Kosova

Kërcënimet e Vuçiçit për luftë/ Hovenier: NATO është këtu dhe do të veprojë nëse është nevoja

Nga Gazeta 'Si' - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, u shpreh se nuk ndihen të shqetësuar dhe as populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Duke folur për mediat në Kosovë, diplomati amerikan shtoi se se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s, dhe sipas tij, ajo është e gatshme të veprojë nëse është nevoja.

Ai ka thënë se politika e SHBA-së është e qartë se dëshiron që secili shtet të jetë në gjendje të marrë vendime vetë për aleancat e organizatat në të cilat do të anëtarësohet.

Më tej, Jeff Hovenier, theksoi se është plotësisht i vetëdijshëm se Kosova ka vendosur dhe dëshiron t’i bashkohet NATO-s.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë. SHBA-ja ka investuar shumë energji dhe është angazhuar shumë për të përkrahur Kosovën e FSK-në në tranzicionin e saj…Kosova përballet me sfidën, që disa shtete të NATO-s nuk e njohin siç e njeh SHBA-ja e partnerët tjerë. Duam të shohim këtë të ndryshojë. Duam të shohim që të avancojë e ardhmja e Kosovës në NATO. Kosova është shumë mirë me NATO-n sa i përket vlerave e institucioneve. Ka probleme e çështje që duhet zgjidhur”, ka thënë Hovenier, i cili ka shtuar se pret që Kosova një ditë të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

“Dua të kundërshtoj ata që duan të bëjnë krahasime. Ka angazhime të mëdha për të avancuar sigurinë e Kosovës…”, shtoi ai.

Përpara dy ditësh Vuçiç kërcënoi ndërkombëtarët se ata duhet të zgjedhin mes Serbisë dhe Kosovës.

Pas takimit me zv.kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimin, Hovenier deklaroi se diskutuan për vendimin e dinarit. Ai tha se është e rëndësishme që të ndryshoje mënyra e zbatimit.

Hovenier tha se Bislimi nuk i ka dhënë ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dinarit, por tha se “Qeveria është duke punuar në këtë drejtim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë