Kosova

Kurti publikon videon: Ushtria serbe pranë kufirit të Kosovës! Vuçiç na kërcënoi, kërkojnë të provokojnë

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se njësi të specializuara të ushtrisë serbe janë parë disa metra larg kufirit të Kosovës.

Kurti ka publikuar në Facebook, një video përmes së cilës pretendon se ushtarët serbë ndodhen në kufi me veriun e Serbisë, konkretisht në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.

Ndonëse njofton se po i vëzhgojnë me kujdes lëvizjet, kryeministri Kurti thotë se ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake serbe, nuk është normal. Kurti thotë se Forcat e Armatosura të Serbisë po kryejnë stërvitje të rregullta në kufi me veriun e Kosovës, sipas tij me qëllimin e vetëm për të shkaktuar provokime.

“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se 'Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar'. Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë