Njerez

Kush është Antony Taylor, një nga ‘Top10’ arbitrat e botës, që do të gjykojë Partizani-Egnatia

Nga Gazeta Si- Antony Taylor është një nga ‘Top 10’ arbitrat më të mirë në botë dhe vjen nga Premier League e mbyllur fundjavën e shkuar, ku drejtoi ndeshjen Chelsea-Burnemouth (2-1), për të gjykuar finalen e ‘Final Four’ të kampionatit shqiptar të Superligës, mes Partizanit dhe Egnatias, që luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”.

Që në përzgjedhjen dhe publikimin e lajmit të pranimit të tij për të ardhur këtu, ka qenë një surprizë për arbitrat shqiptarë, por jo vetëm. Një arbiter, i cili vetëm në vitet e fundit ka qenë në finalen e Europa League vitin e shkuar, në vitin 2022 në finalet e Botërorit në Katarit, madje në vitin 2023 ka gjykuar edhe Shqipërinë, në kualifikueset e Gjermani 2024, pikërisht ndeshjen Çeki-Shqipëri 1-1, ku ka akorduar 6 kartonë të verdhë.

Dhe me që jemi tek kartonët, anglezi Taylor njihet si një arbitër shumë i rreptë dhe nuk i kursen aspak kartonët, mjafton të kujtojmë këtu, se në kualifikueset e Europianëve të sezoneve 2014/2015, 2019/2020 dhe 2023/2024, ka gjykuar 11 ndeshje në total dhe ka akorduar 65 kartonë të verdhë e 2 të kuq.

Ndërsa në këtë edicion të Premier League ku gjykoi 27 ndeshje, akordoi 130 kartonë të verdhë dhe 1 të kuq. Statistika këto që tregojnë qartë për aftësinë e tij menaxhuese të ndeshjes pa e prishur atë, duke mos penalizuar me mungesë të lojtarëve skuadrat, pasi vetëm në 1 ndeshje ka dhënë një karton të kuq në këtë edicion.

Edhe pse e ka gjykuar ekipin tonë kombëtar, sigurisht që ardhja në Shqipëri e një emri si Antony Taylor, është diçka shumë e rrallë, për nga rëndësia e tij. Pagesa ndaj tij është e fundit nga kriteret që kërkohet, edhe pse varion nga 5 në 7 mijë euro, aq sa paguhen ndeshjet e rëndësishme e kompeticioneve europiane në fazat finale. Por edhe nëse i paguan këto para, e vështirë është që Federata Angleze e Futbollit të të serviri një emër si Taylor.

Megjithatë ai është në Tiranë dhe sot në orën 19:00 do të vendosë drejtësinë në ndeshjen më të rëndësishme të këtij edicionit të futbollit shqiptarë, Partizani kampioni në fuqi dhe Egantia kampiona morale, njëkohësisht dhe fituesja më e re e Kupës së Shqipërisë, trofe të cilin e fitoi javën e shkuar në finale përballë Kukësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë