Ne rrjet

Kur shkatërrimi moral është më i madh se ai material, në Francë mblidhen mbi 1 mln euro për policin që vrau 17-vjeçarin

Polici Florian M., 38 vjeç, i martuar, ka një djalë, përvojë ushtarake në Afganistan, dhjetë vite të patëmeta në polici, i dekoruar me dy medalje bronzi, i vlerësuar gjithashtu nga kolegët e tij që e përcaktojnë atë si "gjithçka përveçse një kokë të nxehtë", paga rreth dy mijë euro në muaj...

Nëse karriera e tij do të kishte vazhduar pa ndërprerje, do t'i duhej të punonte 41 vjet duke kursyer të gjithë pagën e tij pa shpenzuar asnjë cent, për të arritur një milion.

Në vend të gjithë kësaj, të martën e 27 qershorit, në Nanterre, në orën 8:19, Florian M. qëlloi me plumb duke goditur krahun e majtë dhe më pas gjoksin e Nahel Merzouk, një francez 17-vjeçar me orgjinë nga Algjeria i cili u ndalua sepse qarkullonte pa patentë (kishte ndodhur edhe në të kaluarën).

Naheli i tha shokut të tij se kishte ftohtë dhe kishte frikë se mos vdiste.

Që atëherë, Franca ka përjetuar ditë tragjedie dhe zemërimi, dhimbjeje dhe më pas çmendurie, grabitjesh dhe shkatërrimesh.

Polici Florian M., në burg për akuzën e vrasjes me dashje, i ka kërkuar falje familjes së Nahelit.

Por sot, një javë më vonë, Florian M. është praktikisht një milioner.

Përveç bashkive dhe bibliotekave të djegura, përveç dyqaneve të grabitura dhe kryebashkiakëve të sulmuar, nëse ka një gjë tjetër që mund të tregojë se sa urrejtje dhe sa përçarje ka në shoqërinë franceze, është suksesi masiv “në mbështetje të familjes së policit të Nanterës, Florian M., i cili bëri punën e tij dhe që sot po e paguan shtrenjtë”.

Florian M. nuk kërkoi asgjë, por tashmë është bërë hero për të paktën pesëdhjetë mijë francezë, të cilët kanë marrë mundimin të shkojnë në platformën online GoFundMe dhe të bëjnë një dhuratë në favor të tij.

Qëllimi fillestar ishte shumë më i përmbajtur, të mblidhte 50 mijë euro për të ndihmuar gruan dhe fëmijën e tij duke kompensuar humbjen e pagës në pritje të gjykimit dhe dënimit.

Por, mbrëmjen e djeshme në orën 19.00 totali është një milion e 151 mijë e 160 euro dhe shifra po rritet çdo minutë.

Promotori i mbledhjes së fondeve është Jean Messiha, një personazh i njohur në Francë për aftësitë e tij mediatike dhe besimin e ekstremit të djathtë. I krishterë, i lindur në Kajro, bir i një diplomati, i natyralizuar francez në moshën njëzet vjeçare, Messiha bëri fushatë për Marine Le Pen për një kohë të gjatë.

Dje Messiha u gëzua: “...Bravo të gjithëve dhe rroftë Franca!”. Pavarësisht protestave, drejtuesit amerikanë të platformës pohojnë se mbledhja e fondeve është në përputhje me kushtet e shërbimit.

Një dënim i mundshëm mund ta bëjë më të vështirë ligjërisht dorëzimin e parave tek polici, por thjesht fakti që janë mbledhur kaq shumë para, është një paturpësi. "Ka një shpërblim për jetën e fëmijëve arabë dhe zezakë," thotë avokati Arié Alimi.

Naheli nuk kishte precedentë penalë, ndonëse herë të tjera ishte kapur duke drejtuar mjetin pa leje. Sigurisht sjellje të rrezikshme dhe për t'u dënuar, për të cilat gjithsesi nuk parashikohet dënimi me vdekje.  

Fondi në favor të familjes së tij, në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme, arriti  rreth 250,000 euro, dhuruar nga 12,000 njerëz.

Vdekja e Nahelit sigurisht që nuk e justifikon rrënimin e këtyre ditëve, padyshim që këto janë gjëra që nuk kanë lidhje me të. Por në përgjigje të këtyre shkatërrimeve, mbi pesëdhjetë mijë francezë preferojnë t'u japin para atyre që e vranë.

Në shumë qytete, nga Lioni në Lorient, nga Angers në Chambéry,  banditë të ekstremit të djathtë janë shfaqur me shkopinj bejsbolli dhe hekura të gatshëm për të marrë drejtësinë në duart e tyre me thirrjen e On est chez nous, questo è nostra casa.

Në një javë një djalë ka vdekur, jeta e një polici po përmbyset, shkatërrimi material është i madh por shkatërrimi moral dhe shoqëror është akoma më shumë. corriere.it / Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë