikthehet në shinat e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë.
Ajo e ka quajtur krizën e krijuar nga mazhoranca si artificiale, dhe këtu i referohet vendimit të mazhorancës për të bllokuar për mbi katër muaj ngritjen e komisioneve hetimore.
Tabaku iu referua këtij bllokimi si të pakuptimtë, ndërsa propozimet e mazhorancës të sajuara me porosi, me qëllim shmangien e plotë të thelbit të ngritjes së komisioneve hetimore.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës sa i përket ligjit për Komisionet Hetimore. Bëhet fjalë për nenin 4, 7 dhe 9, për të cilët gjykata thotë se janë të papajtueshme me Kushtetutën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.