Analize

Kush është pro dhe kush kundër ndarjes së Kosovës?

Takimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit në Austri, duket se hodhi dritë mbi pozicionin e të gjitha fuqive perëndimorë ndaj ndarjes së Kosovës.

Propozimi nuk është diskutuar ende me detaje nga dy presidentë, por raportohet se ata po planifikojmë shkëmbimin e Veriut të Mitrovicës me disa pjesë të Luginës së Preshevës (komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës).

Por mnjë sërë ekspertësh  druhen se nëse Serbia dhe Kosova e çojnë deri në fund marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve, një efekt “domino” do të hapte sërish “portat e ferrit” në mbarë Ballkanin. Në kohën kur rajoni po punon fort për të ardhmen europiane dhe zgjidhjen  e konflikteve ndër-entike, siç ishte ajo e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ndryshimi i kufijve të Ballkanit nuk do të zgjidhte rrëmujën e shkaktuar vite më parë, përkundrazi do ta fuste rajonin drejt një rrugë pa kthim.

Gjermania kundër

Ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ka shprehur disa herë kundërshtimin të patundur ndaj ndryshimit të kufijve të Kosovës.

"Të dashur miq në Kosovë dhe Serbi, ndryshimi i kufijve nuk do të zgjidhte asnjë problem. Një veprim i tillë do të hapte kutinë e Pandorës në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor kërcënohet nga çështjet multietnike, fetare dhe kulturore”, shkruante ai në Twitter, javën e kaluar.

Angela Merkel dhe Hashim Thaçi

Roth përsëriti kështu qëndrimet e kancelares gjermane, Angela Merkel, si atë Ministrit të Punëve të Jashtme, Heiko Maas, duke treguar se qeveria gjermane është e bashkuar për të kundërshtuar deri në fund ndarjen e Kosovës.  Gjatë takimeve të saj me kryeministrin e Malit të Zi, Duško Markoviç, kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje Herzegovinës Denis Zvizdiç dhe kryeministrit të Kroacisë Andrej Plenkoviç, Angela Merkel e bëri të qartë se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë. 

Shtetet e Bashkuara: Më mirë një pakt i dëmshëm sesa konflikti?

Në kontrast me shtetin më të madh të BE-së, pozicioni i Shteteve të Bashkuara duket shumë më fleksibël. Uashingtoni, së bashku me aleatët e tij europianë, ka një nga mbështetësit më të mëdhenj të integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por kjo duket se ndryshoi kur Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, një nga aleatët më të besueshëm të Presidentit Donald Trump, tha marrëveshja përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka pse përjashton shkëmbimin e territoreve. Kjo deklaratë duket se erdhi në kundërshtim me qëndrimin e ambasadorit amerikan në Serbi, Kyle Scott, i cili deklaroi pak javë më parë se Beogradi nuk duhet të priste ndryshime drastike ndaj Kosovës. Pas deklaratës së Boltonit, asnjë nga institucionet amerikane nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për çështjen e Kosovës. Megjithatë, nëpërmjet një artikulli të publikuar ditën e djeshme, “The Guardian” duket se e bëri situatën pak më të qartë. “Sipas dy burimeve të njohura brenda administratës Trump, SHBA-ja është e gatshme të miratojë çdo zgjidhje mes Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe ndryshimet kufitare”, shkruan përditshmja britanike. Ajo citon edhe Florian Bieber, ekspert i politikave të Evropës Juglindore, i cili shprehet se Shtetet e Bashkuara janë të etura për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, madje edhe nëse ajo përfshin pakte të papranueshme.

"Kjo është, deri në një farë mase, strategjia e Trump: e vetmja gjë e rëndësishme për të është arritja e një marrëveshjeje, por përmbajtja e saj nuk ka rëndësi", shpjegoi ai.

Bieber, megjithatë, nuk pranoi të japë një vlerësim të plotë të pozicionit të Amerikës deri sa të ketë një konfirmim zyrtar nga Departamenti i Shtetit. Deri më sot, kjo konfirmim nuk është dhënë.

John Bolton

BE: Hahn dhe Mogherini të pavendosur

Pozicioni i Bashkimit Europian, deri më tani, ka qenë më i vështiri për t'u përcaktuar.

Si komisionari Johannes Hahn ashtu edhe Federika Mogerini kanë qenë kontradiktorë në deklaratat mbi shkëmbimet territoriale, duke deklaruar herë-herë se mbështesin paktin Vuçiç-Thaçi dhe herë-herë se ai mund të ketë impakt negativ në rajon.

