Politike

Kurtin nuk “e bind” as Merkel: Ballkani i Hapur nuk ka çfarë na duhet

As qëndrimi publik i Kancelares gjermane, Angela Merkel nga Tirana, që tha se Ballkani i Hapur nuk konkurron Procesin e Berlinit përkundrazi e përshpejton atë, nuk ka bindur Albin Kurtin që të ndryshojë mendim për këtë temë.

Kryeministri i Kosovës foli për mediat pas takimit që pati me Merkel dhe kryeministrat e tjerë të rajonit në Tirana Business Park në Rinas.

“Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin europian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera”, u shpreh Albin Kurti.

Ai thotë se pjesëmarrja te kjo nismë do të thotë shprehje mirëkuptimi ndaj Serbisë për vendimin e saj për të mos njohur Kosovën.

“Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilën të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi dhe të kërkojmë njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mos njohjen e Kosovës. Cfardo mirëkuptimi ndaj Serbisë për mos njohje i kushton Kosovës. Iniciativat rajonale nuk duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është se në të dytën nuk e kemi BE-në”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës komentoi edhe deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, që në konferencën për shtyp me Angela Merkel u shpreh se Kosova po refuzon pjesëmarrjen te Ballkani i Hapur duke nxjerrë teori konspirative, ndërsa e cilësoi nismën si një mundësi të shkëlqyer që duhet shfrytëzuar nga Prishtina.

“Unë nuk e di për çfarë tetori konspiracioni është fjala këtu. Është dashur ta pyesni atë. Unë nuk e di për çfarë teorie bëhet fjalë. Unë po jua tregoj qëndrimin tim, që e thashë edhe aty; Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin europian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera”, tha ai.

Kurti sqaroi se gjërat që e bashkojnë me Edi Ramën janë shumë, por “Ballkani i Hapur” nuk është mes tyre. Ai tha se sapo të formohet qeveria e re në Tiranë, do të ketë takime dhe mbledhje të përbashkëta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë