“Kur ata kishin Rugoën e ndërtonte, ne kishim Berishën që shkatërronte”. Me këto fjalë, ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se nuk mund të hiqet plotësisht një paralele mes politikës në Prishtinë dhe asaj në Tiranë.
Lleshaj deklaron se nuk mund të bëhen thirrje për revolucion nga figura të ricikluara në politikën shqiptare dhe ajo që i nevojitet sot vendit është ndryshimi përmes vazhdimësisë.
“Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, ka nxitur diskutime edhe në Shqipëri. Ndryshimet e fundit politike atje kanë zgjuar shumë ithtarë të revolucioneve, të cilët bëjnë thirrje për përmbysjen e radhës në Shqipëri. Në Shqipëri besoj se që ka ardhur koha për ta arkivuar përfundimisht si retorikën, ashtu dhe aksionin politik që orientohet drejt përmbysjeve. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se përmbysja, apo thënë ndryshe, riciklimi i atyre që janë ndëshkuar një herë politikisht, është formula e sigurtë që garanton ecjen mbrapa të vendit dhe të shoqërisë tonë”, shkruan ish-ministri.
Lleshaj thotë se Kosova nuk ka politikë kaq të polarizuar ideologjikisht sa Shqipëria, ndërsa atje ndër vite ndryshimi nuk ka ardhur asnjëherë me përmbysje.
“Kultura politike e Kosovës nuk e ka njohur modelin absurd të shkatërrimit të verbër të vlerave në emër të përmbysjes. Atje nuk janë dërguar për skrap fabrikat, edhe pse ishin ndërtuar nga një shtet pushtues, nuk janë djegur vreshtat, nuk janë zhdukur hekurudhat, nuk është pushtuar toka e tjetrit. Pra nuk kanë ndodhur shumica e absurditeteve që kësaj ane u shitën si thelbi i përmbysjes revolucionare të 1990-ës”, shkruan ai.
Mbi të gjitha, thotë Lleshaj, në Koksovë nuk është shkatërruar besimi tek procesi zgjedhor.
Kosova është një vend i ndryshimeve, ndërsa ishim vendi i përmbysjeve. E nëse ne, me të drejtë, duhet ta admirojmë standardin e sotëm të Kosovës me zgjedhjet, po ashtu duhet të kuptojmë se ai është rezultat i historisë së saj plot ndryshime, por pa përmbysje. Ndërsa ne kemi udhëtuar përmes përmbysjesh: nga njëra përmbysje tek tjetra, duke mbetur kështu në vend. Ka ardhur koha që të kuptojmë se përpara mund të shkojmë vetëm nëpërmjet ndryshimeve dhe jo përmes përmbysjeve”, vijon ish-ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.