"Ndërkohë që dy presidentët shpjegonin gjatë takimit në Austri përse shkëmbimi i territoreve do të ishte një zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët, pjesëmarrësit e tjerë në panel thanë se do të mbështesin çdo marrëveshje të arritur nga të dy palët. Në fund të diskutimit Hahn, mori një minutë për të theksuar se duhet të merren parasysh edhe pasojat e mundshme për rajon ", tha Adnan Ćerimagić, një ekspert i njohur i politikës së Europës Juglindore.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme, Federika Mogherini, ka bërë gjithashtu deklarata që mund të interpretohen në mënyra të shumta. Gjatë një takimi jozyrtar mes BE dhe 6 ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, ajo theksoi se BE-ja do të mbështesë çdo zgjidhje të arritur nga dy palët, nëse ajo do të ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e BE-së. Mogherini ka bërë të qartë se po kërkon me çdo kusht të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, deri në fund të mandatit të saj, në vitin 2019. Por a do të thotë kjo se ajo është gjithashtu e gatshme të kapërcejë disa nga linjat e kuqe të përcaktuara më parë nga BE-ja ?

Federika Mogerini, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit

Në kërkim të konsensusit të brendshëm

Nëse mosmarrëveshja mes aktorëve ndërkombëtarë është duke e komplikuar situatën, mungesa e një marrëveshjeje brenda Kosovës dhe Serbisë është duke e bërë pothuajse të pazgjidhshme.

Për momentin, Presidenti Thaçi është ai që lufton më shumë. Partitë opozitare jo vetëm që kanë dalë kundër propozimit të tij, por po vënë në dyshim mandatin e tij për të negociuar në emër të popullit të Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi se gjatë takimit dypalësh mes Kosovës dhe Serbisë më 7 shtator, nuk do të zhvillohet asnjë diskutim rreth ndryshimit të kufijve.  Kuvendi i Kosovës duhej të mblidhej në dy seanca të jashtëzakonshme ditën e martë, për të diskutuar dhe më pas miratuar grupin negociator të saj në bisedimet me Serbinë. Por, në këtë seancë opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mungoi.

“Duhej që të vinin në seancë e të tregojnë mendimet e tyre. Zgjidhja më e mirë ka qenë ardhja në seancë dhe shpalosja e pikëpamjeve. Mungesa nuk ndihmon, as vetë opozitën dhe qëllimin e saj, që thotë është ruajtja e territorit të Kosovës”, deklaroi  Haradinaj. Por, duket e vështirë që opozita kosovare t’i bashkohet kësaj nisme të qeverisë. LDK dhe Vetëvendosje njëzëri thonë se qëllimi i grupit negociator është i dyshimtë.“Ekipi negociator, që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëvetë Kosovës, do të përligjë në emër të qeverisë marrëveshjet e fshehta të Thaçit me Serbinë. Shteti i Kosovës po hyn në një fazë kritike të ekzistencës së vet për shkak të veprimeve të kastës udhëheqëse, vrastare për perspektivën e Kosovës”, deklaroi Lidhja Demokratike e Kosovës. Tashmë, shpresat e qeverisë për ngritjen e këtij grupi varen nga deputetët serbë, për të plotësuar kuorumin prej 61 deputetësh që duhet të jenë të pranishëm për të nisur seanca.

Kryeministri Ramush Haradinaj

Por kur vjen puna te Serbia, Presidenti Aleksandër Vuçiç duket se ka më shumë hapësirë ​​manovrimi, për shkak të pozitës dominuese të partisë së tij. Megjithatë kjo nuk i ndali përplasjet mes qeverisë së Vuçiçit dhe Kishës Ortodokse serbe. Gjithçka nisi pasi presidenti Hashim Thaçi deklaroi se Kosova ishte e gatshme të “korrigjonte kufirin” me Serbinë, por jo të shkëmbente territoret. Kjo deklaratë ka bërë një pjesë të mirë të serbëve që të mendojnë se Kosova po planifikon të marrë kontrollin e një pjese të territorit serb, pa shkëmbyer territore me Beogradin. Në këto kushte, Kisha Ortodokse serbe, një nga kundërshtaret më të egra të pavarësisë së Kosovës, vendosi të ndërhynte. Në fund të korrikut, peshkopi Theodosios  i shkroi një letër presidentit Vuçiç, duke i kërkuar të hiqte dorë nga plani për ndarjen e Kosovës dhe të luftonte për çlirimin e të gjithë rajonit nga sundimi shqiptar.

Më pas, Vuçiç u përplas edhe me kreun e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, i cili doli gjithashtu kundër planit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Vuçic reagoi duke e akuzuar se kishte dalë pro pavarësisë së Kosovës. Presidenti serb paralajmëroi se ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve me Kosovën, po bëhen pjesë e një komploti kundër vendit të tyre.

Sikur të mos mjaftonte ekspertët perëndimorë kanë ngritur alarmin kohët e fundit se plani i vërtetë i Thaçit dhe Vuçiç mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga qeveria serbe në këmbim të dhënies së një lloj autonomie serbëve që jetojnë brenda territorit të Kosovës. Sipas “The Economist” kjo do t’u mundësonte serbëve që jetojnë në Kosovë të formojnë një republikë të pavarur, të ngjashme me Republikën Sprska në Bosnjë”./European Western Balkans/ 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë