Në mesin e prillit Parlamenti i Holandës votoi me 108 vota pro dhe 42 kundër për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. Kërkesa e 5 grupeve parlamentare, VVD, CDA, SP, CU dhe PVV, kjo e fundit parti e ekstremit e votuar në Parlament, detyroi qeverinë t’i kërkojë Komisionit Europian rikthimin e vizave për Shqipërinë. Një vendim që shkaktoi një përplasje të fortë politike në Tiranë, ku opozita e komentoi si një goditje e madhe për qeverinë dhe se kryeministri duhet të jepte dorëheqjen.
Lideri i PD-së, Lulzim Basha nga një studio televizive do ta cilësonte si të paprecedentë vendimin e Parlamentit të Holandës. “Është hera e parë në botë, është e paprecedentë që një vend që ka votuar për heqjen e vizave tani voton për rikthimin e vizave. Është e paprecedentë. Nuk ka ndodhur diçka e tillë në botë. Një shtet i cili kërkon rikthimin e vizave do të votojë për hapjen e negociatave? Absolutisht që jo! As Holanda dhe as shtetet e tjera. Kjo është parathënie e keqe. Nëse nuk ka ndryshim të thellë Shqipërisë prapë nuk do ti hapen negociatat. Është një goditje e rëndë për vendin, goditje e rëndë për qytetarët, të cilët do të paguajnë faturën e paktit të Ramës më krimin e organizuar”, do të shprehej Basha.
Ndërsa aleati i PD-së, LSI-ja do ta cilësonte si një dështim të madh të kryeministrit Rama. “Ky votim nga Parlamenti i Holandës jo vetëm i vë vulën dështimeve te paprecedentë të qeverisë aktuale, por sinjalizon fort nivelin e ulët të përgatitjes që e bën të pamundur Shqipërinë të përballojë sfidat e rrugëtimit europian. Përpos mesazheve të shumta nga partnerët ndërkombëtarë për të mos e marrë të mirëqenë çeljen e negociatave në qershor, mosveprimi për marrje masash nga ana e qeverise shqiptare dëshmon qartë zgjedhjen me vetëdije të Rilindjes për ta mbajtur vendin larg nga Europa duke i hequr shansin historik të çeljes se bisedimeve për anëtarësim në muajin qershor”, do të deklaronte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Për këtë vendim do të reagonte edhe presidenti Ilir Meta, i cili do e cilësonte si kambanë alarmi dhe si të paprecendentë. "Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Në dijeninë time nuk ka ndodhur që më parë të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër të paktën të rajonit tonë. Është një kambanë alarmi për të gjithë ne për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe më të forta në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar që është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe për disa vende të tjera të BE. Duhet të punojmë sa më ngushtë me Komisionin Evropian, me vendet e tjera që mos kemi një rast tjetër si rasti i Holandës që do të krijonte perceptim negativ për vendin tonë. Ky hap na kujton që janë disa arritje që nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, mund të cënohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej drejt akteve të tjera që mund të cënonin liberalizimin e vizave", tha Meta në emisionin ‘Përballë’, me gazetarin Lutfi Dervishi.
Frika për rikthimin e vizave me BE-në për shqiptarët që e kishin fituar lirinë e lëvizjes nënte vite më parë solli edhe një reagim të fortë nga ana e qeverisë, e cila do të theksonte me forcë se ky vendim i Parlamentit të Holandës merrej si rezultat i rritjes së forcave ekstremiste atje dhe që t’i shërbente zgjedhjeve evropiane të rifreskimit të Parlamentit Europian. Kryeministri Edi Rama do t’i kushtonte një diskutim të veçantë në seancën e Parlamentit tre ditë pas vendimit të bujshëm nga Holanda.
“Më duket e udhës që t’i kthehem vendimit të parlamentit holandez, por duke e parë atë nga sfondi i një feste absurde që u zhvillua në oborrin e opozitës në Tiranë, si rezultat i atij vendimi. Një festë fyese dhe deri, besoj pa e ekzagjeruar aspak, përbuzëse për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, në kushtet kur ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe ato dixhitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që është një vendim thjeshtë dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret, ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, intensivisht kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve. Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolacioniste, në raport me zhvillimet përtej kufijve të Holandës, në Bashkimin Europian dhe agresive kundër politikës europiane të zgjerimit”, do të shprehej Rama.
Kryeministri nuk do të kursente sulmet ndaj opozitës që sipas tij po festonte dhe se për mos kthimin e vizave dhane garancinë edhe ministrat holandezë. “E pagëlltitshme është festa në Tiranë që për shkak se janë të dominuar nga urrejtja kanë humbur logjikën. Një festë e neveritshme e cila i drejtoi të gjithë tytat e topave për të hedhur kapsollat në shtëpitë e shqiptarëve duke u përpjekur të transformojë në një politikë të dëshpëruar që do të katandiset keq e më keq në formën e një reagimi deputetësh që preferuan të përfaqësojnë popullin dhe përpiqen t’i vënë zjarrin perspektivës së vendit. Është e pafalshme. Më e bukura është që ministri për Drejtësinë dhe Sigurinë e Holandës, i pranishëm në seancën parlamentare, në fjalën e tij reagoi duke thënë pikërisht këtë, që nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematikë me një vendim të Parlamentit”, do të shprehej Rama.
Ruçi vizitë në Holandë dhe garancia për vizat
Më 20 maj drejt Hagës do të udhëtonin një delegacion i Parlamentit shqiptar i kryesuar nga kryetari Gramoz Ruçi, deputetët Taulant Balla dhe Rudina Hajdari e grupit të opozitës. Vizita realizohej pas asaj të deputetëve holandezë në Tiranë që ishin si pjesë e misionit faktmbledhës. Përballja në Hagë e deputetëve shqiptarë ishte e fortë, pasi në komisionin e Politikës së Jashtme çështja kryesore ishte gjendja e kriminalitetit shqiptar në Holandë.
Por pavarësisht kësaj, kryeparlamentari Ruçi do të shprehte besimin se qeveria holandeze nuk mund ta paraqiste zyrtarisht kërkesën për rivendosjen e regjimit të vizave.
“Në Shqipëri një çështje që ka marrë më shumë vëmendjen e publikut është e ashtuquajtura debat apo rezolutë, që ka nxjerrë parlamenti holandez lidhur me ndërprerjen e vizave për shqiptarët. Ishte një gjë jashtëzakonisht e mirë, që vetë njeri prej deputetëve nënshkrues u shpreh qartë që: “megjithëse unë kam diskutuar për këtë rezolutë, megjithëse kam votuar pro kësaj rezolute, kam qenë i ndërgjegjshëm edhe para se të diskutoja, edhe para se të jepja votën, që kjo gjë është e parealizueshme”, do të deklaronte Ruçi pas takimeve të zhvilluara në Hagë. Tashmë qeverisë shqiptare i mbetet që të ndërmarrë një fushatë të fortë lobimi në Parlamentin Europian, pasi çështja sipas gjitha procedurave do të futet në shqyrtim nga strukturat e Komisionit Europian, të cilat akoma nuk janë ngritur pas zgjedhjeve evropiane që mbajtën në maj, për t’i që të mos marrin një vendim që mund të penalizonte shqiptarë që presin gjithashtu edhe vendimin nëse do të hapen apo jo negociatat me BE-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.