Analize

Kush e do Shqipërinë dhe për kë paguhet që të na duan

Fondacioni gjerman “Conrad Adenauer” ka publikuar një raport vëzhgues mbi aktorët e huaj me ndikim në Ballkanin Perëndimor, fushat e tyre kryesore të veprimit dhe interesat që qëndrojnë pas miqësive, që shpesh shoqërohen me kosto.

Pjesë e këtij raporti është edhe Shqipëria. Në vendin tonë, ky fondacion rendit një sërë aktorësh. Fondacioni konfirmon se Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbetet aktorët më me influencë në Tiranë, ndjekur nga partnerët strategjikë rajonalë, si Italia, Greqia e Turqia, por pa harruar edhe vende si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rruga për influencë e ndjekur nga këta aktorë, Fondacioni vëren se është e ndryshme. Për rastin e Shteteve të Bashkuara ajo lexohet si e ‘imponuar’ për klasën politike nga orientimi properëndimor i popullit shqiptar dhe bindja se SHBA është vendi që çliroi Kosovën dhe mbron interesat kombëtare të shqiptarëve.

“Për këtë, ambasadori amerikan në Tiranë ka patur gjithmonë një farë pushteti e ndikimi, që ngjason më shpesh si guvernator dhe jo si përfaqësues diplomatik”, thotë raporti.

Fondacioni shpreh me shifra rëndësinë që ka për kastën politike shqiptare Uashingtoni dhe mbështetja e tij.

“Të gjithë politikanët shqiptarë janë të prirur për të mbajtur lidhje të ngushta me SHBA. Në 2017, udhëheqësit e partive kryesore politike, Kryeministri Edi Rama, lideri i opozitës Lulzim Basha dhe ish kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrimin, tani President Ilir Meta shpenzuan rreth 1 milion euro për lobimin në SHBA për të rritur prestigjin e tyre në administratën Trump. Të tre mbështetën fushatat presidenciale e Bill dhe Hillary Clinton dhe tani po konkurrojnë për të marrë mbështetjn e administratës Trump”, thekson raporti.

Raporti thote se ndikimi rus ne politiken shqiptare eshte thuajse zero

Nga hulumtimi i ekspertëve të këtij fondacioni, zyrtarisht ndikimi rus është thuajse zero dhe mes dy vendeve nuk ka asnjë marrëveshje. Por, fondacioni vëren se në vitet e fundit është vënë re një përpjekje nga Moska, si pjesë e strategjisë së përgjithshme të saj për influencë në Ballkan, që të afrohet me qytetarët shqiptarë përmes nismave kulturore dhe ofrimit të kurseve të gjuhës falas.

Ndikimi rus përjashtohet nga të gjitha sferat e përditshmërisë mbarëshqiptare edhe për faktin se Rusia shihet nga shqiptarët si aleatja besnike e Serbisë. Por, një tjetër aktor, vëren ky raport po fuqizohet thuajse në të gjitha fushat.

Raporti i referohet Turqisë, që e sheh veten si “mbrojtëse të shqiptarëve ndaj kërcënimeve sllave dhe greke” dhe po zgjeron ndikimin e saj në ekonomi, kulturë, e politikë duke përdorur edhe fenë në këtë mes.

“Turqia është investitori i katërt më i madh në ekonominë shqiptare. Në vitin 2016, investimet turke përbënin 4 për qind të PBB-së së vendit. Turqia ruan lidhjet historike me Shqipërinë për shkak të të shkuarës dhe po përdor këto lidhje për të rritur ndikimin e saj në qëndrimet e Shqipërisë përsa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve fetare”, vëren raporti.

Fondacioni thotë se Ankaraja po e zgjeron ndikimin e vet përmes financimeve të fuqishme të institucioneve dhe projekteve, sidomos të atyre në sferën fetare. Në fushën ekonomike, raporti i fondacionit gjerman thotë se Turqia synon që të rivalizojë Italinë dhe Greqinë përsa i takon volumit të investimeve dhe në këtë drejtim citohet raporti i Presidentit Erdogan me të gjithë Kryeministrat e Shqipërisë.

Aktor tjetër i interesuar për ndikim në Shqipëri, por në kuadër të një strategjie shumë më të gjerë lexohet Kina. Sipas Fondacionit Conrad Adenauer, Pekini ka rritur interesin dhe sot zotëron dy investime strategjike në Shqipëri, Aeroportin e vetëm Ndërkombëtar dhe Bankers Petroleum. Por, këto sipas raportit, janë pjesë e strategjisë së bashkëpunimit dhe nismës kineze për ringjalljen e lidhjeve ekonomike me vendet e Europës Lindore dhe Ballkanit.

Për Italinë dhe Greqinë, raporti thotë se mbeten dy vende me ndikim të fortë, sidomos në ekonominë e vendit, por që ruajnë peshën e tyre edhe në zhvillimet politike të vendit. Raporti citon shkëmbimet tregtare dhe emigracionin e shqiptarëve të përqendruar kryesisht tek këto dy vende. Megjithatë, theksohet se si Roma, ashtu edhe Athina mbeten dy vende që mbështesin, të paktën deri më tani, pa rezerva anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë